Kohëve të fundit po dëgjojmë lajme të kobshme të cilat po ndodhin nëpër shkollat tona. Rasti i fundit që ndodhi në Shkollën Fillore “Hilmi Rakovica” në Kodrën e Trimave në Prishtinë, ku humbi jetën nxënësi i moshës 14 vjeçare Riad Hyseni i tronditi të gjithë njerëzit gjithandej Kosovës. Këto dukuri të kobshme po ndodhin kohë pas kohe nëpër entet e Arsimit shkollor.
Institucione Arsimore mision kryesor duhet të kenë.. Edukimin dhe Arsimimin e gjeneratës së re, e fëmijëve tanë të cilët i drejtohen shkollës për tu edukuar dhe arsimuar, me një fjalë për tu krijue si personalitete që i nevojiten familjes shoqërisë dhe shtetit. Mjerisht me vite bashkëpunimi i prindërve – i familjeve me shkollën dhe institucionin arsimorë ka munguar neper shkollat tona. Raporte këto të cilat janë të domosdoshme për familjen dhe entin shkollor.
Kemi shkruar edhe më parë se lufta e fundit në Kosovë ka ndikuar në masë të konsiderueshme dhe si rrjedhojë tek një përqindje e njerëzve akoma janë prezentë traumat të cilat po sjellin pasoja shumë të rënda deri tek humbja e jetës të nxënësve të pafajshëm. Padyshim se sistemi arsimor në Kosovë nuk ka dyshim se sistemi Arsimor nuk arriti asnjëherë të reformohet si duhet dhe sa duhet.
Huliganizmi është pasojë e sjelljes jo normale të një numri të rinjve nëpër shkollat tona të cilëve u mungon edukata dhe mbikëqyrja familjare në raport me sjelljen në institucionet shkollore. Nuk mund të ketë arsimim dhe edukim të mirëfilltë nëpër shkollat tona pa e futë në planprogramet shkollore lëndën e edukatës morale dhe sjelljen e individit në raport me shkollën dhe shoqërinë.
Është konstatuar se një nga shkaktarët e sjelljeve të huliganizmit nëpër shkolla janë edhe: Teknologjia e telefonave, të cilët kanë hyrë në çdo familje e të cilët për shkak të mungesës së kulturës të individit [fëmijët – nxënësit] komunikimi përmes tyre ka kaluar çdo kod të sjelljes. Nuk janë të rralla rastet nëpër shkollat tona që një numër i nxënësve konsumojnë duhan, dhe drogë. Kjo është e pafalshme për një shoqëri e cila pretendon të emancipohet, të shkollohet dhe të përgatitet për një jetë të re krahas vendeve dhe kulturave demokratike të shteteve të zhvilluara. Prandaj në fund familjes së Riad Hysenit i shprehim ngushëllimet më të thella për ta përballuar dhimbjen. Kombona po bije për institucionet e Arsimit dhe Edukimit si dhe për ato të ruajtjes së rendit dhe qetësisë të Republikës së Kosovës. Kërkohet vetëdije dhe përgjegjësi!…