Një nga emrat më premtues të kickboksit nga Tetova, Albin Pajaziti, rrëfen rrugëtimin e tij në sportet luftarake, sfidat, sakrificat dhe ambiciet për të ardhmen. Në këtë intervistë, ai flet hapur për momentet më të vështira, mungesën e mbështetjes dhe dëshirën për t’u rikthyer edhe më i fortë në arenën ndërkombëtare. Albin Pajaziti mbetet një shembull i përkushtimit dhe këmbënguljes në sport, duke dëshmuar se rruga drejt suksesit nuk është e lehtë, por është e mundur për ata që nuk dorëzohen.

Si filloi rruga jote në kickboks dhe çfarë të shtyu të hysh në sportet luftarake?
Për herë të parë kickboksin e provova në vitet 2007–2008, por në sytë e prindërve ishte një sport shumë i ashpër. Si përfundim, opsioni i vetëm për një sport luftarak nga ana e tyre ishte karateja. Fillova me karate dhe u stërvita rreth 7 vite, ku arrita edhe brezin e kaltër. Por gjatë gjithë kohës, shpirti im kërkonte diçka më agresive, më të ashpër – dhe më pas mora vetë vendimin të merrem me kickboks.
Çfarë do të thotë për ty të jesh kampion i Maqedonisë dhe sa punë fshihet pas këtij titulli?
Të jesh kampion i Maqedonisë për mua si shqiptar është një emocion i madh. Sepse përfaqësoj qytetin tim dhe kombin në mënyrën më të mirë të mundshme. Por pas këtij titulli fshihet punë e jashtëzakonshme: stërvitje të forta, sparingje të shumta, sakrifica dhe largim nga shumë gjëra të jetës së përditshme.
Cili ka qenë momenti më i vështirë në karrierën tënde deri tani dhe si e ke kaluar?
Momenti më i vështirë ka qenë ndeshja në Lituani, në një nga organizatat më të forta në botë. Edhe pse tregova qëndrueshmëri pas shumë lëndimeve që nga raundi i parë kundër një kundërshtari elitar, nuk munda të tregoj maksimumin tim. Ishte një periudhë e vështirë për mua për shkak të sëmundjes së njërit prind, gjendjes emocionale, balancimit të punës me stërvitjen dhe mungesës së mbështetjes – si nga kompanitë, ashtu edhe nga institucionet. Nuk kisha as kushte adekuate dhe as sparing partnerë të nivelit të duhur. Megjithatë, krenohem me nivelin ku kam arritur.
A ka pasur ndonjë ndeshje që e konsideron “pikë kthese” në karrierën tënde?
Po, dita e kampionatit ku zhvillova dy ndeshje brenda një dite. Të parën e fitova bindshëm me 3:0 në raunde, ndërsa të dytën me TKO pas disa orësh. Aty u ndez sërish ai “zjarr” për suksese të reja. Tani jam në fazë rikuperimi dhe besoj se do të rikthehem edhe më i fortë.

Si është një ditë stërvitjeje për ty kur përgatitesh për një meç?
Dita fillon zakonisht në mëngjes me vrapime aerobike. Gjatë ditës kujdesem për ushqimin – proteina dhe karbohidrate për energji. Ndërsa në mbrëmje fokusimi është në teknikë, forcë, lëvizje dhe çdo element të nevojshëm për një luftë.
Kush kanë qenë inspirimet e tua në këtë sport?
Për mua gjithmonë inspirim ka qenë Badr Hari, për shkak të stilit të tij agresiv.
Sa e rëndësishme është për ty përfaqësimi i Tetovës në arenën sportive?
Është shumë e rëndësishme. Dua t’u tregoj të gjithëve se fatin e krijojmë vetë me punë të palodhshme. Pa marrë parasysh nëse ke apo jo përkrahje, vendosmëria dhe mosdorëzimi janë çelësi. Përfaqësimi i Tetovës më bën krenar, sepse është një qytet me histori dhe traditë trimërie.

A mendon se sportet luftarake në Maqedoni kanë mbështetjen e duhur për talentët e rinj?
Jo, sidomos kickboksi nuk ka mbështetjen e duhur. Garuesit përballen me shpenzime të mëdha – ushqim, stërvitje, përgatitje – dhe mungon përkrahja e nevojshme për zhvillim.
Cili është objektivi yt i radhës?
Objektivi im i radhës është të marr pjesë përsëri në UTMA dhe ta dëshmoj veten në një nivel edhe më të lartë.
Çfarë mesazhi do t’u jepje të rinjve që hezitojnë të fillojnë?
“ONE DAY OR DAY ONE.” Një fjali që nuk ka nevojë për shpjegim.


