Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, gjatë fjalimit të tij, tha se nuk është thjesht një ngjarje politike kongresi i VLEN-it por një moment reflektimi për një rrugë që ka kaluar nëpër shumë sfida.
Kasami tha se ata kanë besuar se shqiptarët kanë dinjitet dhe se nuk duhet të trajtohen vetëm si numër.
Ai tha se sot është 9 maj, dhe po merret një vendim që nuk është lehtë për askënd.
“Vendimi që BESA dhe partitë tjera të bëhen pjesë e një subjekti të madh tregon një moment pjekurie. Sot sinqerisht shqiptarëve të këtij vendi, ju duhet, jo fragmentim, por bashkim politik dhe seriozitet. VLEN nuk duhet të jetë vetëm a=bashkim partie, por duhet të bëhet kulturë tjetër shqiptare, më institucionala, nuk kemi nevojë për politik që jeton nga zënkat, kemi nevojë për politik që mendon më shumë se një mandat”, tha Kasami, shkruan Alfax.mk
Kasami tha se ata besojnë në familje, te puna e ndershme, te sipërmarrësi që rrezikon dhe nuk pret gjithçka nga shteti, besojnë në identitetin, gjuhën dhe kulturën.
“Besojmë në një shtet modern, në institucione që funksionojnë, në drejtësi e barabartë për të gjithë. Për ne shteti, nuk duhet të jetë plaçkë. Aty ku preket paraja publike duhet të ketë hetim, qytetari nuk duhet të ketë frikë në institucione. Duam shtet që respekton qytetarin pa dallim etnie apo fetare”, deklaroi mes tjerash Kasami.
Kasami, mes tjerash tha se shqiptarët duhet të mendojnë për dekadën që vjen, nëse duhet të jenë faktor.
“Do të jemi konstruktiv kur shteti ecën para, por do jemi të vendosur kur preket gjuha shqipe, Marrëveshja e Ohrit dhe të drejtat e shqiptarëve”, tha mes tjerash Kasami.
Burimi: alfax.mk


