Ish-ministri Mbrojtjes Anton Kolaj rrëfen për Rugovën: “Nuk bëhet lufta me sakica… por punoni për të, e mos folni”!

January 30, 2022
min lexim

“Presidenti Ibrahim Rugova ithtarëve të luftës në Kosovë u thoshte: mos folni, punoni!”, është dëshmia e parë në media, që e sjellë ish ministri i parë i Mbrojtjes në Kosovë, Anton Kolaj, nënkryetar i LDK-së atë kohë, e cila argumenton se Presidenti nuk dëshironte të flisnin për luftë, por të përgatiteshin shumë dhe profesionalisht!

Kolaj, i cili e bashkëdrejtonte ministrinë e Mbrojtjes, që në atë kohë në Qeverinë ne ekzil ishte, Nikë Gjeloshi ministër i Mbrojtjes, e sjellë edhe një premisë apo më saktë një postulatë tjetër të Rugovës në kujtesë “Me sakica nuk bën të hymë në luftë… Shqipërinë e kemi ende të dobët…”!, kjo ishte strategjia e Rugovës, që kur ia bashkon edhe postulatën tjetër, se Kosova nuk na duhet e zbrazur nga shqiptarët si Nishi, Toplica, Sanxhaku, Çamëria etj., teoria e tij politike është e parrëzueshme.

Këto duhet t’i mësojnë përmendësh kritikët dhe pseudofilozofët e Kosovës, për ta kuptuar se ai kishte ndërtuar jo vetëm një teori politike dhe filozofike, por një shkollë më vete.

Anton Kolaj prej vitesh jeton në perëndim, kur shumë aktivistë dhe politikan shqiptarë u detyruan të shkojnë “rrugëve” të azilit pasi ndiqeshin nga sistemi okupues i Serbisë. Tashmë ka edhe libra të shkruar nga të huajt, të cilët këtë lloj e quajnë, “azil patriotik”.

Anton Kolaj u detyrua të ikte, pasi rrjeti i mbrojtjes në Kosovë, nën Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme ishte dekonspiruar.

Anton Kolaj, ishte me gjasë i pari dhe i fundit ministër i Mbrojtjes në Kosovë, në vitet 1992-1994.

Sipas organizimit të institucioneve të Kosovës, për shkak se Qeveria dhe kryeminsitri i saj ishin në ekzil, në Gjermani, dhe disa nga ministrat nuk kishin mundësi t’i ushtronin kompetencat në Kosovë, organizimi ishte bërë ashtu, që për këta resorë, të ishte edhe nga një ministër brenda Kosovës, por sipas marrëveshjes detyrat e tyre do të ishin sekret shtetëror dhe nuk duhej të dinte askush.

Në këtë mënyrë edhe Anton Kolaj, nënkryetar i LDK-së, me propozim të akad.Fehmi Aganit e me miratim të presidentit Rugova ishte bërë Ministër i Mbrotjes, detyrë që do ta kryente deri në vitin 1994, kur tashmë i larguar nga Kosova kishte dhënë dorëheqje. “Në qershor të vitit 1994 ia kam dorëzuar dorëheqjen Rugovës në Tiranë”, thotë Kolaj. Për këtë akt vetë presidenti Rugova e kishte lutur, që të mos bëhej publike. “Mu ka lutë presidenti Rugova mos me e ba publike!”, thotë ai.

Sipas informacioneve, grupi i organizimit të Mbrojtjes ra, në vitin 1993, kur në mesin e të arrestuarëve ishte edhe Hajzer Hajzeri, atëherë ishte në detyrën e shefit të organizimit të Mbrojtjes, që në kuptimin ushtarak ai ishte Shef i Shtabit të Ushtrisë.

Anton Kolaj, përkatësisht angazhimi i tij ministër i Mbrojtjes citohet edhe në librin e përmendur më sipër “Thirrja e atdheut – Azili patriotik, luftrat në Ballkan” me autor, Paul Heckenos.

Ish policia e Kosovës, kishte shfrytëzuar të drejtën e organizimit sindikal, dhe nën këtë petk ishte bërë edhe organizimi kryesor i mbrojtjes, atë kohë.

Sidoqoftë hollësitë dhe informacionet për organizimin, detyrat, funksionimin e Ministrisë së Mbrojtjes, Anton Kolaj ka vendosur t’i rrëfejë në një kohë tjetër dhe në një mënyrë tjetër.

Anton Kolaj ka qenë mësimdhënës në Klinë, dhe që në vitin 1990 është zgjedhur anëtar i Kryesisë së LDK-së, ndërsa nga viti 1991 ishte njëri nga dy nënkryetarët, së bashku me Fehmi Aganin.

Po ashtu në vitin 1992 bëhet deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovë në zgjedhjet e mbajtura po atë vit.

Image

Foto nga zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale, 1991. Vendvotimi në Lakrishte: Presidenti Rugova me gruan Fanën dhe Anton Kolaj, djathtas

Në vazhdim intervista me z.Kolaj.

“Bota sot”: Z.Kolaj, ju keni qenë nënkryetar i LDK-së. Keni pasur bashkëpunim të ngushtë me presidentin Rugova. Si e vlerësoni sot figurën e tij, meqë ende jemi në ditët si të thuash të përkujtimit të Presidentit, jehona e të cilëve, flet vet për rëndësinë e personalitetit të tij?

A kanë mbetur ende gjëra me rëndësi të pathëna për veçantinë e personalitetit të Rugovës, dhe rezultatet e lëvizjes së tij dhe vetë ndikimit të tij?

Anton Kolaj: Kjo pyetje, edhe pas kaq vitesh të shkuarjës në amshim të Presidentit Rugova, mbetet interesante dhe vazhdimisht zgjon interesimin e opinionit publik shqiptarë si të atij në Kosovë dhe po ashtu edhe në mërgatën shqiptare, duke ringjallur, shpeshherë përplasje të akterëve të ndryshëm.

Dorën në zemër, opinoni ndërkombëtarë, për Presidentin Rugova ka një mendim të qartë dhe shumë pozitiv. Burrështetasit më të mëdhënjë botëror dhe miq të dëshmuar të kombit tonë, figurën e Presidentit Rugova e kanë vlerësuar në mënyrë shumë afirmative.

Në Kosovë, në disa media të shkruara dhe ato sociale, krahas vlerësimeve profesionale dhe reale, ende hasen dhe dëgjohen vlerësime të njëanshme, të pafaktuara, shumë emocionale dhe skajshmërisht të politizuara.

Duke i parë për së afërmi vlerësimët e gjerëtanishme për figurën e Presidentit Rugova në skenën shqiptare, mund të konstatohët se ato mund të grupohën si vijon:

a. Qëndrime dhe vlerësime objektive, faktografike dhe profesionale.

Këtu hyjnë të tillët, mendimtarë dhe opinionist që figurën e Ibrahim Rugovës dhe aktivitetin e tij shkencor, kulturor dhe politiko-shtetëror e vendosin në rrafshin kohë dhe hapësirë, pa e mitizu figurën e tij dhe pa i bërë lavdërime pa mbulesë.

b. Qëndrime dhe vlerësime subjektive, ideologjike dhe të njëanshme.

Të tillët opinionist dhe mendimtarë karakterizohen me analiza segmentare, shpesh me sharje dhe përçmime triviale. Bartësit e këtyre pikëpamjeve vuajnë nga miopia politike, nga sedra njerëzore dhe ngushtësia shprtërore, si dhe nga deficiti shkencor objektiv. Disa nga këta, zakonisht, Rugovën, së paku në ndërdijen e tyre, e urrejnë për shkak të orientimit të tij politik dhe strategjik properëndimor. Këtu, pëpos tjerash, hyjnë grupe ideologjike marksiste-leniniste të pareformuara, pastaj ideolog dhe eksponent të islamit politik, të cilët navigacionin të ecjës së kombit shqiptarë, pra edhe të Kosovës nuk e kanë Europën demokratike dhe SHBA-të, por politikën dhe kulturën orientale dhe atë të lindjës përgjithësisht.

c. Qëndrime dhe vlerësime glorifikuese, hyjnizuese

Të tillët figurën e Ibrahim Rugovës e shohin dhe e vlerësojnë në mënyrë shumë emocionale. Këta Ibrahim Rugoven thjesht e adhurojnë, e dojnë me zëmër, dhe e shohin si shpëtimtar të kombit dhe të Kosovës. Rugova është profeti i tyre, është emocioni i tyre. Kjo kategori, nuk e bënë këtë për përfitime politike dhe as financiare, por e bëjnë nga bindja e thëllë që e kanë për figurën e tij.

d. Qëndrime dhe vlerësime lavdëruese dinake

Në këtë grup simpatizantësh bëjnë pjesë profiter të ndryshëm politik, edhe nga LDK-ja, jo pak, që figura e Ibrahim Rugoves ju shërbën vetëm për përfitime të çastit, pra si një lloj trampoline, për përfitime politike apo privilegje të tjera.

“Bota sot”: Qëndrimi i Rugovës për mbrojtjen?

Kolaj: Si njeri që Presidentin Rugova kam patur rast ta njoh personalisht, duke qenë shumë afër tij, si nënkryetar i LDK-së (1991-1993), por edhe duke e përcjellur aktivitetin dhe kontributin e tij dhënë shkencës dhe më vonë si politikan dhe burrështetas, mund të them se kontributi i tij në studimet albanologjike, shkencore, në atë politike dhe shtetformuese është shumë i madh dhe shumë dimensional.

Ibrahim Rugova si politikan dhe udhëheqes i një Lëvizje të madhe të shqiptarëve të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi, ka dëshmuar, në mënyrë kostante një lidership sui generis, të pa parë dhe të pa provuar në hapësirat e Europës. Ai e donte lirinë dhe paqen. Neve na duhet ta ruajmë substancën tonë, thoshte shpesh Presidenti Rugova. Pa substancë (pa njerëz) atdheu mbetet histori, si Nishi, Toplica, Sanxhaku, Çamëria etj. E donte Kosovën me njerëz të saj. Ai ishte një paqësor që ecte me kujdes të madh kah liria dhe pavarësia e Kosovës. Si njohës i shkëlqyer i historisë dhe mentalitetit shqiptarë, si njohës i shkëlqyer i të kaluarës tonë, Rugova theksonte se pa miq nuk mbahet shtëpia dhe se vendi ynë si politikë dhe kulturë është në Europë dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të. Në këtë pikë, Ibrahim Rugovës historia i dha të drejtë.

Lufta, qëndrimi ndaj luftës etj., shpeshëherë, në të kaluarën, por edhe sot është përdorur dhe përdoret nga kundërshtarë politk të Ibrahim Rugovës, si mjet për kamxhikosje dhe gozhdim. Nocioni luftë nuk ishte i huaj për Ibrahim Rugoven. Ai kishte një qëndrim tjetër për të. Jo të “ futemi” në luftë e të shohim, por të përgatitemi mirë për të dhe gjithmonë në bashkëpunim të ngushtë me miqtë tanë. Por, Ibrahim Rugova u thoshte ithtarëve të luftës: mos folni, punoni!

– Kur një hërë në zyrë të Presidentit Rugova erdhën disa qytetarë për ta uruar atë (korrik 1992), përpos tjerash u hap edhe tema për luftën, dhe llafi u ndezë “allashqiptarqe”. Rugova, për t’i ulë gjakërat iu tha, me një mimikë dhe zë që rrallë e kisha parë dhe dëgjuar: “po kush ka më shumë se unë qejf, bre burra me nxjerrë hak”! Disa nga ju e dini se mua, sikur edhe shumë kujt tjetër, serbët ma kanë vrarë gjyshin dhe babën. Por, ne duhet të përgatitemi. Me sakica nuk bën të hyjmë në luftë… Shqipërinë e kemi ende të dobët…”!

Skena politike shqiptare, përgjithësisht, dhe ajo e Kosovës veçanarisht, gjerë më sot nuk njeh, një përsonalitet të tillë që ka rrezatuar një kulturë të urtë komunikuese ndërshqiptare dhe një orientim kaq konsistent kah vlerat identitare shqiptare dhe orientim pro perëndimor dhe pro SHBA-ve.

Urtësia në komunikim ishte veçori e Ibrahim Rugovës

Nëse analizojmë përsëafërmi skenën politike (komunikuese) në Shqipëri, Kosovë, në Maqedoni (te shqiptarët) në mërgatë et., lehtë vërejmë, për keqardhje, se sa mllef, shpifje dhe kërcënime dëgjohen dhe lexohen gjithandej, në parlament, në pozitë, në opozitë, në rrjete sociale, në debate etj. Gjithëkund. Kritika e shëndoshë dhe komunikimi i kulturuar drastikisht po zvetnohen! Rugova, anipse, jo rrallë, për të gjallë të tij, nga personalitete të ndryshme shqiptare, të mbular me petkun patriotik, u sha, bile shumë ulët, ai ruajti urtësinë e tij komunikuese dhe nuk ra në nivele të tilla. Ai thoshte: ky është mendimi i tyre. Ne duhet të ecim përpara!

Për fund: Është vështirë të përmblidhet në një fjali mendimi për figurën e Presidentit Rugova. Gjithmonë ka diçka për tu thënë!

Më duket se vlerësimi që Rugovës ia ka bërë At Zef Pllumi, e shpreh më së miri figurën e Ibrahim Rugovës: “u sha e u luftue nga serbët, u sha e u luftue nga shqiptarët, u sha e u luftue edhe nga kosovarët e vet, por ai kishte si drejtim vetëm vizionin europjan. Kje trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të shame, sepse ai ishte ma i dijtuni, e ma i urti i të gjithve”.

Dhe krejt në fund mund të them se do të ishte me dobi kuturore-shkencore që në katedra të fakulteteve shqiptare, në Kosovë dhe Shqipëri, në kuadër të temave kultura e komunikimit ndërnjerëzor të instalohen, aplikohen, së paku kollokiume ose uorkshope (punëtori) me temat rreth kontributit dhe stilit të komunikimit të Ibrahim Rugovës. Në këtë rrafsh, Ibrahim Rugova mund të quhet bartës dhe implementues i Shkollës së komunikimit joviolent te shqiptarët.

“Bota sot”: Si e shihni të ardhmen e Kosovës, zgjidhjen për Asociacionin dhe njohjen reciproke, që po e kërkon SHBA-ja?

Kolaj: E ardhmja e Kosovës varet prej shqiptarëve, prej lidershipit kulturor, atij shtetëror si dhe shoqërisë civile përgjithësisht.

Sipas mendimit tim, për kombin tonë, për shtetin e Kosovës, për lideshipin shtetëror dhe institucional, atë kulturor dhe fetar etj. nuk duhet të ketë dilema se nga duhet të shkoj autoudha jonë.

Kosova, Shqipëria dhe viset tjera ku jetojnë shqiptarët, si në Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë Lindore, duhet më shumë dhe më me përkushtim të dëshmojnë angazhimin e sinqertë për të ruajtur dhe afirmuar identitetin kombëtar, angazhimin për integrime ndërshqiptare, dhe sinqeritetin në bashkëpunim me SHBA-të.

Historia e pasluftës në Kosovë ka dëshmuar se ka pas (dhe ka) përpjekje që të rrënohet identiteti shqiptar, të legalizohet një kulturë dhe orientim politiko-kulturor, pro orientit dhe prolindor. Mbrapa këtyre përpjekjeve, si kalë Troje, qëndrojnë agjenda historike antishqiptare. Kjo i bën dëm të madh Kosovës dhe kombit tonë drejt rrugëtimit të tij për një shtet dhe vend dhe shoqëri të përparuar dhe të integruar në Europë!

Lidershipi politik dhe posaçërisht ai qeveritarë duhet të dëshmoj se është i zoti ta përmirësoj jetën ekonomike, të hapë perspektivën për të qëndruar në atdhe, të thithë dhe t’u ofrojë suport investitorëve të huaj, ti mbështesë ndërmarrjet vendore, ti menaxhoj më me sukses konfiktet e brendshme, të gjejë dhe instaloj pajtushmërinë ndërinstitucionale për tema të hapura siç është dialogu, asociacioni i komunave serbe etj.

Image

Më 1993, takim me bashkatdhetarë në Leonberg të Gjermanisë. Nga e majta: Anton Gj Kolaj, Hafiz Gagica, Presidenti dr. I.Rugova, dr.med. B. Bukoshi, Avini Spahiu, dhe prof.Isa Mustafa.

 

Aftësia dhe gatishmëria për të instaluar kulturën e akuzave dhe armiqësisë permanente ndaj njëri- tjetrit Kosovën do ta lë në vendnumërim!

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen e LDK-së sot?

Kolaj: LDK-ja, pas vdekjes së Presidentit Rugova, kuptueshëm se ka pasur, krahas rezultateve dhe dëshirës për të ecur përpara, turbulenca dhe dobësi të ndryshme, qofshin ato subjektive apo objektive.

Sidoqoftë, lidershipit aktual i mbetet, përpos tjerash që të ndërtojë dhe zhvillojë identitetin e vet menaxherial. Ndarja e fundit e ndodhur në LDK-ja, si rezultat i paaftësisë menaxheriale të lidershipit të atëhershëm (Isa – Vjosa), ishte humbje e madhe për LDK-në. Megjithatë, në teorinë e zgjidhjes së konflikteve thuhet se pas një krize mund të lindin opsione dhe energji të reja zhvillimore. Duhet kohë dhe përkushtim që stafi i tanishëm udhëheqës i LDK-së ta skanoj mirë gjendjen në struktura organizative të partisë dhe mbi bazën e një diagnoze profesionale të ndërmerren veprime të duhura.

Vetëm duke e lavdëruar Ibrahim Rugovën, ose sharë Isa Mustafën apo Vjosa Osmanin, LDK-ja nuk forcohet!

E rëndësishme është që të forcohet filozofia politike e Ibrahim Rugoves, së paku në kommunikimin e urtë, të mbrendshëm partiak, të dëgjohet me kujdes, pos tjerash zëri i anëtarësisë, por edhe oponenca latente, ose mendimi ndryshe mbrenda LDK-së.

Në planin ndërkombëtar, të mos iket dhe largohet, për asnjë moment, nga trashëgëmia historike rugoviane: orientimi europian dhe miqësi të përhershme me SHBA-të dhe vendet mike europiane!

“Bota sot”: Qeverisjen aktuale si e shihni?

Kolaj: Qeverisja aktuale do të ballafaqohët me sfida të ndryshme të ndërtimit të shtetit. Ani pse premtimi “për të qeverisë më mirë se të tjerët”, është i rëndësishëm, marrja e timonit ka sfidat tjera. Tani vlen ajo thënia e vjetër greke “këtu është Rodosi, këtu kërce”!

Është e ditur se me automatizëm nuk mund të zgjidhen problemet e shumta.

Ajo që më duket si një propagandë, e që nuk duhet të ndodhë, është formula magjike: “Kështu e kemi gjetur”, që kryeministri Kurti dhe Qeveria e tij shpesh e përdorë, duke u përpjekur që t’i arsyetojë pamundësitë për tu marr dhe ofruar zgjidhje për shumë probleme në Kosovë.

Diskrepanca në mes të pritjeve nga premtimet e dhëna dhe mospërmbushjes së tyre dita-ditës po thellohen, sikur që po thellohen edhe pakënaqësitë e shtresave të ndryshme qytetare!

Qeveritë e dobëta fajin zakonisht ia lënë opozitës, ndërsa opozita e dobët fajin ia hedhë pozitës.

Të shpresojmë se faji nuk do të mbetet jetim, dhe qytetari do të dijë të reagojë me kohë!

Image

Dëshmia edhe në librin anglisht se Anton Kolaj ishte bashkë-ministër i Mbrojtjes, 1991-1994

Image

Citimi i Anton Kolajt, si ishte bashkë-ministër i Mbrojtjes, 1991-1994, i cili e la Kosovën me urdhër të Rugovës, pasi rrezikohej të burgosej

 

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Aksident i rëndë në aksin Rrogozhinë-Peqin, 2 persona në gjendje të rëndë

Story i radhës

Vitaly Klitschko: Nëse Rusia sulmon Ukrainën, do të marr mitralozin dhe të nisem në luftë

Të fundit nga

Vuçiq ankohet pasi BE refuzoi…

Presidenti i Serbisë është viktimizuar pas njoftimit se BE ka refuzuar hapjen e kapitullit të tretë të negociatave me Beogradin. Gjatë një paraqitje të tij në RTS, Vuçiq ka përmendur zotin dhe

Një seri e re e Gran Turismo

Krijuesi i videolojërave Polyphony Digital po prezanton një përsëritje të re të “The Real Driving Simulator” të quajtur My First Grand Turismo, i projektuar për të gjitha llojet e lojtarëve “pa kufij

Barcelona siguron futbollistin gjerman

Qendërmbrojtësi i Bajer Leverkusenit, Xhonatan Tah do të jetë pjesë e Barcelonës në merkaton e verës. Ky lajm është raportuar nga mediat e huaja. Duket se palët kanë arritur marrëveshjen dhe gjermani
ShkoLartë