Në Korçë është ndërprerë procesi i zgjedhjeve në degën lokale të PD-së, pas tensioneve të krijuara mes simpatizantëve të partisë.
Sipas informacioneve, në mëngjes disa mbështetës kanë grisur fletët e votimit pasi nuk i kanë gjetur emrat e tyre në listat e votimit.
Kjo ka sjellë kundërshtime dhe ka penguar zhvillimin normal të garës mes kandidatëve Irvin Bode dhe Harito Zoto.
Pavarësisht përpjekjeve për të qetësuar situatën, procesi nuk ka vijuar dhe zgjedhjet janë shtyrë për një datë tjetër, që pritet të caktohet nga kryesia e partisë.
Në këto kushte, përfaqësuesit që kishin shkuar nga Tirana për monitorimin e procesit kanë marrë me vete dy kutitë e votimit me votat e hedhura në mëngjes dhe janë larguar drejt kryeqytetit.
Procesi pritet të riorganizohet në një moment tjetër.
Burimi: botasot.info


