Policia në Japoni është në kërkim të një majmuni të egër që ka sulmuar 10 persona, duke përfshirë një foshnjë dhe dy vajza katërvjeçare, brenda dy javësh.
Sulmet e para ndodhën më 8 korrik në rrethin Ogori të prefekturës Yamaguchi në jugperëndim të vendit.
Zyra e kryebashkiakut lokal ka shpërndarë fletushka që paralajmërojnë njerëzit që të jenë në vëzhgim ndërsa kërkimet për kafshën vazhdojnë.
Policia thuhet se është në gatishmëri të lartë dhe i ka vendosur kurthe majmunit teksa paralajmëroi njerëzit që të mos i lënë dritaret hapur.
Në sulmin më të rëndë, majmuni hyri në një shtëpi familjare dhe gërvishti keq një foshnjë.
“Isha duke pastruar me korrent kur dëgjova fëmijën tim duke qarë, kështu që u ktheva dhe pashë majmunin e kishte kapur nga këmbët dhe dukej sikur po përpiqej ta tërhiqte jashtë,” tha nëna e vajzës për mediat lokale.
Kjo ndodhi përpara se majmuni të hapte derën e një apartamenti në katin e parë fundjavën e kaluar dhe të gërvishte këmbën e një vajze katërvjeçare, sipas agjencisë së lajmeve Kyodo.
Majmuni, që thuhet se ishte midis 40 dhe 50 centimetra i gjatë, më pas sulmoi njerëzit e tjerë aty pranë, shtoi agjencia. Sipas raportimeve, majmuni hyri në një klasë të kopshtit lokal dhe gërvishti një vajzë tjetër katërvjeçare.
Majmunët nuk janë të vetmet kafshë të egra që i kanë detyruar njerëzit në Japoni të jenë më të kujdesshëm. Ka pasur sulme të shumta ariu në të gjithë vendin vitet e fundit dhe një numër më i vogël që përfshin derra të egër.
Vargu i sulmeve të arinjve i është atribuuar mungesës së lisave në habitatin e tyre natyror – gjë që i detyron ata të enden në zonat e populluara për të gjetur ushqim.
Thuhet se ka qenë gjithashtu një faktor shpopullimi i zonave rurale dhe degradimi i tokave bujqësore të braktisura që dikur përbënin një kufi natyror midis habitatit të arinjve dhe zonave të populluara, raporton Sky News.