Koalat janë klasifikuar si të rrezikuara për herë të parë në Australi, pasi mijëra krijesa të tilla u vranë nga zjarret dy vjet më parë.
Ministri i Mjedisit të Australisë e ka zhvendosur kafshën shumë të dashur nga kategoria e cenueshme në të rrezikuar në shtetet e Queensland, Uellsit të Ri Jugor dhe Territorit të Kryeqytetit Australian, që do të thotë se ato janë një hap më afër zhdukjes dhe do t’u jepet mbrojtje më e madhe.
Konservatorët thonë se pothuajse një e treta e koalave të vendit janë zhdukur që nga viti 2018, për shkak të zjarreve vdekjeprurëse, si dhe pastrimit të tokës, thatësirës dhe sulmeve të qenve.
Fondacioni Australian Koala vlerësoi se popullsia e koalës ka rënë në më pak se 58 mijë, nga më shumë se 80 mijë. Mendohet se të paktën 6,400 koala u vranë në zjarret e “verës së zezë” në fund të vitit 2019 dhe fillimit të 2020, zjarre që vranë ose zhvendosën rreth 3 miliardë kafshë.
Humbja u ndje më shumë në Uellsin e Ri Jugor, ku zjarret vranë rreth 70 për qind të popullsisë së koalës. Një hetim shtetëror paralajmëroi se speciet mund të zhdukeshin deri në vitin 2050 pa ndërhyrje urgjente, raporton Independent.
Ekspertët thonë se koalat janë një nga kafshët më të cenueshme ndaj krizës klimatike dhe ata argumentojnë se me intensitetin dhe frekuencën e zjarrit që ka të ngjarë të rritet, nevojiten veprime të mëtejshme për të siguruar që këto popullata koalash të mbijetojnë. Qeveria federale ka premtuar 50 milionë dollarë për rikuperimin e koalës dhe restaurimin e habitatit.