Njohësi i sigurisë, Gurakuç Kuçi, ka reaguar pas deklaratave të ministres serbe Snezhana Paunoviq për spastrimin etnik të Kosovës.
Kuçi ka thënë se fakti që Paunoviq nuk kërkoi falje ndaj shqiptarëve, ndërsa u mbrojt nga figura të larta të pushtetit serb, tregon, sipas tij, vazhdimësinë e një politike shtetërore.
Ai ka kritikuar reagimet e presidentit Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit Millosh Vuçeviq, duke thënë se problemi nuk ishte ideja e shprehur, por mënyra se si ajo u artikulua publikisht.
Sipas Kuçit, Serbia paralelisht po zhvillon edhe një fushatë ndërkombëtare për ta paraqitur veten si viktimë dhe Kosovën si përgjegjëse për gjoja spastrim etnik ndaj serbëve.
Shkrimi i plotë:
𝐏𝐬𝐞 𝐝𝐞𝐤𝐥𝐚𝐫𝐚𝐭𝐚 𝐞 𝐒𝐧𝐞𝐳𝐡𝐚𝐧𝐚 𝐏𝐚𝐮𝐧𝐨𝐯𝐢𝐪𝐢𝐭 ë𝐬𝐡𝐭ë 𝐩𝐨𝐥𝐢𝐭𝐢𝐤ë 𝐬𝐡𝐭𝐞𝐭ë𝐫𝐨𝐫𝐞 𝐞 𝐒𝐞𝐫𝐛𝐢𝐬ë 𝐝𝐡𝐞 𝐞 𝐫𝐞𝐠𝐣𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐭ë 𝐕𝐮ç𝐢𝐪𝐢𝐭?
Paunoviq deklaroi se, po të kishte qenë në vendin e Slobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.
Pavarësisht reagimeve të shumta nga përfaqësues ndërkombëtarë, Kosova dhe rajoni, ajo nuk u tërhoq nga kjo ide.
Paunoviq vetëm u kërkoi falje Vuçiqit, kryeministrit Macut dhe Qeverisë së Serbisë.
Jo shqiptarëve.
Madje, ajo tha se, në vend të termit “spastrim etnik”, ndoshta duhej të kishte përdorur termin “deportim”.
Pra, nuk e ndryshoi qëllimin.
Ndryshoi vetëm termin.
Pastaj ndërhyri zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq.
Në vend që ta dënonte deklaratën, ai e mbrojti Paunoviqin dhe e zhvendosi sulmin drejt atyre që e kritikuan.
Vetëm pas presionit publik, Vuçiq dhe kryeministri Macut deklaruan se spastrimi etnik nuk ishte politikë shtetërore e Serbisë.
Por Macut tha edhe diçka shumë domethënëse.
Ai deklaroi se Paunoviqit i kishte thënë se deklaratat “në atë kuptim” nuk ishin të pranueshme.
Çfarë do të thotë “në atë kuptim”?
Paunoviq nuk u shkarkua.
Nuk e tërhoqi idenë.
Nuk u kërkoi falje shqiptarëve.
Daçiq e mbrojti.
Dhe, në fund, Macut kërkoi që çështja të mbyllej.
Pra, Macut pranoi një të vërtetë shumë më të madhe:
problemi për regjimin nuk ishte domosdoshmërisht ideja e dëbimit të shqiptarëve, por fakti se ajo u artikulua në mënyrë tepër të drejtpërdrejtë.
Serbia fillimisht e ndezi opinionin e saj publik me një deklaratë për spastrimin etnik të shqiptarëve.
Pastaj e relativizoi deklaratën, e mbrojti ministren dhe kërkoi mbylljen e debatit.
Mirëpo, qëllimi tashmë ishte arritur.
Tani fushata po kalon në një nivel tjetër.
Paralelisht, shteti serb zhvillon një fushatë ndërkombëtare që e paraqet Serbinë si viktimë dhe Kosovën si kryerëse të një spastrimi të supozuar etnik ndaj serbëve.
Në këtë fushatë përfshihet edhe Kisha Ortodokse Serbe, e cila vazhdimisht prodhon narrativa për dhunë sistematike kundër serbëve dhe objekteve ortodokse në Kosovë.
Pjesë qendrore e këtij mekanizmi është edhe Arnaud Gouillon, drejtues i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Diplomaci Publike dhe Kulturore.
Për informacione të detajuara se si Kisha Ortodokse Serbe manipulon opinionin ndërkombëtar dhe se si sigurohen e promovohen deklarata kundër Kosovës, me metoda që kujtojnë propagandën e kohës së Millosheviqit, do të flas në videot e radhës.
Burimi: botasot.info


