Deportimet me forcë drejt Rusisë të civilëve ukrainas nga qyteti i rrethuar Mariupol janë të paskrupullta, thanë të dielën zyrtarët amerikanë pasi autoritet në Kiev dhe kryebashkiaku i Mariupolit akuzuan Moskën se po transportonte mijëra persona pa dëshirën e tyre.
Akuzat nuk janë verifikuar ende, por më herët këtë muaj Kievi refuzoi një ofertë nga Moska për të krijuar “korridore humanitare” për largimin e civilëve nga gjashtë qytete ukrainase të bombarduara rëndë, pasi u bë e qartë se Moska dëshironte që civilët të shkonin drejt Rusisë, ose aleates së saj Bjellorusisë.
Vetëm dy nga korridoret e propozuara nga Rusia përfundonin në territorin e kontrolluar nga ukrainasit. Presidenti francez Emmanuel Macron e akuzoi Rusinë për “cinizëm moral dhe politik“, dhe shtoi se “nuk njoh shumë ukrainas që dëshirojnë të shkojnë në Rusi”.
Udhëheqësi ukrainas Volodymyr Zelenskyy i refuzoi si “krejtësisht imorale” trajektoret e propozuara nga Rusia për evakuimin e civilëve.
Këshilli i qytetit Mariupol akuzoi i pari se civilët po deportoheshin me forcë nga Rusia. Guvernatori i rajonit Donetsk, Pavlo Kirilenko, gjithashtu akuzoi Moskën se “kishte deportuar me forcë mbi 1 mijë banorë të Mariupolit”.
Zoti Kirilenko tha se civilët e deportuar po regjistroheshin në “kampe filtrimi” ruse, ku iu kontrollohen celularët dhe iu konfiskohen dokumentat e identitetit. “Pastaj dërgohen në Rusi“, tha ai në Facebook, duke shtuar se “fati i tyre në anën matanë nuk dihet”.
Refugjatët mblidhen në rrugë ndërsa përgatiten për t’u larguar nga Mariupoli (20 mars 2022)
Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield tha të dielën se “vetëm e kam dëgjuar. Nuk mundem ta konfirmoj”. Ajo shtoi se “mund të them megjithatë se është shqetësuese. Është e paskrupullt që Rusia të çojë me forcë shtetas ukrainas në Rusi dhe t’i vendosë në çfarë do të rezultojnë në thelb të jenë kampe përqëndrimi dhe të burgosurish”.
Sipas disa njoftimeve, civilët e deportuar dërgohen në qytete të largëta ruse, u jepen dokumenta që i lejojnë të punojnë vetëm aty ku janë dërguar dhe u ndalohet lëvizja për dy vite.
Njoftimet për deportimet me forcë kanë shkaktuar kritika të ashpra nga historianë me peshë, të cilët i konsiderojnë si një jehonë shqetësuese e epokës sovjetike, kur diktatori komunist Jozef Stalin urdhëroi deportimin e kombeve të tëra, i futi në punë të detyruar dhe shkëmbeu popullsi të zhvendosura për të plotësuar territoret e pastruara etnikisht.
Banorët vendas ecin në një rrugë përgjatë banesave të shkatërruara në Mariupol (18 mars 2022)
Stalini dëboi 1.8 milionë kulakë nga shtëpitë e tyre dhe i zhvendosi ata në kampe pune dhe skaje të largëta të Rusisë gjatë periudhës 1930-31. Krahas këtyre, rreth 1 milion të tjerë nga fshatrat dhe nga pakicat etnike u zhvendosën me forcë gjatë viteve 1932-39. Nën regjimin stalinist, 3.5 milionë anëtarë të pakicave etnike u zhvendosën me forcë gjatë periudhës 1930 – 1952.
Në maj 1944, për tre ditë, rreth 200 mijë tartarë, kryesisht gra dhe fëmijë, u deportuan me trena që përdoreshin për transportimin e kafshëve nga Krimea drejt Uzbekistanit. Që kur Krimea u aneksua nga Rusia në vitin 2014, tartarëve që ende jetojnë në këtë gadishull nuk u është lejuar ta kujtojnë përvjetorin e këtij deportimi.
“Nëse do t’i kishim kushtuar vëmendje asaj që Putini u bëri tartarëve të Krimesë pas aneksimit në vitin 2014, nuk do të befasoheshim sot nga deportimet me forcë në Mariupol. Forcat pushtuese ruse nuk po bëjnë thjesht krime lufte në Ukrainë, ata po bëjnë krime kundër njerëzimit”, shkruajti në Twitter Jasmin Mujanovic, autore e librit “Uri dhe zemërim: Kriza e Demokracisë në Ballkan”.
“Thellohet më tej e keqja, deportime nga Mariupoli për në Rusi, dhe sipas zëdhënësit të Ukrainës për të drejtat e njeriut, (njerëzve) u merren pasaportat dhe detyrohen të punojnë në vende të caktuara në Rusi për të paktën 2 vjet – në thelb punë skllevërish të deportuar”, shkruajti Simon Schama, autor i librit “Historia e Hebrenjve, Volumi Dy: Përkatësia”.
Historia e vetë familjes së zotit Schama përmban deportime dhe emigrim me forcë të të afërmve të tij dhe të vetë prindërve të tij që kaluan përmes Turqisë, Lituanisë, Moldavisë dhe Rumanisë.
“Kur Putini thotë se nuk ka komb ukrainas dhe shtet ukrainas, ai nënkupton se synon ta shkatërrojë kombin ukrainas dhe shtetin ukrainas. Të gjithë e kuptojnë këtë, apo jo?“, shkruajti në Twitter Timothy Snyder, i cili është specializuar për historinë e Evropës Qendrore dhe Lindore, si dhe për holokaustin.
Zoti Snyder i referohet pikëpamjes së shprehur në mënyrë të përsëritur nga zoti Putin se ukrainasit janë në thelb rusë. Udhëheqësi rus ka mbështetur prej kohësh variantin se Ukraina është pjesë e Rusisë.
Ai e bëri të qartë në deklaratën e famshme para Presidentit amerikan George W. Bush në vitin 2008 se: “Duhet ta kuptosh George, se Ukraina as nuk është shtet”. Në vitin 2014, pasi aneksoi Krimenë dhe përdori palë të treta të armatosura, të mbështetura më vonë nga ushtria ruse, për të marrë një pjesë të rajonit Donbas të Ukrainës, zoti Putin tha: “Rusët dhe ukrainasit janë një popull”.