Komandanti suprem i Forcave Aleate në Evropë (SACEUR), gjeneral Alexus G. Grynkewich, i shoqëruar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së Anu Prattipati, komandanti i KFOR-it gjeneral major Roberto Vergori dhe delegacionin e tij, u prit me ceremoni ushtarake nga komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
“Në kuadër të vizitës, gjenerali Grynkewich zhvilloi takime me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe Komandantin e FSK-së, gjenerallejtnant Bashkim Jashari, ku u diskutuan çështje me rëndësi për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon.
Po ashtu u vlerësua lartë zhvillimi dhe avancimi i FSK-së dhe palët u zotuan për ngritje të bashkëpunimit edhe në të ardhmen në mes të dy institucioneve.
Një ndër temat e diskutimit ishte edhe procesi i optimizimit të KFOR-it, në kontekstin e zhvillimeve të sigurisë dhe nevojës për koordinim të vazhdueshëm me institucionet vendore. Vizita riafirmon rëndësinë e partneritetit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe NATO-s, si dhe përkushtimin e përbashkët për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë. Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet e përkushtuar në zhvillimin e kapaciteteve të saj dhe forcimin e partneritetit me aleatët, në funksion të përmbushjes së misionit kushtetues dhe avancimit të vazhdueshëm drejt standardeve euroatlantike”, njoftoi FSK-ja.
Burimi: botasot.info


