Rusia ishte për Jeffrey Epsteinin një nga terrenet kryesore për rekrutimin e grave dhe vajzave të reja, por edhe një shteg përmes të cilit ai u përpoq, pa sukses, ta rikthente emrin e tij në qarqet e elitës pas dënimit në Florida. Kjo del nga një hetim i gjerë i agjencisë Reuters, i publikuar të premten.
Gazetarët e agjencisë intervistuan mbi dy duzina njerëz që i njihnin lidhjet e Epsteinit me Rusinë, nëntë prej të cilëve e kishin njohur personalisht, dhe shqyrtuan qindra faqe dokumentesh të Departamentit amerikan të Drejtësisë, regjistra fluturimesh, dosje gjyqësore dhe email-e.
Asnjë provë për lidhje me shërbimet ruse
Në një kohë kur dosjet e Epsteinit kanë ushqyer spekulime se ai mund të ketë qenë agjent i Kremlinit, Reuters thekson se nuk gjeti asnjë provë që ai të ketë punuar për inteligjencën ruse, të ketë vepruar në emër të qeverisë së Moskës apo të ketë arritur ta takojë Vladimir Putinin. Sipas hetimit, përpjekjet e tij në Rusi nuk prodhuan as marrëveshje të mëdha biznesi, as ndikim real.
Udhëtimi i vitit 2002
Në nëntor të vitit 2002, Epstein fluturoi me avionin e tij privat në Rusi, bashkë me Ghislaine Maxwellin dhe agjentin francez të modeleve Jean-Luc Brunel. Shkasin e kishte dhënë dekoratori Alberto Pinto, i cili i kishte sugjeruar që një pjesë të shtëpisë së tij në Manhattan ta lyente me ngjyrën e Dhomës Vjollcë të Pallatit Aleksandër në Shën Petersburg.
Gjatë ndalesës në Moskë, grupi darkoi me biznesmenin çeçen Umar Xhabrailov, duke lëvizur me makina të blinduara dhe me truproja të armatosur. Reuters nuk arriti të konfirmojë nëse Epstein e pa vërtet dhomën, por fotografitë tregojnë se muret e shkallëve kryesore të shtëpisë së tij kanë ngjyrë të ngjashme. Ky ishte njëri nga vetëm dy udhëtimet e tij të njohura në Rusi. I pari ishte në vitin 1998, kur u bashkua me një delegacion të udhëhequr nga Microsoft në qytetin sekret bërthamor Sarov.
17 gra nga ish-Bashkimi Sovjetik
Reuters identifikoi të paktën 17 gra nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik që u përfshinë në rrjetin e trafikimit seksual të Epsteinit. Shumica ishin modele që ëndërronin një karrierë në Perëndim.
Rol kyç pati Brunel, i cili punonte për agjencinë pariziene Karin Models dhe rekrutonte vajza në Evropën Lindore. Në vitin 2003 ai hapi në Miami një agjenci që dy vjet më vonë mori emrin MC2 Models Management. Sipas hetimit, kjo agjenci rekrutonte shumë në Rusi dhe i ndihmonte modelet ruse të siguronin dokumente udhëtimi për në SHBA, ndërsa Epstein u siguronte apartamente. Brunel vdiq në vitin 2022 në një qeli burgu në Paris, para se të dilte në gjyq.
Në dekadën e fundit të jetës së Epsteinit, të paktën nëntë gra nga rajoni, kryesisht ruse, i rekomanduan atij vajza të tjera. Svetlana Pozhidaeva, e cila e njohu në Paris në vitin 2008, kur ishte rreth 23 vjeçe, dhe më vonë u bë asistente e tij, i tha Reuters se ai e abuzonte rregullisht dhe e mbante të zhytur në borxhe.
Rusia si rrugë kthimi pas dënimit
Pasi në vitin 2008 pranoi fajësinë në Florida për akuza prostitucioni, përfshirë joshjen e një të miture, dhe kaloi 13 muaj në burg, Epstein e pa Rusinë gjithnjë e më shumë si portë për t’u rikthyer në shoqërinë e lartë.
Ndërsa ishte në arrest shtëpiak në Palm Beach, ai iu paraqit të pasurve rusë si ekspert financiar. Manjati i pasurive të paluajtshme Vladislav Doronin darkoi në shtëpinë e tij në Nju Jork në vitin 2010. Po atë vit, përmes ish-ministrit britanik Peter Mandelson, Epstein kërkoi një takim me miliarderin e metaleve Oleg Deripaska, por Reuters nuk mundi të konfirmojë nëse ai takim u zhvillua.
Takimi me Putinin që nuk ndodhi kurrë
Në vitin 2011 u anulua një udhëtim i planifikuar në Rusi. Truproja i tij pretendonte se Epstein kishte takim me Putinin, por tre persona i thanë Reuters se asnjë takim i tillë nuk ishte caktuar.
Kontakti i tij kryesor me qarqet zyrtare ruse u bë më pas Sergej Beljakov, zëvendësministër rus i Ekonomisë dhe organizator i Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut, të cilin Epstein e njohu në Paris në vitin 2014. Në prill të vitit 2015, Epstein e prezantoi Beljakovin me ish-kryeministrin izraelit Ehud Barak dhe i kërkoi këtij t’i përcillte mesazhin se Putini dhe këshilltarët e tij do të përfitonin nga bisedat me të. Sipas hetimit, Barak nuk e përcolli mesazhin. Edhe përpjekjet përmes Mandelsonit mbetën pa rezultat.
Vdekjet dhe pyetjet pa përgjigje
Shumë nga figurat kyçe të kësaj historie nuk jetojnë më. Epstein vdiq në gusht të vitit 2019 në një burg të Manhattanit dhe vdekja e tij u shpall vetëvrasje. Umar Xhabrailov u gjet i vdekur nga plagë arme zjarri në Moskë më 2 mars 2026, pak javë pasi emri i tij doli në dosjet e Epsteinit. Mediat shtetërore ruse, duke cituar burime policore, e cilësuan vetëvrasje të dyshuar, ndërsa të afërmit e kundërshtojnë këtë version. Ghislaine Maxwell po vuan dënimin me 20 vjet burg në Teksas.
Zyra e Putinit nuk iu përgjigj kërkesave të Reuters për koment. Senatori demokrat Sheldon Whitehouse kishte deklaruar në mars se shumë gjëra për Epsteinin mbeten ende të panjohura dhe se, herë pas here, ato të çojnë te Rusia. Ndërkohë, viktimat e Epsteinit vazhdojnë të kërkojnë drejtësi.
Burimi: botasot.info


