Lideri i sapo-dorëhequr i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela do ta dorëzojë dorëheqjen e tij edhe formalisht para organeve të partisë në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit Qendror.
Nga kjo parti konfirmuan për Klan M se, mbledhja e ardhshme e këtij kuvendi do të mbahet në shtator, ku po ashtu do të caktohet edhe kongresi i jashtëzakonshëm, pas çka do të fillojnë edhe procedurat për zgjedhjet e kryetarit të ardhshëm të partisë.
“Organi më i lartë mes dy Kongreseve është Kuvendi Qendror. Kuvendi do të mblidhet në fillim të muajit shtator për të shpallur Kongresin e jashtëzakonshëm ku do të zgjidhet kryetari i ardhshëm”, thonë nga ASH-ja.
Pas rezultateve të dobëta të partisë në zgjedhjet për këshillin komunal në Tetovë, Sela mbrëmë përmes një konference për media, njoftoi se jep dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit.
Ai tha se do të vazhdojë të ketë pjesë e ASH-së, ndërsa iu bëri thirrje gjithë anëtarëve të partisë që këtë moment ta shfrytëzojnë për reflektim.
“Pas analizave, ato të cilët janë përgjegjës duhet t’i marrin përgjegjësitë mbi supe dhe në qoftë se duam të kemi një parti politike e cila do të jetë edhe në shërbim të popullit, ne nuk guxojmë më të falim faje, ne nuk guxojmë më që të falim sabotime dhe nuk guxojmë të falim jopunë”, deklaroi Sela.
Dorëheqja e Selës shkaktoi reagime të shumta në opinion.
Sekretari gjeneral i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, i cili edhe përflitet në media si njëri ndër kandidatët potencial që mund të vihet në krye të partisë komentoi se, Sela është simboli i Aleancës për Shqiptarët, që ka bërë revolucion në politikën e vendit dhe ka luajtur rol historik në çlirimin e shtetit nga kthetrat e diktaturës.
Kujtojmë se, Sela u rizgjodh për kryetar të partisë në mars të këtij viti.