Kombëtarja shqiptare U-17 për femra ka nisur që prej ditës së sotme grumbullimin dhe stërvitjet në kuadër të ndeshjeve të raundit të dytë të Kampionatit Europian 2021/2022.
Vajzat kuqezi janë shortuar në grupin B dhe janë pjesë e Ligës B, së bashku me Skocinë, Maqedoninë e Veriut dhe Azerbajxhanin, teksa do të tentojnë ngjitjen në Ligën A, që do t’i bënte konkurruese për në edicionin e ardhshëm të kualifikueseve të Kampionatit Europian.
Ndeshjet e këtij raundi do të zhvillohen sërish në Shqipëri, ashtu sikurse sfidat e raundit të parë, pasi UEFA ka vendosur t’i besojë edhe njëherë tjetër FSHF-së organizimin e këtij aktiviteti me nivel europian.
Nga grumbullimi i ekipit në kompleksin Tropikal në Durrës, Agustin Kola, trajneri i Kombëtares U-17 ka dhënë një prononcim për Fshf.org, duke u shprehur se gjendja e skuadrës është optimale dhe se niveli i vajzave është në ngritje.
“Nuk patëm fatin e mirë, se luajtëm në shtator turneun që kaloi dhe kampionati ynë i femrave mbaron në maj. Për mendimin tim skuadra është në gjendje optimale dhe në gjendjen më të mirë. I kam ndjekur dhe në ndeshje, i shoh vajzat shumë mirë, në ngritje dhe jo në ulje. Këtë shoh në përgjithësi, ngritjen”, – shprehet Kola teksa thekson se synimi kryesor i skuadrës U-17 është të furnizojë ekipin A me lojtare të reja.
Trajneri kuqezi shprehet se ekipi nuk do t’i nënvlerësojë këto ndeshje. “Synimet tona kryesore janë të dërgojmë sa më shumë futbolliste në ekipet e të rinjve dhe te Kombëtarja A, por nuk i nënvlerësojmë këto ndeshje. Nuk e njoh mirë ekipin e Skocisë, ekipin e Azerbajxhanit e njoh, se luajtëm në shtator, me ekipin e Maqedonisë kemi luajtur gjithashtu”, – tha Agustin Kola.
I pyetur në lidhje me organizimin e ndeshjeve të raundit të dytë të këtij kompeticioni në Shqipëri, trajneri thotë: “Pse i beson UEFA-FSHF-së? Sepse FSHF po punon mirë”, – duke përfunduar kështu prononcimin e tij për fshf.org
Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë ndaj Azerbajxhanit më 8 mars në Elbasan Arena, në ora 14:30, ndërsa tre ditë më vonë, vajzat kuqezi do të përballen me Skocinë, po në stadiumin “Elbasan Arena”, në të njëjtën orë. Më 14 mars do të luhet edhe ndeshja e fundit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Elbasan, në ora 14:30.