Aktori argjentinas Juan Darthes është rikthyer në qendër të vëmendjes pas vendimit përfundimtar të drejtësisë braziliane, e cila la në fuqi dënimin prej 6 vitesh burg për akuzën e abuzimit seksual ndaj aktores Thelma Fardin.
Çështja lidhet me një ngjarje të vitit 2009, gjatë kohës kur të dy aktorët ishin pjesë e kastit të serialit të njohur argjentinas “Patito Feo”. Fardin e kishte denoncuar Darthesin duke pretenduar se abuzimi kishte ndodhur gjatë një udhëtimi pune, kur ajo ishte 16 vjeçe.
Pas një procesi të gjatë gjyqësor, gjykatat në Brazil vendosën që aktori të shpallet fajtor dhe të vuajë një dënim prej 6 vitesh burgim në regjim gjysmë të hapur.
Pas vendimit, Darthes ka qëndruar larg daljeve publike dhe mediave. Ai jeton në Brazil, ku është zhvendosur pas shpërthimit të akuzave dhe largimit nga skena publike. Në rrjetet sociale, ai dhe bashkëshortja e tij kanë publikuar mesazhe me përmbajtje fetare, ndërsa aktori nuk ka dhënë shumë deklarata publike për situatën.
Ndërkohë, Thelma Fardin e ka cilësuar vendimin si një moment të rëndësishëm pas viteve të betejës ligjore dhe ka theksuar rëndësinë e mbështetjes për viktimat e abuzimit seksual.
Rasti i Juan Darthes u bë një nga çështjet më të komentuara në Argjentinë dhe Amerikën Latine, duke nxitur debat të gjerë për dhunën seksuale dhe lëvizjen kundër abuzimit ndaj grave.
Burimi: botasot.info


