Klinika e Pediatrisë ka dhënë sqarime për rastin e mbrëmshëm, kur një 9-vjeçare kishte ndërruar jetë sa ishte duke u trajtuar në QKUK, e që është konsideruar si vdekje e dyshimtë.
Në një komunikatë për medie të ShSKUK-së, gjegjësisht Klinikës së Pediatrisë, thuhet se fillimisht fëmija ishte pranuar në repartin COVID-19, për shkak se siç thuhet aty, kishte rezultuar pozitiv me koronavirus.
Sipas Klinikës së Pediatrisë nuk ka pasur neglizhencë në trajtimin e fëmijës.
“Pas ekzaminimeve shtesë vërtetohet se fëmija ka sëmundje të rëndë akute dhe për këtë njoftohen prindërit. Më pëlqimin, aprovimin dhe nënshkrimin e prindërve, fëmija fillon terapinë dhe trajtimin e nevojshëm. Klinika e Pediatrisë sqaron se nuk ka pasur neglizhencë në trajtimin e fëmijës. Për çdo veprim, analizë, procedurë diagnostike dhe fillimin e terapisë për sëmundjen e rëndë akute janë njoftuar prindërit, është marrë pëlqimi dhe nënshkrimi i tyre”, thuhet po ty.
Bëhet e ditur se janë në pritje të rezultatit nga Mjekësia Ligjore.
“Klinika e Pediatrisë, do të ofrojë gjithë bashkëpunimimin e nevojshëm për hulumtimin e rastit nga organet kompetente”, përfundon komunikata.