Heronjtë e punës, pse u harruan ata?

June 7, 2022
min lexim

Ngjarja e 6 qershorit, 2014 në TC Kosova ishte njëra ndër ngjarjet me tragjike në historikun e TC Kosova I, II, III, IV dhe V. Humbja e jetës së punëtorëve ishte tragjike për të gjithë punonjësit e TC Kosova, gjeneratë pas gjenerate, ishte një dhimbje e rëndë edhe për ata punonjës, të cilët janë jashtë vendit, të cilët kanë pasur rastin dhe nderin të jenë pjesë e një armate njerëzish, të cilët kontribuuan për zhvillimin dhe ndërtimin e sistemit termoenergjetik të Kosovës. Rasti që ndodhi atë ditë dhe humbja e jetës së njerëzve nuk ishte e rastësishme, punëtorët kanë qenë të lënë pas dore, pa kushte të domosdoshme sigurie, pa ushqim të mjaftueshëm, pa mjete mbrojtëse të punës, e shume çka tjetër deri te disiplina në rënie, meqë edhe siguria i është nënshtruar formave të egra të tenderimit, dhe zvogëlimit të kostos së shpenzimeve deri në pakufi për qëllime përfitimi.

Rasti i 6 qershorit 2014 ishte një ngjarje, e dyta me radhë, pas luftës. A ka përgjegjësi në këtë vend edhe kur humben jetërat e njerëzve…, rasti i tillë ishte papërgjegjësi eklatante e stafit udhëheqës të KEK-ut dhe sindikatës së punëtorëve, ngase punëtorët patën mbetur edhe pa mjetet elementare të sigurisë, helmetat, edhepse investimet kanë qenë marramendëse, nuk u formua as në rastin e parë nga parlamenti një komision hetimor, por domosdo duhet që kjo garniturë e të zgjedhurve të involvohet drejtpërdrejtë për të sqaruar deri ne fund ngjarjen e 6 qershorit 2014…

KEK-u në të kaluarën ka ndarë mjete të konsiderueshme financiare, përmes bursave dhe kredinave për të avancuar politikën e kuadrove, tash përdoret një gjuhë më e sofistikuar “resurse njerëzore”, deri dikund ia ka arritur qëllimit, ata ishin një bazë e mjaftueshme për të ndërtuar të ardhmen energjetike të Kosovës, edhe solidariteti ndërmjet kuadrove shqiptarë ishte i kënaqshëm, por çka ndodhi pas luftës, turri i shumë inxhinierëve, të cilët u aftësuan për të diktuar të ardhmen dështoi që në fillim, së pari me joshjen e ndërkombëtarëve, më vonë zejen e mësuar e shtrinë kudo… Disa nga inxhinierët që kishin pozita të privilegjuara para luftës, përmes ndërmjetësimeve të ndonjë komandanti përforcuan pozitat, duke shndërruar KEK-un në pazar kusuritjeje.

Disa nga ata, të cilët kishin ndërtuar rrjetin e merimangës, lëshuan KEK-un, për të fituar tenderët, asgjë e re, pasuroheshin individët, ndërsa pësonin punëtorët, nuk bëzante sindikata, edhe pse këtu kishte konflikt interesi. Edhe më keq, ka pasur raste, kur kuadrot në pozitë, “me marrëveshje” largoheshin nga puna, për t’u kthyer më vonë me kompensime të larta, dhe kush ishte përgjegjës për këtë fenomen-anomali, askush. Mirëpo ata që largoheshin, ata punonin, krijonin, hapnin kompani private dhe fitonin tenderët në KEK, mjeshtërisht, por jo më duke u fshehur pas patriotizmit dhe atdhedashurisë, dalloheshin më herët me këtë virtyt, por pas rrjetit të ndërtuar të plaçkitjes përbrenda KEK-ut. E natyrshme dhe shumë njerëzore, edhe e pafajshme ndoshta, se ata duhet të ekzistonin, por si u bë që udhëheqësit e KEK-ut rivalë të deridjeshëm u bënë bashkëpunëtorë të sotëm (në perëndim kur të largohet ndonjë punëtorë nga puna nuk ka të drejtë as të hyrjes brenda objektit, ngase reagojnë forcat e sigurisë, por edhe policia), si u bë pra ata të fitojnë tenderë nga KEK-u, derisa rritej kontoja e kompanisë private; dhe gjyqtarët dhe avokatët sigurisht të implikuar në marifete të tilla vendosin në favor të keqbërësve-“patriotë”.

Për t’u krijuar konfuziteti edhe më i madh në KEK u bënë riorganizime të papërfillshme që duke shënuar rënie produktiviteti…, nuk u shërbyen me përvojat në menaxhimin e termocentraleve në vendet fqinje, por nuk përfillën as mendimin e ekspertëve me përvojë të KEK-ut, por i vunë ata para aktit të kryer. Disa nga zyrtarët e djeshëm dhe të sotëm u emëruan si përfaqësues të kompanive konkurruese u angazhuan zyrtarë të lart të pushtetit qendror, ende pa zhveshur mirë gëzofin qeveritar, ngase ai partiak ishte shik-në trend, përfaqësonin interesat e kompanive të huaja si konkurruese, duke nëpërkëmbur interesin e vendorëve-qytetarëve të Kosovës. A nuk ishte ky konflikt interesi? Dhe a do të duhej që atëherë të reagonin institucionet përgjegjëse, apo nuk duhet të ketë debat në këtë temë edhe pse përfituesit e shumtë u paguan nga arka e buxhetit të konsoliduar të Kosovës; ndonjëri nga ta ishte në listën e pagave si përfaqësues i firmave të jashtme, nga të cilat u paguan majmë, jo se ishin ekspert në këtë lëmi, por ngase kishin të thurur bukur rrjetin e merimangës korruptive. Pa dashje, apo qëllimisht, çdo gjë që sillet përreth energjetikës dhe minierave, është me shumë të panjohura, nuk dihet saktësisht kush është “princi” i arit të zi. Është krijuar kështu lëmshi institucional, dhe në vend të afarizmit të suksesshëm, me KEK-un krijohen pengesa të shumta edhe me konotacion politik.

Për të pranuar opinioni-pa u trazuar, skemën e re të privatizimit me një pjesë të tij, duhej që KEK-u të dobësohej financiarisht, kështu pra u krijua varshmëria institucionale bord-menaxher-ministri-qeveri, duke e furnizuar KEK-un me infuzion artificial-derdhjen e mjeteve të reja për sanimin e gjendjes. KEK-u pra faktikisht humbi edhe pavarësinë afariste; pra aq shumë janë centralizuar marrëdhëniet afariste, saqë nuk mund të flitet për parametra real ekonomik, produktivitetin, rentabilitetin… Nuk u dëgjua fare zëri i punëtorëve, por as që u mbajt ndonjëherë ndonjë tubim i punëtorëve, ngase atë të drejtë ua mori sindikata e pavarur, e cila ishte një zë i shterur, pa asnjë fuqi në marrjen e vendimeve të rëndësishme. Kryesia e saj vetëm simulonte sindikatën, nuk ishte zëdhënëse e fuqishme e punëtorëve, tregtonte me menaxhmentin për të përfituar për vete, jo për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve.

Deformiteti i paprecedent në skemën organizative që ka shkaktuar humbje të mëdha është tendenca për shpërbërje të mëtejme organizative dhe financiare të KEK-ut. Nuk është qartësuar asnjëherë, si ndodhi që kuadrot udhëheqëse që ka stipenduar, i ka trajnuar dhe i ka avancuar në karrierë KEK-u të shfrytëzojnë po ato pozita duke përfituar nga KEK-u fitime të mëdha përmes procesit të tenderimit. Nuk janë të pakta rastet që udhëheqës sindikatash janë mbështjellur me gëzofin korruptiv. Si ndodhi kjo dhe pse ndodhi kështu nuk ka ndonjë shpjegim, por kjo flet më së miri për ndërgjegjen e ultë të kuadrit udhëheqës, të cilët kanë bashkëjetuar atëherë, por bashkëjetojnë edhe tash me krimin e organizuar, lidhjet janë të gjalla dhe shumë funksionale duke u manifestuar edhe anomali të ndryshme, punëtorët punojnë, ndërsa ish-udhëheqësit e tyre i “vjedhin” ata fal “patriotizmit” të kulluar financiar.

Ngushëllime për familjarët e punëtorëve që humbën jetën, rasti i 6 qershorit, 2014, le të shërbejë për këndellje të njerëzve në pozitë, dhe Kosova o sot o kurrë ka nevojë më shumë për teknokrat, specialist të lëmive të ndryshme, sesa për historianë, gjuhëtarë, politikanë… Ngushëllime pra të gjithë shqiptarëve kudo që janë, në shpresë që do të shënohet kjo ngjarje si njëra ndër fatkeqësitë më të rënda të humbjes së jetërave të njerëzve në vendin e punës. Më në fund dikush duhet të jap përgjegjësi në KEK!

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Konkursi për 600 policë: Spasovski- 870 janë drejt pensionimit

Story i radhës

Iu është refuzuar kërkesa e azilit nga Gjermania? Projektligji i ri iu jep një shans, ja çfarë parashikon

Të fundit nga

ShkoLartë