Grupi britanik i rokut, Pink Floyd është renditur në aktivistët për mbledhjen e fondeve për ti ardhur në ndihmë Ukrainës.
Me këngën “Hey Hey Rise Up” të publikuar në prill menjëherë pas agresionit rus ndaj Ukrainës, bëhet e ditur se janë mbledhur mbi 450 mijë paund apo rreth 508 mijë euro.
“Pink Floyd dëshiron të falënderojë të gjithë ata që mbështetën “Hey Hey Rise Up”. E regjistruar më 30 mars me Andriy Khlyvnyuk-un e grupit ukrainas Boombox, deri më tani kënga ka mbledhur mbi 450 mijë paund, për të ndihmuar sadopak në lehtësimin e vuajtjeve të popullit ukrainas. Shumës së grumbulluar, anëtarët e Pink Floyd, David Gilmour dhe Nick Mason i shtuan 50 mijë paund, për të arritur në 500 mijë paund ose afro 564 mijë euro që do të jepen për bamirësi” – thuhet në deklaratë.
Në këngën “Hey Hey Rise Up” dëgjohet edhe zëri i muzikantit ukrainas Andriy Khlyvnyuk, marrë nga një video e tij që e tregon duke kënduar në sheshin Sofiyskaya në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev dhe që u bë virale në mediat sociale.
Titulli i këngës së grupit Pink Floyd, lidhet me fjalinë e fundit të këngës, e që përkthehet si “Hej, Hej, ngrihu dhe gëzohu!”
Burimi: GAZETA.MK