Në këtë ri-kujtesë, ka një pohim, që jo të gjithëve do t’u pëlqejë. Sidomos, atyre të turmës, taborrit të atij “të gjatit” ose të socialistëve, atyre të vetëshpallur “euro – socialistë”
Por, me këtë rast unë nuk jam nisur nga fakti nëse diçka pëlqehet apo jo, por nga fakti nëse ajo i korrespondon të vërtetës, qoftë kjo edhe e hidhur. Mbasi në misionin tim fisnik të gazetarisë, ka vetëm një parim që: “Lajmi i mirë, apo i keq! është Lajm”, pavarësisht, se nuk mundet t’i kënaq të gjithë.
“Kush nuk e di të vërtetën është vetëm një budalla, por ai që e di dhe e quan gënjeshtër është një kriminel” (B.Breht).
Në këtë kontekst si ka mundësi që skandale të përmasave të tilla ndërkombëtare, u ndodhin vetëm kryeminsitrave të majt – socialistëve : si ka mundësi që një forcë politike e majtë të zgjedhë dhe të mbajë në krye të saj një kryeministër kaq arrogant, dhe pa pikë respekti për ligjin por në fund-të fundit edhe etikën që përfaqëson ai.
Një kryeministër i cili nuk është në binarët e statusit për të qenë kryetar shteti dhe partie, një njeri që e shfrytëzon flamurin e saj vetëm për pushtet.
Për nëntë vjet me radhë, jo një herë e dy, por me dhjetëra herë e kemi parë në studiot televizive në Tiranë, arrogancën dhe sjjelljen aspak etike, me gjeste ofenduese dhe kërcënuese. Të vjen vërtet neveri dhe turp të kesh një njeri të tillë si kryeministër.
Në fillim do të përpiqem, që bazuar në një sjellje, veprim apo reagim të ish-udhëheqësit historik të socialistëve të tregoj se çfarë ndodhi 18 vjet më parë me kryeministrin Fatos Nano, në New York.
Ngjarja e shëmtuar dhe agjenda e fshehtë e Nanos në New York, u zbulua nga stafi i konservatives njujorkeze “The New York Post”, dhe gazetari Richard Johnson, më datën 8 prill 2004.
Ngjarja në një lokal të Nju Jorkut e vuri në siklet Nanon dhe shpura e tij e largoi pa vonesë nga vendngjarja.
Mirëpo, njoftimet e medias amerikane, të cilave iu referua dhe informacioni ynë, thanë se më datën 6 prill 2004 në mbrëmje, midis personave që kanë shoqëruar Fatos Nanon dhe rojeve të lokalit “Madison Avenue Eatery”; në qytetin e Nju Jork,ut pronë e amerikanit Nello Balan, ka pasur fyerje dhe kërcënime të karakterit ordiner.
Post, shkroi 18 vjet më parë : “Besohet se rojet e lokalit në rrugën Madison Avenue Eatery, pasi janë siguruar që një grup kilentësh, midis tyre edhe një person, i cili nuk donte t’ia dinte për të zbatuar dhe për t’iu nënshtruar rregullave të qytetit mbi pirjen e duhanit në vendet publike, i kanë kërkuar atij (Fatos Nanos) të largohet nga lokali. Pronari i lokalit Nello i ka bërtitur i inatosur klientit që kishte thyer rregullat, duke i bërë thirrje rojeve të tij se duhet t’i thonin klientit në fjalë (Fatos Nanos) se mbret, president e kryeministër në restorantin tim është vetëm një (Gorge W. Bush), se vetem ai mund të pijë duhan – për fat edhe ai nuk është duhanpirës”.
Dhe kështu, “Fatos Nano (ish kryeministri i Shqipërisë) ishte i tërhequr nga shpura që e shoqëronte, duke shmangur konfrontimin fizik me rojet. Por, kur është larguar i nevrikosur, o ka fyer rëndë rojet e lokalit nga përzënia e dhunshme që i bënë punonjësit e lokalit,”- do të shkruante 18 vjet më parë gazeta konservative njujorkeze New York Post.
Kryeministri me sa shihet kishte harruar që nuk ishte në Shqipëri.
Shpura e tij e mbajti të fshehtë ngjarjen. Por kur Post e publikoi lajmin, njerëzit e Nanos u përgjigjën: “ Ndodhi një incident për të cilin pronarët e lokalit në New York na “kërkuan falje!”
Tani, 18 vjet më pas indentike për nga sjellja, reagimi dhe përgjigjeja e taborit mediatik të Kryeministrit Edi Rama, është incidenti që e zbuloi Der Spiegel, i Gjermanisë, i konfirmuar nga pasagjerë të tjerë të atij udhëtimit me Lufthansa linja Frankfurt-Detroit, që ka filluar me refuzimin e Ramës, për të mbajtur maskën e detyruar në avion.
Dhe, përgjigjja ishte indentike si ajo e shpurës së Fatos Nanos 18 vjet më parë : “Na kërkuan falje”
Sipas Spiegel, Kryeministri i Shqipërisë u shoqërua nga policia gjermane në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, pas një konflikti me ekuipazhin e një avioni të Lufthansa-s, për shkak të refuzimit të vendosjes së maskës së përshtatshme kundër COVID- 19.
A nuk duhet konsideruar gjesti i kryeministrit të Shqipërisë si fyerje për shqiptarët që i shtrëngonte të respektonin masat e qeverisë?
Rama, ishte ai i cili nxori blindat në rrugët e Tiranës për të vendosur karantinë dhe kërcënoi qytetarët shqiptarë duke publikuar video ku policia rrahu protestuesit në rrugë për shkelje të rregullave kundër përhapjes së COVID-19, ndërkohë ai et në 3 Dhjetor në kulmin e masave refuzoi të vishte maskën e kërkuar nga ekuipazhi.
Në artikull u tha se ekuipazhi i fluturimit është detyruar të njoftojë kapitenin, por as kjo nuk ka mundur ta bindë Ramën.
“Kur edhe pas kësaj, kreu i qeverisë shqiptare nuk iu bind detyrimit të përgjithshëm për të mbajtur maskën FFP2 apo maskë kirurgjikale, qoftë edhe të një maske të thjeshtë, Rama, u shoqërua nga avioni nga policia federale”, shkruan Spiegel.
Endri Fuga, Drejtor i Agjencisë së Medias dhe Informacionit në qeveri nuk e mohoi incidentin, por në një postim në Twitter pretendoi se ishte shkaktuar nga stafi i avionit dhe se kompania kishte kërkuar falje.
“Lajm i vjetër, për një incident që në thelb nuk kishte vendosjen e maskës, por sjelljen e pahijshme të një prej anëtarëve të ekuipazhit. Ndjesa e kompanisë u pranua atë ditë”, ka shkruar Fuga.