Të mërkurën, më 10 qershor, në ora 19:30, në hapësirën e stacionit të trenave në Prishtina, hapet muzeu “Eksodi ’99”, një ekspozitë e kuruar nga Reporting House, që sjell në qendër të vëmendjes një nga kapitujt më dramatikë të historisë së fundit të Kosovës.
Ekspozita është ndërtuar mbi kujtimet dhe dëshmitë e qindra mijëra shqiptarëve të Kosovës që mes marsit dhe qershorit të vitit 1999 u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre. Përmes linjës hekurudhore të Prishtinës, familje të tëra u ngjeshën në trena të mbushur plot, të detyruara të udhëtonin drejt Maqedonisë së Veriut, në një proces të dhunshëm që përfaqëson një nga zhvendosjet më të mëdha në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
Gjatë kësaj periudhe, forcat serbe zbrazën lagje të tëra, konfiskuan dokumentet personale dhe detyruan popullatën civile të largohej me forcë. Brenda vetëm dhjetë javësh, rreth dy të tretat e popullsisë së Kosovës u dëbuan nga vendbanimet e tyre, duke shënuar një eksod masiv që ndryshoi përgjithmonë strukturën shoqërore dhe historike të vendit.
“Eksodi ’99” sjell 48 rrëfime personale të njerëzve që e përjetuan këtë periudhë, të regjistruara 27 vjet më vonë. Historitë ndahen në katër tema kryesore: dëbimi, jeta në kampet e refugjatëve, strehimi te familjet mikpritëse dhe kthimi në Kosovë pas përfundimit të luftës.
Disa nga rrëfimet përfshijnë edhe ata që nuk u larguan fare, duke treguar për jetën në fshehje, përfshirjen në rezistencën e armatosur, si dhe episode të veçanta tragjike, përfshirë ndalimin e trenit ku politikani Fehmi Agani u nxor dhe u vra.
Ekspozita vendoset brenda një vagoni treni, si simbol i vetë rrugëtimit të detyruar të eksodit, duke rikthyer kujtesën e një kohe kur qindra mijëra njerëz u detyruan të lënë gjithçka pas. Përmes këtyre dëshmive, “Eksodi ’99” synon të ruajë kujtesën kolektive dhe të dokumentojë përvojat e të mbijetuarve që, pavarësisht traumës së luftës, u kthyen dhe rindërtuan jetën në Kosovë.
Burimi: botasot.info


