kalaja e shkupit hapet vitin e ardhshem nisin restaurimet 6aca47f94a5c8

Kalaja e Shkupit hapet vitin e ardhshëm, nisin restaurimet

October 10, 2026
min lexim
kala

Kalaja e Shkupit, sipas zotimit të autoriteteve, mund të jetë plotësisht e hapur për vizitorë dhe e mirëmbajtur, në vitin e ardhshëm. Gjatë vizitës në kala, krerët e institucioneve thanë se kanë siguruar mjete financiare dhe ka filluar rregullimi i hapësirave të gjelbra përreth.

Muzeu Parahistorik dhe Muzeu i Periudhës Osmane në Kalanë e Shkupit pritet të kalojnë nëpër proces mirëmbajtjeje, adaptimi dhe sanimi. Autoritetet paralajmërojnë rikthimin në funksion të hapësirave muzeale, të cilat do t’u mundësojnë vizitorëve të njihen më nga afër me historinë e kalasë dhe të qytetit të Shkupit.

“Janë siguruar mjete financiare në vlerë prej 8 milionë denarësh. Mbi këtë bazë, u formua një grup pune, i cili përgatiti përllogaritjen paraprake të kostove, pas së cilës u shpall tender për mirëmbajtjen e vazhdueshme, adaptimin dhe sanimin e Muzeut Parahistorik dhe Muzeut të Periudhës Osmane.” – Vesela Çestoeva, drejtoreshë e Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore

Kryeministri Mickoski, për momentin, nuk është i kënaqur me gjendjen e kalasë. Ai paralajmëroi se vizita në kala do të bëhet me pagesë pasi lokacioni të rregullohet plotësisht.

“Pres që, kur e gjithë kjo të përfundojë, të kemi në Shkup një objekt vërtet me cilësi të jashtëzakonshme, i cili do të përfaqësojë një nga atraksionet e pakta turistike jashtëzakonisht të rralla dhe të rëndësishme këtu në Shkup. Nëse gjithçka shkon siç duhet, kjo do të ndodhë vitin e ardhshëm, natyrisht nëse fillojmë që sivjet. Hapësira tashmë është rregulluar. E dini se këtu kishte bar, është bërë njëfarë rregullimi hortikulturor, që vizitorët të kenë mundësi të njihen sadopak me Kalanë e Shkupit, por nuk jemi të kënaqur me gjendjen aktuale. Ne si Qeveri, do t’i mbështesim institucionet si financiarisht, ashtu edhe në aspektin logjistik, që Kalaja e Shkupit ta marrë pamjen që meriton dhe të jetë pjesë e Shkupit – Kryeqytet Evropian i Kulturës.” – Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Ndërkohë, për vizitorët, kalaja mbetet një nga pikat tërheqëse të Shkupit, veçanërisht për pamjen që ofron mbi qytetin. Megjithatë, disa turistë vërejnë se hapësira ka nevojë për më shumë informacione historike dhe për përmirësimin e kushteve për vizita.

Është shumë mirë mund të shohësh gjithë qytetin kjo është e këndshme. Unë nuk di shumë për historinë sepse ju nuk keni tabela informuese për historinë dhe ne shikuam në aplikacione Google dhe pam që është shumë e vjetër kjo është e mirë, u shpreh një turist.

Po kjo është hera e parë këtu në vizitë në Maqedoni. Është e madhe bëra disa hecje është një pjesë murë kullat është mirë hyrja është e lirë është mirë. Ndoshta unë mendoj mungon muzeu diçka nga historia e kalasë dhe disa renovime dhe diçka me informacione për historinë, tha një tjetër turist.

Kalaja e Shkupit është një nga monumentet më të vjetra historike të kryeqytetit, me gjurmë banimi që datojnë që nga periudha parahistorike dhe me fortifikime që lidhen me shekullin VI. Në vitin 2007, gjatë gërmimeve arkeologjike, u zbuluan themelet e një kishe mesjetare, çka nxiti debate për përkatësinë historike dhe fetare të lokalitetit. Tensionet ndëretnike që lidhen me projektin e ndërtimit të një kishe-muze në këtë hapësirë kulmuan në shkurt të vitit 2011, kur kundërshtimet e qytetarëve shqiptarë dhe përplasjet me qytetarët maqedonas shkaktuan dhunë dhe disa të lënduar. Rasti hapi debat të gjerë për interpretimin e trashëgimisë kulturore dhe ndikimin e saj në marrëdhëniet ndëretnike në vend. / Alsat.mk

Burimi: lajmpress.org

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

arrestohet nje 46 vjecar nga rrethina e strumices policia i gjen marihuane 6aca46a12df3a
Lajmi i mëparshëm

Arrestohet një 46-vjeçar nga rrethina e Strumicës, policia i gjen marihuanë

bojkoti i avokateve ne gjkko pl i ben thirrje kuvendit dhe klgj se te zgjidhin urgjentisht konfliktin 6aca5ef029a8c
Lajmi i radhës

Bojkoti i avokatëve në GJKKO, PL i bën thirrje Kuvendit dhe KLGJ-së të zgjidhin urgjentisht konfliktin

Të fundit nga

Del nga shinat treni me mallra në Kroaci

Një tren mallrash doli nga shinat të shtunën pranë stacionit hekurudhor Meja, në Kroaci, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Nga aksidenti nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa autoritetet ende nuk
ShkoLartë