Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Edi Rama duhet dërguar porosi të shkurtër dhe të qartë në gjuhën shqipe si p.sh. kjo: Nëse dëshiron që individualisht apo bashkë me familjen e tij të jetë pjesë e grupimit ekonomiko-politik Ballkani i hapur, mund të vazhdojë që ta bëjë personalisht, nëse ka kuptim, por jo me Shqipërinë brenda tij. Ai asociacion për momentin është i pakompletuar dhe përbëhet vetëm se nga tre shtete të rajonit dhe atë nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia, ndërsa pjesë të saj nuk janë Kosova, Bosnjë e Hercegovina dhe së fundmi si duket do të mund të mos jetë edhe Mali i Zi.
Gjithashtu duhet t’i bëhet e qartë Edi Ramës se i njëjti nuk mund t’i përfaqësojë më qytetarët e Republikës së Shqipërisë edhe pse ky është Kryeministër i vendit.
Pra, në atë asociacion politiko-ekonomik nuk është mirë dhe e arsyeshme që të vazhdojë të qëndrojë edhe më tej Republika e Shqipërisë, meqë “Ballkani i hapur” është një asociacion ekonomik, i cili më së shumti po dominohet nga agjendat politike serbe.
Për këtë që e shkrova kam arsyetimet dhe faktet e mia reale konkrete dhe bindëse. Mendoj se kyçja e Rusisë në Ballkanin e hapur indirekt përmes Serbisë këtë asociacion më shumë e bën politik e shumë më pak po lejon që i njëjti të jetë projekt ekonomik, kështu duke devijuar nga ideja primare e themelimit të tij. Pra, aty ku pjesë përbërëse të asociacioneve dhe grupimeve mes shteteve janë Rusia dhe Serbia, ato asociacione dhe grupime shtetesh gjithmonë marrin karakter politik. Rusia dhe Serbia kanë qenë gjithmonë shtete, të cilat tradicionalisht me shumë përparësi u kanë dhënë aspekteve politike e shumë më pak janë përqendruar në aspektet ekonomike të bashkimit dhe të bashkëpunimit. Këto dy shtete edhe luftërat dhe trazirat që i kanë shkaktuar gjatë viteve të kaluara, si Serbia në ish-Jugosllavi gjatë fundviteve të ’90-ta dhe Rusia në ish-Bashkimin Sovjetik, por edhe këtë luftën e fundit në Ukrainë, ato luftëra kanë qenë dhe janë kryesisht të motivuara nga dëshira për shtrirjen dhe shtimin e dominimit politik sesa për shtimin dhe shtrirjen e bashkëpunimit ekonomik.
Këtë e vërteton edhe lufta e fundit e shkaktuar nga Rusia në Ukrainë, kjo luftë është fund e kokë e motivuar paraprakisht politikisht si dhe nga motivet ekonomike. Dhe nëse i analizojmë motivet e të njëjtës luftë dominojnë, pra më shumë ato politikët edhe pse nuk mungojnë edhe ato ekonomikët. Por, si pasojë e luftës ruso-ukrainase më së shumti e ka pësuar jo vetëm se ekonomi, ukrainase, por e ka pësuar dhe po e pëson edhe ekonomia e përgjithshme botërore, por sipas disa statistikave dhe të dhënave po e pëson keq edhe vet ekonomia e Rusisë. Për tu vërtetuar për këtë vlen të shihen shpenzimet marramendëse, që Rusia i bën vetëm se për një ditë të vetme të luftimeve e lëre më të këtyre shumë muajve të luftës, të cilat po bëhen, më duket se kanë kaluar gati se gjashtë muaj luftimesh të saj në Ukrainë.
Pra, Edi Ramës duhet bërë të qartë se “Ballkani i hapur”, me një rol dominant të Rusisë përmes Serbisë, në të është më shumë asociacion për të futur përçarje dhe për të stimuluar konflikte në rajon sesa për ta promovuar dhe kultivuar bashkëpunimin dhe unitetin mes shteteve të rajonit. Rusia përmes “Ballkanit të hapur”, me ndihmën e Serbisë po mundohet dhe po përpiqet që ta shtrijë ndikimin e saj kryesisht politik e jo të kontribuojë për vendosjen dhe shtimin e bashkëpunimit ekonomik sepse kjo e fundit është në stagnim e sipër si në Serbi ashtu edhe në Rusi në këtë të fundit kjo po ndodhë siç thashë si pasojë e luftës së saj në Ukrainë, por edhe si pasojë e fushatave të shtuara e të fshehta diplomatiko- politike të ndërmarra nga vet ajo, e të cilat kanë për qëllim që ta shtrijnë ndikimin e saj politik në disa shtete të rajonit të Ballkanit, duke mos e anashkaluar këtu as Shqipërinë.
Më tej Rusia përmes Serbisë po të mos ishte e bindur se do të dominonte në ndonjë grupim apo asociacion shtetesh në aspekt politik, ajo nuk do të pranonte kurrë që Serbia të bëhej pjesë e Ballkanit të hapur. Pastaj Serbia e din që Kosova nuk është dhe nuk donë të jetë pjesë e Ballkanit të hapur prandaj këmbëkryq është ulur në krye të tavolinës udhëheqëse të organizimit politiko-ekonomik, “Ballkani i hapur” sepse kësaj nuk ka kush ja prish hesapet dhe rehatinë tani për tani atje. Këtë gjë nuk po e bëjnë as Shqipëria e as Maqedonia e Veriut këto dy shtete krijohet përshtypja se janë vënë në rolin e shërbyesve të plotë të Serbisë. Ndërsa, Edi Rama kryeministri shqiptar gjithashtu po sillet sikurse ka pranuar që ta luaj më shume rolin e zëdhënësit të Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, por edhe të Qeverise së Serbisë, sesa rolin e kryeministrit të cilin ja ka besuar Kuvendi i R. së Shqipërisë. Për këtë do të bindeni po i dëgjuat deklaratat që po i jep ai dhe po të shihen sjelljet e tij. Pra, Serbia zëdhënës më të mirë e më të denjë se Rama nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë apo më konkretisht të dy institucionet më të larta të Serbisë, Kabineti i Presidentit dhe Qeveria edhe po ta kërkonin me konkurs një zëdhënës të tillë nuk do të mund ta gjenin kurrë. Edi Rama si duket ka harruar se është Kryeministri i Shqipërisë dhe se ky post e pozicion i tanishëm i tij, atë duhet ta bëj partner të barabartë me Presidentin e Serbisë, e jo i njëjti ta lakmoj postin e zëdhënësit të institucioneve të Serbisë, që u përmendën më lart në këtë shkrim. Prandaj, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të sjellin vendim që të tërhiqen nga anëtarësimi nga ky projekti i dyshimtë dhe kundërthënës “Ballkani i hapur”, dhe ti bashkëngjiten projektit serioz dhe shumë ambicioz Procesit të Berlinit pasi në të Rusia përmes Serbisë nuk do të ketë mundësi të sillet si padron i atij organizimi europian. Kështu edhe rruga e anëtarësimit të Maqedonisë së veriut dhe e Shqipërisë për në BE do të jetë më e shpejtë dhe më e sigurtë.