Është për të ardhur keq të shihet se si BDI po përpëlitet në baltën e vet. Për 20 vjet me radhë ishte pjesë e pushtetit, herë me LSDM-në e herë me VMRO-DPMNE-në, por përtej populizmit bosh, të ashtuquajturat arritje të tyre për shqiptarët nuk patën kurrëfarë peshe reale politike.
Tani po dalin në shesh të gjitha manipulimet e tyre. Në vend që në mënyrë sistematike dhe afatgjatë të zgjidhnin çështjet për të drejtat e shqiptarëve, ata na lanë trashëgimi mjete të mangëta e gjysmake, që në thelb shërbyen vetëm si mbulesë për pasurimin kriminal të funksionarëve të BDI-së.
Është ofenduese dhe tepër e ulët teza se Marrëveshja e Ohrit respektohet, rruga evropiane ecën përpara dhe partneriteti strategjik me SHBA-të ruhet vetëm kur BDI është partneri kujdestar i qeverisë. Ky narrativ është një përpjekje dëshpëruese e Ahmetit për të mbetur politikisht relevant.
Paralelisht, po e ndjek edhe frika nga dëshmia e Artan Grubit, i cili si kutia e zezë e BDI-s mban peng të paktën pesë funksionarë aktualë partiakë. Për këtë nënçmim të inteligjencës së shqiptarëve dhe për këtë mashtrim të gjatë, BDI e pagoi çmimin në zgjedhjet lokale, por duket se ende nuk është mbushur mend.
VLEN po jep një leksion të vërtetë se si trajtohen dhe zgjidhen çështjet me interes të lartë për shqiptarët.


