Janë shumë të natyrshme dhe të arsyeshme reagimet e sinqerta të prindërve dhe nxënësve, sikurse edhe të dashamirëve dhe njohësve të vërtetë të arsimit, për fillimin e vitit të ri shkollor.
Mirëpo, janë të papranueshme, të pamatura, për të mos thënë ofenduese, reagimet e pabaza të përfituesve ordinerë, matrapazëve, servilëve politikë e analfabetëve funksionalë.
Akoma më shqetësuese për këtë situatë aktuale në arsim, janë deklarimet dhe qëndrimet e disa ministrave dhe ish-ministrave, deputetëve dhe ish-deputetëve, të cilët janë të papërgatitur për pozitën dhe ulëset që mbajnë, të varfër intelektualisht, të lidhur politikisht, të cilët në aspektin profesional lënë shumë për të dëshiruar.
Për më tepër kësaj situate të palakmuar nuk i bëjnë nder as animet, përgojimet, akuzat, kërcënimet, përkundrazi nevojiten qëndrime e prononcime të matura e profesionale, ide kreative, për të zgjidhur këtë “ngërç” të panevojshëm dhe të stërzgjatur.
Aktualisht, pozita e mësimdhënësve nuk është e kënaqshme, ndërkohë që as nxënësit dhe as prindërit nuk janë fajtorë për këtë gjendje. Por, pasojat e grevës po rëndojnë kryekëput mbi kurrizin e tyre.
Përgjegjësit, aspak nuk po qajnë kokën për këtë gjendje alarmante.
Arsimi nuk është vetëm mësim e edukim, por është edhe emocion, pasion, dashuri, motivim dhe mbi të gjitha mision i shenjtë.
Për të dalë nga kjo rrugë e pakrye, duhet pasur në radhë të parë vullnet, guxim dhe gatishmëri dhe jo inat e xhelozi, sepse humbjet janë të pa llogaritshme për nxënësit.
Urgjentisht duhet të ulen te dyja palët dhe të gjejnë zgjidhje, e assesi të kërkojnë justifikime periferike.
Greva nuk është një “problem matematik”i pazgjidhshëm. Lypset vetëm mendim dhe vlerësim racional për të dalë nga kjo gjendje, ku “shkollat në dry” dhe nxënësit në shtëpi, është tepër e dhimbshme.
Reflektoni, ju lutem!
(Autori është mësimdhënës i Matematikës me përvojë mbi tri dekada dhe kryetrajner republikan për kurrikulë dhe disa programe të GIZ-it gjerman)