Inflacioni në Turqi ka shënuar rritje në muajin prill, duke arritur në rreth 32 për qind në baza vjetore, sipas të dhënave zyrtare të publikuara, të hënën, nga Instituti Turk i Statistikave (TurkStat), raporton Anadolu Agency, përcjellë KP.
Sipas këtyre të dhënave, çmimet kanë vazhduar të rriten edhe gjatë vetë muajit prill, me një rritje mbi 4 për qind krahasuar me muajin mars, çka tregon për vazhdimin e trendit të shtrenjtimit në vend.
Rritja më e madhe e çmimeve është vërejtur te strehimi, përfshirë qiratë, energjinë elektrike dhe gazin, ku çmimet janë rritur mbi 46 për qind krahasuar me një vit më parë. Edhe gjatë muajit prill, ky sektor ka shënuar rritje të ndjeshme, gati 8 për qind.
Ndërkohë, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike janë rritur mbi 34 për qind në baza vjetore, ndërsa transporti ka shënuar rritje mbi 35 për qind.
Edhe në nivel mujor, këto kategori kanë vazhduar të shtrenjtohen: ushqimet rreth 3.7 për qind dhe transporti mbi 4 për qind.
Sipas Turkstati dhe Anadolu Agency, këto shifra tregojnë se kostoja e jetesës në Turqi vazhdon të rritet, me ndikim të veçantë në shpenzimet bazë të qytetarëve si banimi dhe ushqimi.
Përkundër faktit se inflacioni është më i ulët krahasuar me nivelet shumë të larta të vitit të kaluar, çmimet mbeten në rritje dhe vazhdojnë të rëndojnë buxhetin e familjeve.
Burimi: botasot.info


