Ideja e këtij shkrimi më lindi gjatë një bisede me një bashkatdhetarë nga Shqipëria, kur m’i tha këto fjale: “Politikanet çdo kund në botë vjedhin nga pak por bëjnë diçka edhe për popull, ndërsa politikanët tonë nuk e kanë fare hallin e popullit por tek hajnija, si të pasurohen më paratë e shtetit dhe mbi kurrizin e qytetarëve.
Politikanët duhet ndërruar në çdo katër vjet
Rrobat e trupit sado të bukura që të jenë duhet ndërruar nganjëherë se bahen bajat! Edhe politik-bërja duhet ndërruar në çdo katër vjet, ngase nuk bën që për të njëjtit njerëz të votojmë në çdo palë zgjedhje.
Hajt se po themi se kanë qeverisur mirë me vendin apo e kanë bërë mirë opozitarizmin kjo klasë politike, megjithatë ajo duhet rifreskuar me figura të reja, e pse jo edhe me subjekte të reja politike.
Tek ne, shumica e subjekteve politike janë konsumuar aq shumë saqë ju ka skaduar afati i përdorimit!
Për të mirë apo për të keq këto subjekte politike e kanë kryer misionin e tyre.
Edhe bota ka ndryshuar nuk është më si më pare, pse të mos ndryshojë edhe skena jonë politike?!
Disa nga figurat e ardhura në parlament, qeveri e deri në majat e shtetit përmes kontrabandimit të votës së qytetarëve, janë bërë të urryera dhe të padurueshme, të neveritshme dhe të gërditshme për syrin e qytetarit të rendomtë!
Pasqyra e një shteti janë njerëzit që e përfaqësojnë
Nëse pasqyra e një familje është oborri i bukur dhe i pastër, me pemë të bukura dhe dekorime artistike, pasqyra e një shteti është Parlamenti dhe njerëzit që e përfaqësojnë në arenën ndërkombëtare!
Një parlament sikurse i yni, me pozitë dhe opozitë që mbrojnë vetëm interesat partiake në vend të interesave të qytetarëve, një diplomaci që më shumë kujdeset për dukjen personale sesa përfaqësimin dinjitoz të vendit janë pasqyra më e keqe e shtetit të Kosovës para qytetarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare.
Sikurse me asgjë nuk mund të arsyetohet një mazhorancë qeverisëse me katër javë grevë në arsim dhe në sektorin publik, pa qenë e zonja të bëjë zgjidhjen e duhur për ndaljen e grevës, ashtu nuk mund të arsyetohet as një opozitë që e mbështet grevën, përkatësisht mosfillimin e vitit të ri shkollorë për llogari elektorale!
Sikurse për pozitën, ashtu edhe për opozitën nuk do duhej të kishte interes më primar sesa fillimi i vitit të ri shkollorë.
Sikurse njërën palë (pushtetin), edhe palën tjetër (opozitën) i zëntë mallkimi i prindërve të fëmijëve që nuk ju gëzuan ditës së parë të shkollës shkaku i kësaj klase politike.
Nevoja urgjente për ndryshimin e “Status Quo”-s politike
Kërkesa ime e ditëve të fundit për ndryshimin e kursit qeverisës nuk ka asgjë personale, por është nismë fisnike për ndryshim dhe për dalje nga çarku i mbyllur i politikës aktuale!
Vetëm iniciativa e shëndoshë, me besin në Zot dhe atdhe, me dashuri të pakufijshme për vendin dhe bashkatdhetarët do ta sjellë ndryshimin e madh në Kosovë.
Nevoja për zgjim kombëtar është e ngutshme dhe e domosdoshme, për ndryshim të përgjithshëm dhe përmbajtësorë, të gjithanshëm dhe gjithmbarshëm të sistemit politik në vendin tonë.
Zoti e bekoftë vullnetin e qytetarëve të vendit tim!