Intervistë me Konsullin e Republikës së Kosovës në Austri, z. Mag. Isa Kosumi

March 16, 2022
min lexim

Posa kisha ardhur unë në mërgim, kam pasur rastin të njihem për herë të parë me zyrtarin z. Isa Kosumi në Zyrën e Migrantëve të Shoqatës „Migrare“, AK në Linz të Austrisë i cili punonte si zyrtar konsultimesh për të drejtat e migrantëve në Austrinë e Epërme në Linz, Wels dhe Aschach. Mua më pati lënë shumë përshtypje të një burri të matur, të vendosur dhe i gatshëm që të ndihmonte çdo shqiptar. Më vonë kam pasur shumë herë biseda dhe takime spontane, si dhe si dëshmitar i kohës konsideroj se si intelektual i mirëfilltë z. Kosumi ka lënë gjurmë për kulturen shqiptare në Austri dhe më vonë si Konsull i Republikës së Kosovës që ka punuar pandërprerë në çdo fushë për të ngritur vendin tonë më lartë, e poashtu që studentët, punëtorët, gratë apo pleqtë etj. të gëzojnë të drejtat e tyre konformë ligjit në Austri si dhe anasjelltas. Për revistën tonë ne morëm një intervistë ashtu që të dimë më shumë për Konsullin e Republikës së Kosovës në Vjenë të Austrisë.

A mund të na flisni me pak fjalë për biografinë tuaj, shkollimin, peripetitë gjatë studimeve, vazhdimin profesional, kur keni filluar me punën dhe cilat janë përvojat e juaja?

Fillimisht ju përshëndes dhe ju falënderoj për këtë intervistë, z. Rexha. Unë jam lindur më 1961, në fshatin Tygjec, komuna e Kamenicës. Aty kam kryer shkollën fillore dhe shkollën e mesme, ndersa kam vazhduar Fakultetin Ekonomik në Prishtinë ku edhe kam magjistruar në shkencat ekonomike. Jam i martuar me znj. Rafete Kosumi, aktiviste dhe arsimtare e gjuhës shqipe në Wels të Austrisë dhe kemi tre djem. Familja ime është e njohur për kontributin atdhetar, si familje përndjekur e burgosur dhe e persekutuar per dekada të tëra. Dhe po nga represioni i eger serb që ushtronte mbi mua dhe familjen time isha i detyruar në vitin 1992 të largohem nga Kosova së bashku me bashkëshorten dhe të emigroj në Austri, ku jetoj dhe punoj edhe sot. Si magjister i shkencave ekonomike, kam edhe një varg punimesh shkencore, jam aktiv në shumë seminare, me projekte të kryera. Nga viti 2009, i takoj plejadës së parë të diplomatëve të Republikës së Kosovës, në fillim si Zv. Konsull i akredituar në Vjenë – Austri (2009 – 2013), në mandatin tjeter nga viti (2013-2015) jam transferu në Ambasaden e Kosovës në Bernë të Zvicrës si Konsull dhe Udhëheqës i shërbimit konsullor. Më vonë nga (viti 2015-2018) kam qenë i punësuar Ministrinë për Punë të Jashtme në Prishtinë si Zyrtar i Lartë për Viza dhe tani, prej vitit 2018, kryej detyrën si Këshilltar dhe Konsull në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri si dhe Udhëheqës i Shërbimit Konsullor.

Çfarë plani ka Ambasada e Kosovës në bashkëpunimin ekonomik në mes të  Kosovës dhe Austrisë?

Ambasada e RKS në Vjene, ka bashkëpunim shumë të afërt në planin ekonomik në mes të Kosovës dhe Austrisë, ka shumë agjenda dhe vizita të delegacioneve shtetërore të Kosovës në Austri dhe të Austrisë në Kosovë. Kemi dërguar ndihma në pajisje për shiqim në vlerë të konsideruar, në QKUK, kemi dërguar karroca për invalidë përmes KFORIT Austriak nga Graci, donacion i shoqatave nga Graci, nga Salzburgu si dhe ndihma tjera si ndermjetësues në disa komuna të Kosovës. Agjenda ekonomike është prioritet i lartë i Ambasades në Vjene, gjatë ketij viti pritet të ketë edhe forum ekonomik ne mes dy vendeve që do të mbahet gjatë muajit Prill në Kosovë. Tërheqja e investitorëve nga diaspora sidomos nga bashkatdhetarët tanë dhe nga shteti austriak dhe kthimi i trurit, janë një nga detyrat parësore për të tërhequr bizneset austriake dhe bashkatdhetarët që të investojnë në Kosovë. Mërgata përpiqet të kontribojë financiarisht për familjet në vendlindje dhe në aspekte të tjera, prandaj konsullata përpiqet që duke krijuar kushte lehtësuse, lidhje, takime, ta përmirësoj shërbimin sa më cilësor që u ofron shtetasve të saj.

Çfarë bashkëpunimi keni me ambasadat e shteteve të tjera në Vjenë  dhe cili është roli i juaj në këtë bashkëpunim?

Takimet të tilla pune kemi zhvilluar dhe e kemi prioritet në planin dhe programin tonë të punës me ambasada dhe konsullata si motra në Vjenë – Austri, nga takimet e përbashkëta me rastin e festave shtetërore, bashkëpunim në sferen e shërbimit konsullor duke i shkëmbyer praktikat e disa vendeve tona fqinj, si me shtetin amë, Ambasaden e Shqipërisë, të Kroacisë, Maqedonisë së Veriut, Gjermanisë, Malit të Zi, Bullgarisë, si dhe Ambasada të tjera nga vendet mike si nga rajoni dhe më gjerë.

A keni komunikuar me Ambasadat e shteteve të Europes që nuk e njohin Kosovën?  

Komunikimi me shtetet e Europes të cilat ende nuk e kanë njohur Pavarësinë e Republikës së Kosovës mund të bëhët në mënyrë direkte dhe indirekte. Në mënyrë direkte kontaktet me homologet e këtyre shteteve është sado pak më i vështirësuar për arsyje të rrethanave dhe gjendjes momentale, ndërsa takimi indirekt zhvillohet me lehtësi në evenimente, përvjetore, takime ceremoniale shtetërore dhe takime me homolog të rangut të njejtë, zhvillohet dhe mund të jep shumë rezultate pozitive.

Cilat janë problemet më të mëdha që i hasni në postin e konsullit?

Në karrieren time diplomatike dhe konsullore jam shumë fleksibil në shërbim të bashkatdhetarëve dhe është knaqësi dhe pasion i shpirtit tim që më bën shumë krenar të iu ndihmoj atyre, që ata të pajisen me dokumentet të cilat i kërkojnë apo të iu dal në ndihmë me punë të tjera. Por ka raste në të cilat ballafaqohem direkt me to, kurse kushtet objektive nuk lejojnë kryerjen e tyre, atëherë ndihem keq. Disa nga këto probleme për të cilat kemi intervenuar te zyrtarët austriak janë:

Njohja zyrtare e Patentë Shoferit të Republikës së Kosovës nga shteti Austriak, ku dënimet për mosnjohjen e Patentë shoferëve nga qytetarët kosovar me qëndrim të përkohshëm apo transit janë të larta, sidomos për ata qytetarë që nuk janë të informuar dhe në kufi  gjobiten dhe kthehen prapa. Njohja dhe pranimi i dokumentacionit të GJC në tërë teritorin e shtetit Austriak si: Certifikatat e Lindjes, Martesës, Shtetësisë, Penalitetit etj,  sepse në pjesën dërmuese të kantoneve nuk njihen, njohja dhe pranimi i vendimeve mbi lirimin nga shtetësia e Kosovës qytetarëve të cilët aplikojnë në Ambasadë dhe marrin edhe vendimin shtesë lëshuar nga Ambasada me vulë, nënshkrim dhe nr. protokolli. Kemi rast të freskët kur pas 6 muajsh të lëshimit shtetësie, autoritetet kerkojnë prap që vendimi të legalizohet! Ka raste kur autoritetet austriake si (Vjenë) krahas vendimit për lirim nga shtetësia e Republikës së Kosovës, qytetarëve tanë u kërkojnë edhe vendim nga lirimi i shtetësisë serbe. Mos pranimi i vulës apostile të Republikës së Kosovës nga shteti i Austrisë është gjithashtu një problem. Çdo student duhet gjitha dokumentat t‘ i vulosë në Ambasaden e Austrisë në Prishtinë dhe një vulosje kushton tetëdhjetë €. Ne kemi kërkuar gjithashtu që të shkurtohet koha e pritjes kur qytetarët tanë të cilët kanë hjek dorë nga shtetësia e Kosovës deri sa të pajisen me pasaportë Austriake, kohë kjo e cila po u shkakton probleme atyre që kan mbetë “Pa shtet “, Lëshuarja në përdorim e vulosjes apostile (legalizime) në ambasadë (shërbimin konsullor) shërbim ky për të cilin kemi kërkesa të jashtëzakonshme, edhe pse vulat i kemi në sirtarë të gatshme.

A mund të flisni për zgjedhjet politike në Kosovë dhe ndrrimin e ambasadorvë të Kosovës në disa vende të botës?

Si zyrtrar publik (diplomat karriere) nuk mund të dalë jashtë kompetencave të mia si diplomat, prandaj flas vetëm në veten e parë dhe për gradat të një barazvlere. Në mbështetje të dispozitave ligjore përcaktuese të kohëzgjatjes së mandatit në një mision diplomatik apo konsullor dhe në përputhje me parimet e përgjithshme të rotacionit proporcional, pas mandatit 4 vjeçar kthimi në Ministri të Punëve të Jashtme dhe të Diasporës është shumë normale dhe e perceptueshme. Zyrtarët e Kosovës në ambasada, konsullata dhe në ministri në fund të fundit e kanë shef ligjin dhe sovranin, pra qytetarin e Republikës së Kosovës, atë që jeton brenda por edhe jashtë vendit. Kush nuk e kupton këtë parim bazë, në mënyrë direkte ndeshet me sanksione.

Çfarë bashkëpunimi ka Ambasada e Kosovës me shoqatat shqiptare në Austri si dhe me Shoqatën e Mësuesve „Naim Frashëri“ me seli në Vjenë?

Në dy vitet e fundit jemi dëshmitar të një pandemia famëkeqe COVID -19, i cili ka penguar dhe dobësuar në masë të madhe punën tonë bashkëpunuese dhe mbeshtetëse me shoqata. Me shoqatën e Mësuesëve „Naim Frashëri“, Ambasada ka një bashkëpunim shumë të afërt si përhere. Aktiviteti i fundit ka qenë organizimi i vizites së nxënësve shqiptarë në Ambasadë, ku nxënësit shqiptarë recituan disa poezi, ishte aktivitet në kuadër te përvjetorit të 14- të të Pavarësisë së Kosovës. Aktivitet tjetër ishte edhe konkursi i recitimit me pjesëmarrje të nxënësve nga Austria, Kroacia, Anglia dhe Landi i Bajernit nga Gjermania. Këto organizime bëhën në bashkëpunim mes shoqatave të mësuesve në diasporë dhe me mbështetjen e Ambasadës së RKS në Vjenë, në të ardhmen priten të ketë edhe ngjarje të tjera, me qëllim që fëmijët shqiptar te ruajnë kulturën, gjuhën dhe traditen vendore në pergjithësi. Në aspektin e angazhimit të nxënësve në përfshirje të mësimnxënie dhe bashkëpunim intern me trekëndëshin prindër, mësues, nxënës dhe marrëdhënia prind-mësues, është çelësi i suksesit të fëmijës. Ky angazhim i shenjtë në këtë drejtim, në të ardhmën, lë për të dëshiruar!

Cili është plani i juaj për të ardhmen?

Të vazhdoj punën në mënyrë dinjitoze si diplomat karriere, duke u dalë në ndihmë bashkatdhetarëve tanë. Të drejtoj me shumë përgjegjësi, dinjitet dhe konsekuencë ndonjëren nga Ambasadat apo Konsullatat tona të akredituara jashtë vendit. Të përfaqësoj dhe mbrojë interesat e shtetit tim karshi vendit të akredituar, si dhe të jem gjithëmonë në mbrojtje të interesave më vitale të Republikës së Kosovës duke krijuar ura ndërlidhëse përmes metodave njerëzore, ekonomike, kulturore dhe diplomatike me të gjitha shtetët e botës.

Përvoja ime mbi 13 vjeçare në shërbimin diplomatik të Kosovës është një dëshmi dhe përgjegjësi reale, pasqyrë e kontributit, vullnetit dhe aspiratave të mia në vazhdimësi…!

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Del imazhi satelitor: Në teatrin që u bombardua u sinjalizua në gjuhën ruse se kishte fëmijë

Story i radhës

Kapen 36 tonë mish i skaduar, flet pronari

Të fundit nga

ShkoLartë