Në kohën kur pritej që “Open Balkan” të zhbëhej urgjentisht pas agresionit rus në Ukrainë, pasi Serbia vazhdoi rreshtimin e saj krah Rusisë e në veçanti duke marrë shkas betimin e Vuçiqit para Kuvendit të Serbisë për Kosovën si “pjesë integrale” të saj, që do të duhej të ishte një mësim dhe alarm kombëtar edhe për më naivët e politikës, pikërisht tani po ndodhë e kundërta.
Në vend se t’i bëhet presion Serbisë dhe për më tepër të merren edhe masa ndëshkuese ndaj saj për veprimet e përmendura, në Kosovë këto ditë janë ngritë matrapazë e hyzmeqarë shqipfolës të të gjitha llojeve në presion të orkestruar ndaj institucioneve të Kosovës për të pranuar “Open Balkan-in”, të vetmen çështje për të cilën janë në akord për refuzimin e tij pozitë e opozitë, me argumentin më elementar, më të natyrshëm e më të drejtë se nuk ka Kosovë në “Open Balkan” derisa Serbia nuk e njeh Kosovën shtet i pavarur, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial. Madje, as në këtë rast!
Sigurisht që Kosova, qeveria e saj dhe institucionet tjera duhet të jenë shumë më proaktive në politikën e jashtme, në marrëdhëniet me SHBA-të, me BE-në si dhe me shtetet fqinjë përfshirë edhe raportet dhe dialogun me Serbinë për një marrëveshje finale. Në asnjë rast nuk mund të arsyetohet rigjiditeti i skajshëm i Qeverisë së Kosovës dhe Kryeministrit Kurti në politikat e tij, por kjo nuk e përligjë dhe nuk i justifikon sulmet për përfshirjen e Kosovës në “Open Balkan”.
Pa shqiptarët, konkretisht pa Edi Ramën ky projekt ruso-serb nuk do të nisej fare ose edhe po të nisej, për arsyet e përmendura, tani do të ishte zhbërë. Duket të jetë ky projekti jetësor i Edi Ramës. Më antishqiptari që nga “vitet e arta” të diktatorit Enver Hoxha kur e bëri Shqipërinë në një union me Jugosllavinë. Atë që nuk arriti ta bëjë as diktatori Enver Hoxha, është gati ta bëjë Edi Rama me pasionin e një të marri kozmopolitan që shpërfaqë tërë vrazhdësinë e inferioritetit të etërve të tij ideologjik e politikë ndaj Serbisë. Në Kosovë, matrapazë shqipfolës të “Open Balkan-it”, neo-jugosllavë të fshehur pas “bashkëpunimit rajonal”, të entuziazmuar me “gjenialitetin” e Edi Ramës (për ta, politikanë shqiptarë “gjenialë” janë ata që punojnë për interesa të Serbisë!), i mbajnë iso-n “kapo-s” së tyre në këtë projekt ndër më djallëzorët. .
Serbia ka nxitur, ka nisur e ka pranuar marrëveshje dhe projekte vetëm nëse kanë qenë ose janë në funksion të “Botës serbe”, të “Serbisë së madhe” ose “Jugosllavisë së re”! “Open Balkan” është në këtë funksion dhe pak përtej tij. Një projekt lindor ruso-serb, për “botën serbe” dhe njëkohësisht një derë e ndikimit dhe interesave ruse në këtë pjesë të Evropës.
Nëse “Open Balkan” ka të njëjtat standarde si “Procesi i Berlinit”, pse u dasht të bëhej?! Sepse janë “hidhëruar” Edi Rama dhe Vuçiqi me BE-në për zvarritjen pafund në procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE?!. Edi Rama edhe mund të jetë hidhëruar, por Vuçiqi sigurisht që jo. Përkundrazi! Vuçiqi ishte jetësisht i interesuar për një projekt të tillë jashtë domenit dhe monitorimit perëndimor, me Serbinë dhe Rusinë si garant të vetëm të tij.
Përfitimet ekonomike e përralla tjera për një treg të përbashkët nuk i kapërdinë dot askush. Edhe në këtë plan po shihet qartë se ky është rrënimi ekonomik i Shqipërisë edhe ashtu e rrënuar nga krimi e korrupcioni. Nuk i duhen gjë Serbisë patatet as bostani i Shqipërisë. I duhet dominimi politik e e gllabërimi territorial para së gjithash, pra i duhet Durrësi, Vlora, Shëngjini, Ulqini e shumëçka tjetër. Broçkullat tjera për gjëja lëvizje të lirë etj, janë provuar tashmë në raportet e saj me Kosovën e poashtu me spastrimin etnik edhe tani në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc e shumë raste tjera.
Arsyetimet që me “Open Balkan” ruhet stabiliteti në rajon, të paraqitura nga një tjetër “kryeministër shqiptar” Abazoviq, janë eufemizëm për pranimin vullnetar të dominimit të shovinizmit serb në Ballkan. Realisht është Serbia ajo që historikisht e ka prishë stabilitetin në Ballkan për “Serbinë e madhe”. Është shkaktarja e dhjetëra luftërave kundër popujve tjerë, në veçanti kundër shqiptarëve për më tepër se njëqind vite. Ballkani “është stabil” vetëm kur Serbia i arrinë qëllimet e saj historike, e qëllimet e saj të pandryshuara edhe sot janë zhbërja e shqiptarëve si shtet e si popull. Politikanët shqiptarë tani vullnetarisht janë në rrugë që t’ia mundësojnë këtë deri aty sa të lëkundet “nga varri” edhe Garashanini e Andriqi!
Përfitimi i parë i Shqipërisë nga “Open Balkan” ishte Tirana e stërmbushur me flamuj të Serbisë dhjetorin e kaluar, sa nuk dihej a ishe në Tiranë apo në Beligrad!
Efekti dhe “përfitimi” i dytë i madh i Shqipërisë dhe shqiptarëve nga “Open Balkan” dhe në emër të këtij projekti tani është refuzimi i Edi Ramës që të votohet në Kuvendin e Shqipërisë një Rezolutë që dënon krimin e gjenocidin serb në Kosovë.
Në fakt, çelësi i tërë kësaj loje të rrezikshme politike është BE-ja e cila për t’i heqë “qafe” këto shtete për një kohë të gjatë nga integrimi evropian, më e pakta që ka bërë, ka heshtur për një surrogat të tillë si “Open Balkan”. Lufta në Ukrainë “zbuloi” shumëçka. Edhe atë që ishte fshehtësi publike se shumë liderë evropianë ishin dhe janë “në dorë” të Putinit.
Përndryshe, po të jetë në funksion të interesave gjeostrategjike, as SHBA nuk ka si dhe pse t’i ndalë shqiptarët në theqafjen e tyre vullnetare!. Nga vetja, nuk të mbronë sot askush!
Po del të jemi ndër popujt e rrallë që për kohë të gjatë, harrojmë aq shumë e aq shpejtë!.