Intervista e parë e Ambasadorit Hovenier: I takon Qeverisë së Kosovës të vendos se në çfarë forme do të themelohet Asociacioni

January 27, 2022
min lexim

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, mbrëmë ka dhënë intervistën e parë të tij që nga ardhja në Prishtinë, ku ka folur për çështjen e dialogut me Serbinë, Asociacionin e Komunave me shumicë serbe e gazsjellësin.

Hovenier tha se ardhja e tij në Prishtinë është indikator shtesë se ShBA-ja është e interesuar që dialogu të zhvillohet dhe ripërsëriti qëndrimin se ShBA-ja beson që dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai foli edhe për çështjen e Asociacionit dhe u shpreh se një Republika Srpska në Kosovë s’është e dobishme por ai shtoi se duhet të ketë Asociacion por se në çfarë forme duhet të themelohet i takon qeverisë së Kosovës.

Intervista e plotë:

(RTK): Z. Hovenier, është kënaqësi që ju kemi në emisionin tonë, RTK Prime.

Ambasadori Hovenier (AMB): Ju faleminderit shumë. Jam më se i lumtur që jam këtu.

RTK: Ju faleminderit edhe njëherë. Në ditët e para të punës suaj në Kosovë u takuat me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës? Cilat janë përshtypjet tuaja?

Ambasadori Hovenier: Ishte ditë dhe javë e parë e hatashme.  Së pari, më lejoni të them çfarë nderi është për mua personalisht — dhe për vendin tim – por, për mua që të vij këtu dhe të shërbej si ambasador amerikan në Kosovë. Siç mund ta dini, kam punuar në çështjet e Kosovës përgjatë karrierës dhe u ndjeva edhe i nderuar edhe i privilegjuar që u ktheva në këtë cilësi.

RTK: Ju e njihni Kosovën shumë mirë sepse keni qenë në Konferencën e Paqes në Rambuje dhe pastaj në negociatat për statusin final të Kosovës në Vjenë.  Si e shihni Kosovën pas kaq shumë vitesh?

Ambasadori Hovenier: Ka qenë privilegj. Siç e theksuat edhe ju, kam filluar të punoj në çështjen e Kosovës në fund të 1990-ve. Isha pjesë e delegacionit tonë në Rambuje, kam punuar me Marti Ahtisarin, si dhe kam punuar në çështjen e Kosovës në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratës së Obama-s.  Dhe jam i mahnitur nga gjithë ky përparim. E kam thënë në disa mënyra të ndryshme, përfshirë edhe gjatë dëshmisë para Senatit, kur Senati po e shqyrtonte emërimin tim për të shërbyer si ambasador, që besoj se ajo që populli i Kosovës e ka arritur është e jashtëzakonshme.  Muajin e ardhshëm, Kosova feston 14-vjetorin e pavarësisë dhe unë mendoj se ajo që populli i Kosovës ka arritur në këta 14 vjet është e jashtëzakonshme.  Ka ende punë për të bërë dhe kjo ishte pjesë e bisedave të mia me udhëheqjen gjatë ditëve të para, kur pata rastin që t’i dëgjoj prioritetet e tyre. Më vjen mirë që mund ta them se e ndjej që prioritetet tona janë shumë të përafërta dhe gjërat që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshirojnë t’i arrijnë me dhe për Kosovën janë të njëjtat gjërat që ata duan ti arrijnë për vendin e tyre.

RTK: A ka ndodhur vërtetë një mrekulli siç e keni thënë, z. ambasador?

Ambasadori Hovenier: Mendoj se është mrekulli. Nëse mendoni para 20 viteve dhe mendoni për statusin e kësaj pjese të botës dhe mendoni se çka po ndodh tani: një vend që është i pavarur dhe sovran, vend që po punon me mund për të përmirësuar ekonominë për qytetarët e saj, vend që ka krijuar institucione të sundimit të ligjit.  Ju e dini më mirë se unë, nëse i mendoni mundësitë që vetëm para pak viteve dikush i ka pasur për të qenë zyrtar i zbatimit të ligjit, gjykatës apo prokuror…  Shikoni se çka është e mundur tani, e shikoni sistemin e sundimit të ligjit, sistemin e zbatimit të ligjit apo forcat e sigurisë apo organizatat e shoqërisë civile dhe krejt çka kanë arritur.  Mendoj se është mrekulli.  Por, ende ka punë që kjo mrekulli të ecë përpara.  Ka ende punë për ta parë këtë vend gjithnjë e më shumë duke e zënë vendin e saj të merituar si vend sovran dhe i pavarur që ofron shërbime për të gjithë qytetarët e saj.

RTK: Z. ambasador, para se të flasim për çështjet e tjera, dëshiroj t’ju pyes për referendumin në Serbi, i cili nuk u lejua të mbahet në Kosovë. Z. ambasador, përse kërkuat që të lejohet mbajtja e tij në Kosovë?

Ambasadori Hovenier: Siç e kemi thënë publikisht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tanë besojnë që është e përshtatshme që qytetarët me të drejtë vote – në këtë rast në zgjedhjet e Serbisë – të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën për të bërë këtë.  Qartazi, këto janë çështje të ndjeshme në Kosovë dhe për vite, bashkësia ndërkombëtare ka punuar me autoritetet e atëhershme të Kosovës për të ardhur te një aranzhim që do të lejonte votimin në Kosovë të njerëzve me të drejtë vote në Serbi.  Ka pasur paksa keqkuptim se çka njëmend ka bërë Misioni i OSBE-së sepse në të vërtetë ata kanë organizuar apo lehtësuar zgjedhjet, jo vetëm duke i bartur fletëvotimet, por vërtetë duke siguruar mbajtje të rregullt të zgjedhjeve në mënyrë të tillë që ishte e pranueshme për qeverinë e atëhershme të Kosovës.  Megjithëkëtë, qëndrimi i SHBA-së për këtë është i qartë: Kosova është shtet sovran.  Kosova ka të drejtë të caktojë se me çfarë kushtesh mund të mbahen zgjedhjet e vendeve të tjera në territorin e Kosovës.  E kuptojmë dhe e mbështesim këtë. Patëm shpresuar që qeveria e Kosovës të vazhdonte me të njëjtin aranzhim, i cili ne nuk besonim që përbënte kërcënim për sovranitetin e vendit — kjo nuk është kontestuese dhe absolutisht është vërtetuar nga SHBA-ja dhe partnerët tanë — me shpresë që ata njerëz të lejoheshin të ushtronin mundësinë e tyre për të votuar edhe në zgjedhjet serbe.

RTK: Serbia do të mbajë zgjedhje në prill.  Cili do të jetë qëndrimi amerikan nëse kërkohet të lejohet mbajtja e tyre në Kosovë?

Ambasadori Hovenier: Mendoj se qëndrimi amerikan do të vazhdojë të jetë ai që ka qenë: që do të duam të punojmë me qeverinë e Kosovës për të gjetur mundësinë, të pranueshëm për qeverinë e Kosovës, por që gjithashtu mundëson që individët në Kosovë të mund të votojnë nëse e kanë atë të drejtë.

RTK: Z. ambasador, keni thënë që do t’i përkushtoheni forcimit të lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së.  Si janë marrëdhëniet ndërmjet ShBA-së dhe Kosovës momentalisht?

Ambasadori Hovenier: Mendoj se marrëdhëniet ndërmjet ShBA-së dhe Kosovës momentalisht janë mjaft të mira.  Dua të them, siç e dini më mirë se unë, Kosova është ndoshta vendi më pro-amerikan në këtë pjesë të botës, nëse jo edhe në tërë botën.  Dhe në aspektin personal, kam pranuar vetëm shprehje të mirëseardhjes dhe vlerësimit prej që kam ardhur për të shërbyer si ambasador.  Kemi punë të rëndësishme për të bërë — së bashku.  Shtetet e Bashkuara ndjejnë shumë fuqishëm se procesi që Kosova gjithnjë e më shumë e zë vendin e saj duhet të shkojë përpara.  Qeveria dhe populli i Kosovës pajtohen me këtë.  Ne jemi të përkushtuar për të punuar me partnerët tanë kosovarë që kjo të ndodhë.  E mendoj se kjo gjë është ndër prioritetet kryesore të kësaj qeverie; kjo gjithashtu është shenjë e mirë për bashkëpunimin tonë.

RTK: Jeni ambasadori i parë i ShBA-së që mori pjesë në ceremoninë për masakrën në Reçak.  Çfarë porosie përçon kjo?

Ambasadori Hovenier: Mendova se ishte e rëndësishme të isha aty. Siç e përmenda në fjalimin tim, e mbaj në mend atë ngjarje mjaft mirë.  Atë kohë isha në misionin e OSBE-së si zyrtari përgjegjës për çështjet e Kosovës dhe për arsye të punës, isha në kontakt të ngushtë me Ëilliam Ëalker, një diplomat amerikan, që atë kohë kryesonte Misionin Verifikues të Kosovës të OSBE-së.  Prandaj, e mbaj në mend shumë mirë edhe ngjarjen edhe tmerrin e ambasadorit Ëalker se çfarë kishte parë.  Kur presidentja Osmani më pyeti nëse do të dëshiroja të merrja pjesë dhe të mbaja fjalim, përgjigja ime ishte e menjëhershme.  Shtetet e Bashkuara besojnë shumë fuqimisht se duhet ta shohim të kaluarën në mënyrë të qartë.  Unë dhe qeveria ime jemi të shqetësuar nga përpjekjet e disave që kërkojnë ta rishikojnë apo denigrojnë historinë, realitetin e asaj çfarë ka ndodhur.  Mendova se ishte çast i rëndësishëm për të vërtetuar si ne e kuptojmë atë çfarë ka ndodhur dhe çka do të thotë ajo.

RTK: Por ju e dini çka thotë udhëheqësia në Serbi për masakrën e Reçakut?

Ambasadori Hovenier: Jam i vetëdijshëm për pikëpamjet e disave, por pikëpamja e Shteteve të Bashkuara për atë çfarë ka ndodhur është e qartë dhe e bazuar në fakte.

RTK: Le të flasim për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sepse shumë njerëz në Kosovë ardhjen tuaj këtu e shohin si një hap përpara drejt marrëveshjes Kosovë-Serbi.  A është reale që ta shohim ashtu?

Ambasadori Hovenier: Mendoj se tashmë është bërë shumë punë dhe mendoj se ende mbetet shumë punë për të bërë.  Dhe po, mund ta merrni ardhjen time këtu si indikator shtesë për interesimin e SHBA-së për t’ju ndihmuar partnerëve tanë në Kosovë dhe për t’ju ndihmuar autoriteteve në Serbi për të arritur një marrëveshje për normalizim.  SHBA-ja beson se kjo duhet të jetë një marrëveshje gjithëpërfshirëse e përqendruar në njohjen e ndërsjellë.  Unë do të punoj për këtë. Mendoj se mund të shihni shenja që edhe partnerët tanë evropianë po bëjnë çdo përpjekje në këtë dialog të lehtësuar nga BE-ja për të arritur përparim.

RTK: Po thoni që edhe ju e keni të njëjtin qëllim për procesin e dialogut si BE-ja?

Ambasadori Hovenier: Mendoj se e kemi pasur të njëjtin qëllim si BE-ja për këtë proces prej fillimit, e ai është që të shohim Kosovën duke e zënë vendin e vet në bashkësinë e vendeve.  Sovraniteti i Kosovës, integriteti territorial i Kosovës, këto çështje nuk janë në pyetje.  Ato janë të vendosura.

RTK: Për ShBA-në?

Ambasadori Hovenier: Do të thosha që këto janë fakte historike.  Kosova është shtet i pavarur.  Disa njerëz mund të zgjedhin ta kundërshtojnë këtë, por kështu është.  Kosova është shtet sovran.  Disa njerëz mund të zgjedhin ta kundërshtojnë këtë, por kështu është.  Dhe njerëzit mund të debatojnë sa të duan, por realiteti, faktet në terren, flasin vetë.  Sfida në dialog është që të arrihet një aranzhim i tillë që të arrihet ky normalizim, kjo marrëveshje për normalizim [të marrëdhënieve] dhe siç e thashë, nga pikëpamja e SHBA-së, duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë.

RTK: Në Kosovë është vështirë që të besohet se mund të ketë marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së.  A ka ndonjë gjasë që të ketë Të dërguar të posaçëm të SHBA-ve në këtë proces?

Ambasadori Hovenier: Përgjigja ime për këtë do të ishte që ky është dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me shumë ndihmë nga të tjerët.  Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë aktive dhe në mbështetje të këtij dialogu.  Ne besojmë që është e duhur që lehtësohet nga BE-ja.  Kjo assesi nuk duhet të kuptohet si tërheqje të Amerikës nga roli udhëheqës.  Gjithashtu është pranim i realiteti që trajektorja afatgjatë e Serbisë dhe trajektorja afatgjatë e Kosovës janë në Evropë.  Ne besojmë që është e drejtë që BE-ja është lehtësuese e këtij dialogu meqenëse ka mundësinë që të ofrojë stimujt për të arritur te kjo marrëveshje për normalizim.

RTK: Shumë njerëz thonë se me juve këtu në Kosovë, z. Chris Hill në Beograd, Serbi dhe z. Eskobar për Ballkanin do të shohim dinamikë të re në këtë proces.

Ambasadori Hovenier: Mendoj se është e drejtë të thuhet që do të shihni… ka pasur angazhim të fuqishëm amerikan në të kaluarën, por mendoj gjithashtu mund të thuhet se do të shihni angazhim të fuqishëm amerikan tani.  Do të ishte vështirë të gjesh që di më shumë për këto çështje dhe historikun e këtyre çështjeve se sa Chris Hill-i.  Pres me padurim dhe shpresoj që Senati ta konfirmojë së shpejti.  Edhe unë kam ca përvojë, si dhe natyrisht me Gabe Escobar, i cili është emëruar I dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, keni dikë që ka përvojë të madhe – në rajon dhe si diplomat.  Duam ta çojmë këtë çështje përpara dhe mendoj se kemi qenë të qartë për këtë.

RTK: Por, një çështje e ndërlikuar është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.  Si mund të gjendet zgjidhje për këtë?

Ambasadori Hovenier: Kjo është një pyetje interesante dhe është çështje e pazgjidhur qe sa kohë në këtë bisedë.  Më kujtohet kur u përmend për herë të parë kjo çështje – nga koha e bisedimeve për status nën presidentin Ahtisari – dhe e pata nderin dhe kënaqësinë t’i udhëhiqja negociatat për aranzhimet që do të mbronin komunitetet etnike në Kosovë.  Pra, kjo u përmend për herë të parë atje, kjo ide që të ketë një Asociacion të komunave me shumicë serbe.  Dhe nëse e shqyrtoni Shtojcën 3 të Planit të Ahtisaari, në të ka madje shenja për diçka të tillë, një lloj entiteti të komunave, të cilave iu jepen funksione shumë specifike përmes decentralizimit – më shumë kompetenca sesa që komunat zakonisht kanë për shkak të shqetësimit të disa komuniteteve të caktuara që dëshironin të kenë qeverisje në nivel lokal, që të kenë mundësi për t’u koordinuar, për t’i shkëmbyer praktikat më të mira, për të pasur trajnime të përbashkëta dhe për të shkëmbyer përvojat.  Çështja se çka do të ishte është çështje për qeverinë e Kosovës.  Do të thosha se madje edhe atëherë, në kohën e Ahtisaarit, askush nuk kishte në mendje diçka që do të kishte një shtresë tjetër të qeverisë, diçka me funksione ekzekutive, diçka që… jam i vetëdijshëm për shqetësimet për një Republika Sërpska tjetër.  Askush nuk është i interesuar për këtë.  Kjo nuk i ndihmon Kosovës.  Nuk është e dobishme.  Por, ka disa përfitime sa i përket koordinimit.  Dhe pika e fundit për këtë: Qeveria e Kosovës është zotuar që të ketë një Asociacion i komunave me shumicë serbe.  Siç e thashë ishte element (edhe pse jo me atë emër) në procesin e Ahtisarit dhe pastaj, natyrisht edhe në procesin e Brukselit dhe marrëveshja e Brukselit i referohet specifikisht asaj.  Qeveria ime vazhdon të mendojë – nuk po ju them asgjë të re – që presim që Qeveria e Kosovës t’i përmbahet zotimeve që i ka marrë.  Që do të thotë se ne besojmë se duhet të ketë një Asociacion të komunave me shumicë serbe.  Por, siç e kemi thënë shumë herë, besoj madje edhe kolegu im Matt Palmer ju ka thënë pikërisht në këtë tryezë, ne nuk ju diktojmë se çfarë duhet të bëjë dhe si duhet të jetë.  Ky është vendim sovran që duhet ta marrë qeveria e Kosovës. Ka modele të cilat ne mendojmë se mund të funksionojnë dhe e kemi inkurajuar Qeverinë e Kosovë që të shqyrtojë ato modele dhe ta shqyrtojë atë çështje.

RTK: Z. ambasador, cili është qëndrimi i tanishëm amerikan lidhur me Marrëveshjen e Uashingtonit, e nënshkruar nga ish-kryeministri i Kosovës në Shtëpinë e Bardhë para ish-presidentit Trump?

Ambasadori Hovenier: Më vjen mirë që pyetët për këtë.  Kjo gjë u shtrua edhe gjatë dëgjimit për konfirmim në Senat kur senatori Johnson e shtroi pak a shumë të njëjtën pyetje dhe më vjen mirë që mund t’ju them atë që i thashë senatorit Johnson: kjo administratë vazhdon ta ketë qëndrimin se Zotimet e Uashingtonit ishin zotime të rëndësishme dhe presim që autoritetet në Prishtinë dhe në Beograd t’i zbatojnë ato sa më shumë që munden.

RTK: Pra, po thoni që kjo marrëveshje duhet të zbatohet?

Ambasadori Hovenier: Po them që Zotimet e Uashingtonit ishin zotime të rëndësishme dhe aty ka gjëra të rëndësishme që duhet të kryhen.  Ka zotime për personat e zhdukur; ka zotime për kalimin e kufirit; ka zotime lidhur me tregtinë ndërkufitare. Ne besojmë se të gjitha këto do të ishin në dobi të Kosovës dhe të Serbisë.

RTK: Kohëve të fundit ka debate të shumta për Ballkanin e Hapur.  Cili është qëndrimi i ShBA-së për këtë projekt?  A duhet Kosova të jetë pjesë e tij?

Ambasadori Hovenier: Pra, kolegu im, Gabriel Escobar, Përfaqësuesi i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, tashmë ka folur publikisht për këtë.  Çka do të them unë është: Kosova është vend i rëndësishëm, por nuk është vendi më i madh, madje as në këtë rajon.  Dhe këshilla jonë për ca kohë ka qenë që çdo lloj aranzhimi që zvogëlon pengesat për tregti dhe lehtëson qarkullimin e lirshëm të mallrave dhe njerëzve është diçka që ia vlen të merret parasysh.  Nuk po i themi tamam Kosovës se cilat aranzhime institucionale janë më të mirat dhe si ta bëjnë këtë më së miri.  Por, i nxisim popullin e Kosovës dhe autoritetet kosovare që të jenë të hapura ndaj aranzhimeve që do të zvogëlonin pengesat në tregti dhe që do të lehtësonin qarkullimin e lirë të mallrave dhe njerëzve.

RTK: Debati tjetër i madh ka të bëjë me gaz-përçuesin amerikan. A e ka refuzuar Kosova këtë projekt të KSM-së?

Ambasadori Hovenier: Mendoj se kjo është ndoshta mënyra e gabuar për të karakterizuar atë që ka ndodhur. Ajo që do të thosha është se Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit, MCC, ka një mënyrë shumë unike për të përkufizuar programet e saj të ndihmës së huaj.  Hyn në dialog me qeverinë, qeverinë nikoqire kudo që do të punojë dhe së bashku i identifikojnë prioritetet.  Ka afate kohore shumë të rrepta dhe proces shumë të ndërlikuar të miratimit. Dhe në fakt, ende po vazhdon procesi për të përkufizuar atë që quhet „Kompakt” i cili është programi i MCC-së që çon përpara.  Kishte afate mjaft të rrepta kur u shqyrtua gazi si një element i pjesës energjetike të programit „Kompakt” të MCC-së.  Kishte afate kohore mjaft të rrepta për të përcaktuar nëse do të mund të mbështetej apo jo gazi si një element i tij.  Qeveria e Kosovës – e cila me të drejtë po bën një studim mjaft të thellë dhe të kujdesshëm se si mund t’i kalojë më së miri burimet e saj të energjisë nga një sistem që mbështetet në dy termocentrale ndotëse me thëngjill të epokës jugosllave në një strukturë të shekullit XXI për të siguruar energji – qeveria nuk ishte në gjendje të merrte vendime për rrugën e saj të ardhshme në afatet kohore që kërkon MCC-ja.  Kjo jo domosdoshmërish është dështim.  Jo domosdoshmërish është diçka që po kritikoj.  Thjeshtë është realiteti.  Mezi presim që qeveria e Kosovës të marrë disa vendime përfundimtare për strategjinë e saj energjetike.  Mirëpresim mundësinë që të mund ta mbështesim.  Në ndërkohë, puna e MCC-së duhej të vazhdonte.  Programi „Kompakt” i KSM-së, nëse miratohet, do të përmbajë ndihmë shumë të rëndësishme në mbështetje të infrastrukturës energjetike për Kosovën – për ta ndihmuar Kosovën që të ketë furnizim me energji që është i sigurt, i qëndrueshëm, bashkëkohor, i shek. XXI.

RTK: A e keni diskutuar këtë çështje me kryeministrin Kurti?

Ambasadori Hovenier: E kemi diskutuar strategjinë për energji dhe dëshirën e ShBA-së për ta ndihmuar për disa vendime shumë të vështira.  Për të ndihmuar në pozicionimin e Kosovës në të ardhmen me një furnizim më të mirë të energjisë.

RTK: Z. ambasador, sipas opinionit publik në Kosovë, pritet që përveç grupeve kriminale, lista e zezë e ShBA-së për Kosovën të përfshijë politikanë dhe ish-politikanë.  A janë këto pritje reale?

Ambasadori Hovenier: Pra, mendoj se po i referoheni vendimeve të qeverisë amerikane për të vënë sanksione specifike ndaj individëve të caktuar, përfshirë vendimet e fundit për sanksionimin e individëve të caktuar për shkak të lidhjeve të tyre me krimin e organizuar transnacional.  Nuk i sanksionojmë njerëzit për shkak të pikëpamjeve politike.  Nuk i sanksionojmë njerëzit për shkak të veprimtarisë politike.  I sanksionojmë njerëzit nëse kryejnë vepra, të cilat janë të specifikuara me rregullore ose ligj, që lejojnë vënien e sanksioneve, pra, nëse po destabilizon një sistem politik, nëse je i përfshirë në krim të organizuar transnacional.  Siç e kemi thënë, kushdo që është i përfshirë në krim të organizuar transnacional do të duhej të shqetësohej që do të përballet me sanksione specifike. Gjithashtu duhet të shqetësohet kushdo që sfidon një rend kushtetues të një vendi që e kemi njohur dhe me të cilin punojmë.  Por, njerëzit që i shprehin pikëpamjet politike nuk duhet të shqetësohen.

RTK: Por, çka nëse ka politikanë apo ish-politikanë që janë përfshirë në këtë krim?

Ambasadori Hovenier: Epo, çështja nëse dikush ishte apo jo politikan është e parëndësishme përkitazi me atë nëse sanksionet mund të zbatohen ndaj tyre.  Pra, kushdo që ka qenë i përfshirë në krim të organizuar transnacional në nivel të tillë që plotëson pragun tonë për vendosjen e sanksioneve, duhet të shqetësohet.

RTK: Z. ambasador, të flasim pak për sistemin e drejtësisë. Vetingu pritet të kalojë së shpejti. A do të jetë ShBA-ja partnere në këtë dhe si e vlerësoni këtë proces?

Ambasadori Hovenier: Lidhur me vetingun?

RTK: Vetingun.

Ambasadori Hovenier: Po. Është çështje e ndërlikuar.  Unë do të them vetëm se është e duhur dhe e drejtë që kjo qeveri, si çdo qeveri nëpër botë, të sigurojë që autoritetet gjyqësore janë apolitike dhe nuk angazhohen në aktivitetet që do të ishin në kundërshtim me pritjet e komunitetit të tyre për sjelljen e zyrtarëve të gjyqësorit.  Ka standarde dhe udhëzues ndërkombëtarë për mënyrat më të mira si të bëhet kjo.  Këshilla jonë për qeverinë e Kosovës ka qenë që të shfrytëzojë zyrën e mirë të Këshillit të Venecias dhe të pranojë rekomandimet që i kanë dhënë para se të vazhdojë me veprimet – qofshin rregullative apo legjislative.  Të shfrytëzojnë përvojën, e cila do të sigurojë që korniza e punës dhe veprimet tuaja të përmbushin standardet në bazë të të cilave Kosova do të vlerësohet përderisa ndjek anëtarësimin eventual në BE. 

RTK: Dhe pyetja e fundit: Kosova ka arritur përparim në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.  Çka mendoni, sa ka përparuar Kosova në këtë?

Ambasadori Hovenier: Epo, shpresojmë që Kosova do të shkojë shumë përpara për këtë.  Korrupsioni është problem shumë i madh në këtë rajon dhe nëpër botë.  Dhe, Shtetet e Bashkuara, ne e kemi strategjinë tonë – presidenti Biden e ka shpallur strategjinë për luftimin e korrupsionit.  Jemi të përkushtuar për ta luftuar korrupsionin si në Shtetet e Bashkuara, por edhe për t’i ndihmuar partnerët tanë anembanë botës për ta bërë të njëjtën gjë dhe mirëpresim zotimet e kësaj qeverie për tu marrë me këtë problem, i cili, natyrisht assesi nuk është unik për Kosovën.

RTK: Z. ambasador, ju faleminderit shumë për intervistën.

Ambasadori Hovenier: Ishte kënaqësi.  Ju faleminderit.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Kërcënohet me jetë prokurori Joveski

Story i radhës

Anglia lehtëson masat, heq detyrimin për të mbajtur maska

Të fundit nga

ShkoLartë