Feronikeli nga Drenasi edhe zyrtarisht ka rënë nga elita e futbollit të Kosovës, por kësaj nuk mund t’i shpëtojë as Ulpiana e Lipjanit ani se ka ende shpresa matematikisht për të bërë një mrekulli të çmendur!
Pak e besueshme në bazë të të gjitha matematikeve, sepse ngec për 12 pikë larg vendi të tetë!
Ballkani i Therandës me fitoren e sotme në tavolinë me rezultat zyrtar 3:0 ndaj Ulpianës, është çështje kohe, dy apo tri jave që të shpallet praktikisht kampion. Shikuar në tërësi, vetëm në pozitën e tetë nuk dihet se cila ekip do të përfundojë dhe të luftojë në barazh për të mbetur në elitë.
Në këtë rrezik janë Prishtina (39 pikë), Malisheva (37), Drenica dhe Dukagjini me nga 36 pikë.
Nga pozita e pestë e deri të e teta, skuadrat janë në ankthin e sfidave të radhës! Skuadrat që do të garojnë në Evropë, veç po dihen: Ballkani, Drita, Gjilani dhe Llapi!
Kampionati po futet në fazën më dramatike, të paktën për skuadrat që luftojnë për të ikë nga zona e barazhit.
Pa harruar edhe katërshen e parë, që lufton për plasman sa më të mirë, përveç kampionit, cila do të jetë nënkampion i Kosovës! Edhe gjashtë javë deri në fund, edhe 18 pikë janë në lojë për secilën skuadër.
Kjo është renditja: Ballkani 66 pikë, Drita 55, Gjilani 55, Llapi 50, Prishtina 39, Malisheva 37, Drenica 36, Dukagjini 36, Ulpiana 24 dhe Feronikeli me 12 pikë.