Një anëtar i një karteli meksikan është arrestuar nën dyshimin se ka urdhëruar vrasje të veçanta ndaj një ‘influencere’ 23-vjeçare dhe një ish-kryetari komune, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Ramon Angel Alvarez Ayala, pjesëtar i Kartelit Jalisco New Generation, u arrestua nga autoritetet meksikane të enjten, më 30 korrik, më shumë se një vit pasi Valeria Marquez u qëllua për vdekje teksa po transmetonte drejtpërdrejt nga salloni i saj i bukurisë në maj të vitit 2025, raporton gazeta britanike The Times, sipas revistës People.
Në një konferencë për media një ditë pas arrestimit të Alvarez Ayala-s, sekretari meksikan për sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve, Omar Garcia Harfuch, e lidhi atë me vrasjen e influenceres, sipas gazetës meksikane Milenio.
Garcia Harfuch tha se anëtarët e grupit kriminal të Alvarez Ayala-s vepruan me urdhër të tij për ta vrarë Marquez-in, sipas ABC 7. Vajza kishte qenë më parë në lidhje me djalin e Alvarez Ayala-s, Francisco, sipas raportimeve.
Garcia Harfuch pretendoi se Francisco kishte pasur një “marrëdhënie romantike” me Marquez-in dhe tha se ai “e kishte kërcënuar në disa raste”, sipas Milenio. Francisco është i dyshuari kryesor në këtë rast, raportoi media.
Zyrtari i sigurisë tha se Francisco i kishte kërkuar babait të tij, Alvarez Ayala-s, të organizonte vrasjen e Marquez-it.
Burimi: botasot.info


