Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati, ka reaguar ndaj gjuhës ofenduese të përdorur ndaj Bashkim Jasharit, duke e cilësuar atë si të papranueshme, skandaloze dhe të turpshme.
Përmes një reagimi publik, Gucati ka theksuar se fyerjet ndaj Bashkim Jasharit, i cili vjen nga familja emblematike Jashari, përbëjnë mungesë respekti jo vetëm ndaj tij, por edhe ndaj sakrificës së kësaj familjeje për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Ta quash ‘palaqo’ dhe të fyes e të ofendosh një njeri si Bashkim Jashari, që vjen nga familja heroike dhe emblematike Jashari, familja që dha gjithçka, deri te më i vogli, për lirinë dhe pavarësinë që e gëzojmë sot, është jo vetëm e papranueshme, por skandaloze dhe e turpshme”, ka shkruar Gucati.
Ai ka vlerësuar se përdorimi i një gjuhe të tillë tregon vogëlsi, mosmirënjohje dhe mungesë respekti ndaj historisë dhe sakrificës kombëtare.
Sipas tij, emri Jashari përfaqëson shumë më tepër se një mbiemër, pasi është simbol i lirisë, krenarisë dhe amanetit kombëtar.
Gucati ka kërkuar edhe reagimin e organeve të drejtësisë, duke theksuar se ndaj personave që përdorin gjuhë të tillë duhet të ndërmerren masat e nevojshme ligjore.
“Për këtë gjuhë të ulët dhe të papranueshme, organet e drejtësisë duhet të reagojnë pa hezitim dhe të marrin masat e nevojshme ligjore. OVL – UÇK e dënon ashpër këtë gjuhë skandaloze dhe të turpshme, duke qëndruar në mbrojtje të dinjitetit të vlerave tona dhe të atyre që sakrifikuan për këtë vend”, ka theksuar ai.
Në fund, kreu i OVL-UÇK-së ka rikujtuar çmimin e lartë që është paguar për lirinë, duke kërkuar respekt për familjen Jashari dhe sakrificën e saj.
“Liria nuk u dhurua, u pagua me gjak. Respekti për familjen Jashari është respekt për vetë lirinë tonë!”, ka përfunduar Gucati.
Burimi: botasot.info


