Me uljen e temperaturave, Kosova sërish mund të përballet me krizë energjetike. Njohës të kësaj fushe, thonë se vendi nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të prodhuar, derisa masat e marra deri më tani, përfshirë edhe subvencionet, janë të pamjaftueshme. Ndërkaq, sipas KESCO-s, ende ka pasiguri sa i përket furnizimit me gaz natyror të Evropës, çka edhe e rrit kërkesën për energji.
Kriza energjetike mund të jetë e pashmangshme për Kosovën me uljen e temperaturave. Sipas Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike – KEDS, ende ka pasiguri sa i përket furnizimit me gaz natyror të Evropës, andaj edhe kjo thuhet se e rrit kërkesën për energji elektrike si dhe ndikon në ngritjen e çmimeve.
“Dihet që me ftohjen e temperaturave, fatkeqësisht një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve e përdorin energjinë elektrike për ngrohje. Në mënyrë që konsumi të rritet më pak dhe situata të jetë më e përballueshme dhe më e parashikueshme, kur dihet që ende ekzistojnë shumë pasiguri të furnizimit me gaz natyror të Evropës dhe kjo e rrit kërkesën për energji elektrike dhe i bën çmimet e saj shumë të larta dhe të paparashikueshme, kërkojmë nga konsumatorët që të gjejnë forma të tjera alternative të ngrohjes dhe të vazhdojnë kursimin e energjisë elektrike,”ka thënë Margarita Rashiti, zëdhënëse në KESCO.
Nga Zyra e Rregullatorit për Energji kanë thënë shkurt për RTK-në se momentalisht furnizimi është i qëndrueshëm, por që nuk mund të deklarohen për parashikimet e muajve të ardhshëm.
Ndërkaq, nga Ministria e Ekonomisë dhe Korporata Energjetike e Kosovës nuk kthyen përgjigje.
Furnizimi me energji, mund të rrezikohet për shkak të mungesës së kapaciteteve prodhuese.
Krahasuar me periudhën janar-gusht të vitit të kaluar, gjatë 2023-s konsumi i energjisë elektrike ka shënuar ngritje për 22 mijë e 430 MWh.