Mytaher Haskuka nga Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se subjekti i tij politik pret të fitojë mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që pritet të mbahen më 7 qershor.
Sipas Haskukës, ndryshime në përqindje mund të ndodhin te partitë opozitare, si Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, por jo edhe te Vetëvendosje.
“Unë mendoj që mund të ketë ndryshime në përqindje, por Lëvizja Vetëvendosje prapë do të jetë mbi 50 për qind. Ndryshimet mund të ndodhin brenda partive opozitare. Nuk besoj që do të ndryshojë numri i deputetëve që LVV i ka pasur. Mendoj që pas 7 qershorit përqindja do të jetë përafërsisht e njëjtë ose edhe më e lartë”, ka deklaruar Haskuka.
Ai ka shtuar se, sipas tij, opsioni i vetëm për qytetarët është mbështetja e LVV-së për të siguruar një shumicë edhe më të madhe në Kuvend.
“Fatkeqësisht, për Kosovën momentalisht nuk ka një alternativë më të mirëfilltë dhe Vetëvendosje është i vetmi opsion për stabilitet. Me një opozitë që bllokon ligje dhe bojkoton seancat për zgjedhjen e presidentit, qytetarët mund t’i japin LVV-së mbi 70 deputetë në mënyrë që të zgjidhet edhe presidenti”, është shprehur ai.
I pyetur nëse është e arritshme kjo shifër, Haskuka nuk e ka përjashtuar një mundësi të tillë.
“Në Kosovë nuk mund të përjashtohet as kjo alternativë, duke parë veprimet e opozitës gjatë viteve 2025 dhe 2026, të cilat tregojnë mungesë pjekurie politike”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, sa i përket ndikimit të mundshëm të Vjosa Osmanit në rezultatin zgjedhor apo në raportet mes LVV-së dhe LDK-së, Haskuka ka thënë se efekti i saj mund të reflektohet vetëm brenda partive opozitare.
“Ajo mund të ndikojë në shpërndarjen e votave brenda opozitës, por jo te LVV. Mund të ndryshojë renditja për vendin e dytë, por jo për vendin e parë”, ka deklaruar ai.
Burimi: botasot.info


