Kërcënimet ruse me armë bërthamore, gjeneral Qehaja paralajmëron Luftë të Tretë Botërore nëse ndodhë kjo gjë

March 11, 2022
min lexim

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia, e ka ndarë Perëndimin dhe Lindjen më shumë se kurrë në historinë njerëzore.

Një luftë që fare lehtë nga çmenduria e Putinit, presidentit rus, mund të kthehet në një tragjedi botërore.

Rrezik i përhershëm i kësaj lufte mbetet kërcënimi me armë bërthamore nga Putini, i bërë disa herë që kur ai me 24 shkurt e filloi pushtimin tokësor të Ukrainës, i përkrahur edhe nga forcat detare dhe ajrore ruse, dhe në një krah edhe nga territori i Bjellorusisë.

Por, sa është e rrezikuar bota, nga një shpërthim i madh, nga një shpërthim tronditës dhe apokaliptik, për këto dhe të tjera çështje biseduam me gjeneralin shqiptar, Ramadan Qehaja.

Në lidhje me zhvillimet e fundit në Ukrainë, në intervistën ekskluzive për gazetën “Bota sot” Ramadan Qehaja, thotë se shumë pak veta kanë menduar se Rusia do ta sulmojë Ukrainën. Megjithatë, Qehaja vlerësoi se Ukraina është përgatitur në aspektin moral dhe të armatimit, që sipas tij po bënë një rezistencë të jashtëzakonshme.

Gjithashtu, gjenerali komentoi edhe ngecjen e armatës ruse në Ukrainë derisa ai përmendi disa nga problemet më të mëdha, ndër të cilat janë taktikat e gabuara strategjike dhe problemet e mëdha në logjistikën ushtarake.

Ndërsa, sa i përket kërcënimit të përdorimit të armëve bërthamore, Qehaja paralajmëroi se ky aktualisht nuk është qëllimi prioritar i Rusisë, por nëse ndodhë do të ishte shumë e rrezikshme.

“Kjo do të ishte shumë e rrezikshme, aq më parë që atëherë do të jetë një luftë e tretë botërore me përmasa shumë të mëdha të shkatërrimeve e që si duket të gjithë janë të vetëdijshëm për këtë rrezikshmëri”, vlerësoi ai.

Pjesa e parë e intervistës

“Bota sot”: Si e vlerësoni në aspektin taktik dhe strategjik, cilat ishin dështimet e Rusisë nga sulmi i shpejtë e deri më tani?

Ramadan Qehaja: Pikë së pari, unë do të thosha që pak kush ka menduar që do të ndodhë ky sulm i këtyre përmasave, sulm rus, në një shtet demokratik, me kufijtë e vet, me një integritet territorial të pranuar ndërkombëtarisht, siç është Ukrainë, por, ja që kjo faktikisht edhe ndodhi. Ju e dini që prej aneksimit të Krimesë në vitin 2014, prej atëherë e deri në ditët e sotme në Ukrainë janë ndërmarrë masa të duhura të organizimit të ushtrisë së tyre, në të gjitha aspektet, por mendoj që janë marrë masa bukur të mëdha në aspektin e përgatitjes morale për një rezistencë të armatosur, nëse kjo ushtrohet si nevojë.

Sa i përket pyetjes së juaj, unë mendoj që gjeneralët, komandantët e njësive të larta ushtarake prej armatave nëpërmjet njësive të tjera më të ulëta, mendoj që komandanti i tyre suprem, Putini ka pas një vlerësim jo të duhur të tyre, se mund ta pushtonte Ukrainën për 72 orë për shembull apo për tri ditë. Mirëpo, kjo nuk doli ashtu sepse pikë së pari ju e dini që Ukraina ka 43 milionë banorë, së dyti ka një hapësirë shumë të madhe të territorit dhe pavarësisht prej sulmeve të rrufeshme siç i kanë menduar rusët, doli që rezistenca e shtabeve, komandave, njësiteve ukrainase ishte shumë e madhe. Në këtë kontekst, më ka rënë në sy mua si ushtarak profesionist që edhe popullata me mjetet të aty për atyshme, që kanë qenë në terren, kanë dhënë një rezistencë të paparë në mënyrë që ta ngadalësojnë veprimin ushtarak të forcave ruse.
 

Çështja tjetër, në bazë të vlerësimeve të mija, unë kam vërejtur se komandantët e njësive më të vogla, siç është batalioni apo kompania nuk kanë mundur të orientohen në terren dhe nuk kanë pasur një bashkëveprim të duhur, kështu që shpeshherë ka ardhur te ajo që njësitë nuk kanë ditur në çfarë drejtimi janë duke shkuar dhe çfarë janë duke bërë, kur kanë hasur në rezistencë, sikur kanë qenë të hutuar sepse përpara iu është thënë se ata do iu presin me duar ngritur, si të mirëseardhur. Do të thotë moralisht nuk kanë qenë të përgatitur komandantët, aq më pak kanë qenë të përgatitur ushtarët, të cilëve nuk iu është shpjeguar situata që po shkojnë në luftë, bile disa kanë deklaruar, siç i kam parë unë në mediat e informimit, që ju kanë thënë se po shkojnë në ushtrime ushtarake. Do me thënë ajo përgatitja morale e njësiteve të ushtarëve, nënoficerëve, oficerëve nuk ka qenë në nivel të duhur dhe për këtë kjo rezistencë ka qenë shumë e madhe.

“Bota sot”: Po ngecja e kolonës së gjatë me armatim të rëndë rreth 65 km (që sot ndryshoi taktikë), që për më shumë se një javë thuhet se nuk ka bërë fare përparime, ndërsa ka pësuar edhe dëme, pse është duke i ndodhur një ushtrie kaq famoze?

Ramadan Qehaja: Ajo kolonë më ka rënë edhe mua në sy, që ka ngecur në ato 65 kilometra. Edhe pse qëllimin kryesor forcat ruse e kanë marrjen e Kievit, për shumë shkaqe politike, diplomatike, ushtarake, etj. Por, shtrohet pyetja pse kjo kolonë ka pësuar ngecje!? Unë mendoj, duke e ditur prej praktikës se ato automjete kanë qëndruar nëpër garazhe, vend strehime për një kohë të gjatë dhe nuk janë përdor. Përveç që janë ndezur motorët, por lëvizshmëria e tyre nuk është provuar aty për aty, në terren, për të parë sa janë të qëndrueshme ato dhe në këtë mënyrë shumë pjesë të këtyre automjeteve i ka kapur korrozioni dhe kanë mbetur si të tilla të papërdorura. Në momentin, kur ka filluar një marsh i tillë motoristik kanë hasur në probleme, sidomos te pjesët rezervë që nuk i kanë pasur me vete të mjaftueshme. Së dyti, kanë hasur në problem të logjistikës sepse nuk kanë arritur t’i shërbejnë me mjete ndezëse, me naftë dhe burime tjera që ato përdorin dhe është bërë një ngecje e madhe dhe kolona ka mbetur në rrugë. Nuk kanë mundur të konsolidohen edhe për shkak të problemeve të tjera, të cilat në ndërkohë kanë ndodhur. Ajo çfarë është më e rëndësishmja, popullata dhe ushtarët në veçanti kanë bërë një rezistencë të madhe ndaj kësaj kolone, pasi e kanë parë si rrezikun më të madh në tërë këtë luftë që ata të mos hyjnë në Kiev. Këtu ka pas probleme të karakterit taktik, por ka pasur sidomos probleme të karakterit logjistikë dhe nuk ja kanë dal që ta kryejnë këtë detyrë ashtu siç kanë menduar ata.

“Bota sot”: Si e vlerësoni luftën në Ukrainë, ku jepen informacione përveç nga Ukraina edhe nga burime nga CIA se më shumë ka viktima të ushtrisë ruse deri më tash (5-6 mijë) se sa viktima të civilëve ukrainas, pastaj ka raportime dhe pamje të shkatërrimit të shumë tankeve, të shumë helikopterëve, dhe sistemeve të tjera sulmuese (ofensive të Rusisë). Në aspektin ushtarak a është njëlloj befasie kjo?

Ramadan Qehaja: Kjo, ndërlidhet me pyetjen e mëparshme. Unë kujtoj që numrat e humbjeve njerëzore, nuk janë të konfirmuara 100 për qind. Madje, sipas burimeve ukrainasve ky numër është shumë i madh. Mirëpo, sa i përket burimeve amerikane ka shumë ushtarë dhe eprorë rusë të vrarë, dhe mendoj se 20 mijë persona të plagosur nuk është numër i vogël sepse ka ndikuar te ata komandantët e njësiteve, ushtarët e thjeshtë në moralin e tyre që e kanë pasur të ulët. Kjo ka bërë që vërtetë të ngadalësohet lëvizshmëria e forcave ruse në këtë drejtim. Edhe ata vetë nuk kanë mundur ta kuptojnë si një superfuqi ushtarake që e konsiderojnë veten dhe ashtu është në bazë të numrit të armatimit që posedojnë. Do të thotë që as ata vetë nuk kanë besuar dhe kjo ka ndikuar që depërtimi ushtarak të jetë shumë i ngadalshëm. Në anën tjetër edhe ukrainasit kanë humbje, por humbjet e tyre janë shumë më të vogla duke krahasuar raportin e forcave me të cilat janë ballafaquar ata. Raporti i forcave sipas mendimit tim është 4 me 1 në favor të rusëve. Ky favor është shumë i madh, mirëpo këto anët tjera që i përmendëm deri tash kanë ndikuar që ky favor të bie edhe në shumë drejtime taktike, operative-strategjike të ukrainasve, sepse kanë bërë ngadalësimin e depërtimit të njësiteve ruse.

“Bota sot”: Duke folur për dështimin rus, ndërsa Putini është duke u përballur me trysninë e fuqishme të sanksioneve, ekonomike, diplomatike, deri tek ato sportive, a mund të jetë duke përdorur këtë periudhë gjysmëqetësie, për të vënë në zbatim ndonjë skenar të papritur të luftës speciale në qendra të ndryshme, duke krijuar situata shokuese, ndonjë sulm të tipit terrorist, grusht shtete apo forma të tjera të papritura?

Ramadan Qehaja: Ata kanë menduar që me një sulm të rrufeshëm që ta marrin Ukrainën dhe atëherë të jenë në një epërsi të madhe politike, diplomatike, ushtarake etj. Por, kjo nuk ka ndodhur dhe mendoj se sanksionet që ia ka vënë Perëndimi Rusisë janë shumë të rënda dhe gradualisht janë duke e parë rusët, qytetarët e rëndomtë që një sulm i tillë në një shtet demokratik me kufij të caktuar, është i papranueshëm e sidomos në shekullin e 21-të. Prandaj, sanksionet kanë suksese, është një dezorientim në udhëheqësin e lartë ruse, në këtë drejtim nuk kanë pritur të jetë siç ka ndodhur me sanksionet. Po shihet se çfarë problemesh kanë në terren me logjistikë, do të kenë probleme edhe me popullatën dhe me armatën e tyre, sa i përket depërtimit të mëtejmë. Kështu që, Putini është shumë i hidhëruar dhe është duke menduar forma të tjera të veprimit qofshin të një lufte speciale, shtrembërimit të të dhënave, lajmeve të rreme që janë duke i përmendur me të madhe, sidomos që po i përdorin me popullatën e tyre. Kujtoj që në këtë moment aktual është e mundshme që diçka mund të ndodhë diku tjetër për ta zhvendosur vëmendjen atje, dhe të kemi një situatë shkatërruese në një vend tjetër. Dhe, kështu ky sulm të përhapet dhe të ketë përmasa shumë të mëdha. Dua të theksoj në kuadër të kësaj, sa ka qenë ky sulm i keq, jo i dobishëm për sigurinë e tërësishme, globale në veçanti për Evropën, aq është edhe një mësim i mirë për evropianët të cilët në mënyrat e ndryshme kanë qenë të varur nga rusët, sidomos nga gazi rus, duke mos i menduar këto situata të këtij lloji. Kjo varësi prej rusëve ka ndikuar që ata të mos mendojnë se si të pavarësohen dhe të mos varen nga rusët. Në anën tjetër, ajo çka është thënë deri më tani në tubimet që NATO i mban një herë në vit, jo të gjitha shtetet kanë ndarë mjaftueshëm buxhet për mirëmbajtjen e forcave të armatosura në kuadër të NATO-s. Tash sikur janë vetëdijesuar se NATO-ja duhet të përforcohet dhe çdo shtet duhet të ndajë mjete mbi 2 për qind të bruto produktit të tij vendor. Këtë gjë e kanë thënë para disa ditëve edhe kancelari gjerman Sholc, që do të thotë se kanë ndarë buxhet më shumë dhe do të bëjnë përforcimin e forcave të armatosura të tyre. Kjo vlen për të gjitha shtetet e tjera sepse NATO-ja duhet të jetë e përforcuar dhe ta mbrojë çdo shtet, i cili është anëtar i saj. Për evropianët ka qenë një shkollë e mirë që të mendohet më ndryshe sa i përket çështjeve të sigurisë botërore.
 

“Bota sot”: Ka vlerësime se Rusia mund të përdor armë kimike, biologjike e ndoshta edhe bërthamore. Sa mund të jenë ato vendimtare për luftën në Ukrainë, por edhe fatale në njërën anë për ukrainasit?

Ramadan Qehaja: Kjo është një çështje shumë e ndjeshme dhe është vështirë të jepet një vlerësim parashikues, një vlerësim meritor dhe aq më tepër se fjala është për armët bërthamor të cilat kanë fuqi shkatërrimi në masë të popullatës. Ato kur përdoren nuk kanë kufij, do me thënë edhe përdorimi i tyre në territorin ukrainas mund të ndodhë që të ketë pasoja edhe në Rusi, në popullatën civile dhe në disa shtete të Evropës. Prandaj, unë konsideroj se përdorimi i tyre në momentin aktual nuk është numër një, nuk është detyrë prioritare. Kjo do të ishte shumë e rrezikshme, aq më parë që atëherë do të jetë një luftë e tretë botërore me përmasa shumë të mëdha të shkatërrimeve e që si duket të gjithë janë të vetëdijshëm për këtë rrezikshmëri.
 

“Bota sot”: Putini ka thënë të paktën tre herë gjatë fazës së parë të sulmit, në javën e parë, nëse mund t’i referohemi kërcënimit bërthamor, nëse përfshihen në luftë shtetet jashtë Ukrainës, a mund të vijnë në shprehje bombat taktike bërthamore dhe çfarë pasojash mund të ketë nga ato? A janë njësoj shkatërrimtare apo kanë një shkatërrim të kufizuar?
 

Ramadan Qehaja: Kuptohet që ka edhe bomba atomike biologjike të nivelit taktik, nivelit operativo-strategjik etj. Të nivelit taktik mund të përdoren, por humbjet kishin me qenë shumë të mëdha, jo vetëm të kundërshtarit (mbrojtësit), por edhe të sulmuesit (njësitë ruse), nëse i përdorin në territorin e Ukrainës. Duhet të ketë shumë kujdes sepse varet prej kushteve klimatike se si është situata, duke pasur parasysh se situatat klimatike po ndërrojnë shpesh, atëherë edhe ata do të kenë kujdes në këtë drejtim sepse do të bëhet edhe shkatërrimi i popullatës civile, të pafajshme, fëmijëve, pleqve, etj. Kështu që, kjo do të ishte shumë fatale. Unë mendoj që në momentin aktual, kjo po përdoret si një luftë speciale, që mos të përdoren forca të tjera të NATO-s në ndihmë të Ukrainës.

“Bota sot”: Ukraina po insiston për mbylljen e hapësirës ajrore mbi Ukrainë, pra që të evitojë apo parandalojë bombardimet nga aeroplanët rus. Sa është e rëndësishme dhe a mund të ndodhë një gjë e tillë, pasi po vlerësohet si përfshirje e drejtpërdrejtë e NATO-s në luftë me Rusinë? Ministri britanik Ben Wallace, në përpjekje për të zgjidhur kërkesat e Ukrainës për mbyllje të hapësirës ajrore, ka ofruar armë antiajrore, që mund të godasin mjaft saktë avionët rus?

Ramadan Qehaja: Të gjithë po kanë kujdes pasi që Ukraina nuk ka qenë pjesë e NATO-s. Kujdesi është shumë i shtuar, që mos të hyjnë më forca qofshin ajrore, qofshin njerëzore në territorin e Ukrainës pasi që nuk është anëtare e NATO-s. Po të ishte anëtare e NATO-s situata do të zhvillohej ndryshe, kjo duhet të merret parasysh. Ndihmesë bukur të madhe në armatim, sidomos armatim anti-tank dhe kundër mbrojtjes ajrore ukrainasit kanë marrë prej disa shteteve dhe ato janë treguar shumë të efektshme sidomos në armatimin anti-tank gjë që është parë në terren. Pra, nuk mund të themi se nuk kanë asnjë ndihmesë, por që të hyjnë në territorin e Ukrainës, është çështje që duhet menduar mirë dhe kujtoj që në bazë të fjalëve të ministrit të Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, do të ketë fluks të mëtejmë të refugjatëve në Evropë, ku mbi 2 milionë e gjysmë kanë kaluar në territoret e shteteve të tjera të Evropës. Atëherë diçka do të ndërmerret vetëm e vetëm për shkaqe humanitare dhe kjo kishte me qenë detyrë parësore nëse nuk ndalen sulmet kundër popullatës civile, kundër objekteve civile. Sepse dihet që lufta e armatosur ka rregullat e veta juridike ndërkombëtare dhe këto rregulla siç duket njësitë ruse i kanë neglizhuar dhe tash kemi humbje bukur të mëdha të popullatës, një shpërngulje të popullatës, shkatërrim të objekteve civile, përveç atyre ushtarake. Kësisoj, është paraparë që kur lufta është në pyetje, atëherë luftohet me palë kundërshtare, ushtria me ushtri dhe jo ushtria me popullatë civile të paarmatosur, siç po ndodh atje. / Vijon nesër, pjesa e dytë!

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Konflikti Rusi-Ukrainë: A është interneti në prag të ndarjes?

Story i radhës

Ky pritet të jetë trajneri i ri i Man United!

Të fundit nga

After Work Jackpots në Grand Casino Admiral

5 Shkup, 28 nëntor – Grand Casino Admiral, destinacioni juaj kryesor për argëtim dhe lojëra premium, i vendosur në Hotel Limak, në kompleksin Diamond të Shkupit, ka kënaqësinë të shpallë Jackpot-et e
ShkoLartë