Komiteti i Helsinkit – Taravarit: Përmbahuni nga deklaratat joprofesionale dhe të pabaza për Ëmbla Ademin

min lexim

Pas takimit të djeshëm të përfaqësuesve të Komunës së Gostivarit, Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe prindërve që kanë dorëzuar peticionin për largimin e Ëmbla Ademi nga KLASA ku mësojnë fëmijët e tyre, kryetari i Komunës së Gostivarit Arben Taravari tha për media se “si institucion do të kërkojmë edhe një herë që të bëhet një kategorizim për Ëmblan, pas së cilës do të bëhet një konkluzion përfundimtar me rekomandim nëse ajo do të ndjekë mësimet nëpërmjet gjithëpërfshirjes apo në një klasë për fëmijë me nevoja të veçanta”. Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, përcjell Nistori, shpreh shqetësim serioz lidhur me këtë deklaratë të kryetarit të komunës, i cili në vend që të largojë dhe korrigjojë mangësitë e veprimeve të drejtorit dhe stafit mësimdhënës, sërish gishtin e drejton ndaj nxënëses.

Duke qenë se çdo fëmijë me aftësi të kufizuar kalon një proces të vlerësimit të funksionalitetit të tij, në bazë të të cilit përcaktohet lloji i mbështetjes që i nevojitet për përfshirje në arsimin fillor të rregullt, nuk ka asnjë bazë për të kërkuar një rikategorizim të nxënëses, i cili vetëm çon në stigmatizim shtesë të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Shkolla ka detyrim ligjor të sigurojë përshtatjen e duhur të procesit mësimor në bazë të vlerësimit të bërë dhe të ofrojë mbështetjen e duhur, si në rastin e sigurimit të një asistenti edukativ, i cili do të mundësojë përfshirjen e duhur të nxënëses në mësimdhënie”, kumtojnë nga KHDNj.

Njëkohësisht, me raportin nga inspektimi i jashtëzakonshëm i kryer nga Inspektorati Shtetëror Arsimor në shkollë, janë konstatuar lëshime në marrjen e masave të duhura për përfshirjen e nxënësve me aftësi të kufizuara në procesin arsimor, duke kërkuar shkarkimin e drejtorit të shkollës, Zijadin Nuredini si dhe dënim për mosveprim sipas autorizimit. Andaj, Komiteti i Helsinkit bën thirrje deri te kryetari i komunës që të përmbahet nga deklaratat joprofesionale dhe të pabaza që nuk janë në përputhje me Ligjin për arsim fillor dhe që shpie në diskriminim shtesë të fëmijëve me aftësi të kufizuara, por përpjekjet e tyre t’i orientojë në ofrimin e arsimit adekuat për nxënësit.

Komiteti i Helsinkit do të vazhdojë të mbikëqyrë rastin, e në veçanti veprimet e mëtutjeshme lidhur me lëshimet e konstatuara dhe përfshirjen e duhur të Ëmblas në procesin arsimor, në përputhje me ligjin.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Shefik Duraku braktis Ziadin Selën dhe ASH-në

Story i radhës

Qeveria aktivizon numrin 112

Të fundit nga