I akuzuari gjendet në burgun e Dubravës për vepër tjetër penale, dështon rigjykimi për mashtrim me viza pune në Prizen

Për shkak se i akuzuari B.R gjendet në vuajtje të dënimit në burgun e Dubravës është shtyrë seanca e rigjykimit për mashtrim me viza, ku F.H dhe B.R po akuzohen për shmangie nga tatimi dhe shpërlarje parash.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Xheladin Osmani, mbrojtësi i të akuzuarit B.R, avokati Miftar Qelaj me parashtresë të 31 janarit 2022 ka njoftuar gjykatën se i mbrojturi i tij gjendet në vuajtje të dënimit në Burgun e Dubravës për një vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit Osmani, pasi që gjykata ishte informuar në ditën e njëjtë për këtë fakt, ishte e pamundur sigurimi i të akuzuarit në seancën e sotme, ashtu që për seancat e radhës do të ftohet përmes burgut të Dubravës.

Në këtë seancë nuk ishin prezent as prokurori i Prokurorisë Speciale, Afrim Shefkiu dhe përfaqësuesi i ATK-së, Agron Ndrecaj si dhe dëshmitarët H.V dhe A.Th, të cilët ishin njoftuar paraprakisht për mosmbajtjen e kësaj seance.

Ndërsa të pranishëm ishin i akuzuari F.H dhe mbrojtësi i tij B.K.

Në këto rrethana, seanca e radhës u caktua më 7 dhe 11 mars 2022.

Me aktgjykimin e shpallur nga Gjykata Themelore në Prizren, më 9 janar 2020, ish-drejtori ekzekutiv i shkollës “DBBS” në Prizren, F.H, ishte dënuar me gjashtë vjet burg dhe 21 mijë euro gjobë, pasi ishte shpallur fajtor se ka mashtruar qytetarët për viza pune në Gjermani, ndërsa i akuzuari tjetër, B.R, ishte dënuar me katër vjet burgim dhe me 12 mijë euro gjobë.

Ndaj të akuzuarve ishte shpallur edhe dënim plotësues, ku F.H i konfiskohej një shtëpi, një veturë “BMW X5”, si dhe një “Audi”, kurse të akuzuarit R. i konfiskohej një banesë me garazh, si dhe një veturë e tipit “Polo”.

Po ashtu, për këtë rast ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht V. R, i cili akuzohej se me anë të falsifikimit ka nënshkruar rreth 400 kontrata pune për në shtetin e Gjermanisë, pa qenë i autorizuar fare nga personat përgjegjës, në emër të të cilëve janë lëshuar këto kontrata.

Mirëpo, Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim vetëm ndaj F.H dhe B.R, të cilët kishin parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale (PSRK) e ngritur më 20 gusht 2018, ngarkon F.H dhe B.R se në periudhën 2016-2017, megjithëse e kanë ditur se të ardhurat burojnë nga aktivitete kriminale, kanë pranuar para nga qindra persona të dëmtuar, saktësisht 489 persona, me arsyetimin se do t’i punësojnë në Gjermani.

Sipas aktakuzës, H. dhe R., nga të dëmtuarit e njëjtë i kanë marrë nga 2 mijë e 500 – 3 mijë euro, të cilët fare nuk i kanë dërguar në Gjermani, duke fshehur fondet në fjalë e më pas të njëjtat fonde duke i transferuar tek persona tjerë, me këto veprime kanë përvetësuar shumën prej 1 milion e 220 mijë e 175 euro, nga të cilat kanë bërë shpëlarjen e parave në shumën prej 1 milion e 68 mijë e 775 euro.

Me këtë, në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, akuzohen se kanë kryer veprën penale “shpëlarje parash”, nga neni 308 i Kodit Penal si dhe neni 32, paragrafi 2. nënparagrafi 2.1 dhe 2.2 i Ligjit mbi Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimin e Terrorizmit, lidhur me nenin 81 dhe 31 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, të njëjtit akuzohen edhe për veprën penale të “mashtrimit”, nga neni 335, atë të “falsifikimit të dokumenteve” nga neni 399, si dhe “shmangie nga tatimi” nga neni 313 të Kodit Penal.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Whyte më i rrezikshëm se Wilder

Story i radhës

Angell Dimitrov: Nuk ka presion mbi Komisionin historik, takimi i parë në fund të shkurtit

Të fundit nga