Greqi, protesta në Athinë për shkak të fundosjes së anijes me emigrantë

Më shumë se 1.000 persona organizuan protestë në kryeqytetin e Greqisë, Athinë, të enjten pas fundosjes së anijes së peshkimit të mbushur me emigrantë në brigjet jugperëndimore të vendit ku të paktën 79 prej tyre humbën jetën, raporton Anadolu.

Protestuesit e mbledhur në sheshin “Sintagma” në Athinë, kryesisht nga organizatat e majta, përfshirë Konfederatën tregtare PAME, shoqatat e studentëve dhe Partinë Komuniste Greke (KKE), protestuan ndaj politikave të Bashkimit Evropian (BE) për emigrantët si dhe ndaj NATO-s dhe politikave imperialiste për të cilën pretendojnë se nxisin fluksin e emigrantëve në Mesdhe.

“Ata e kthyen Mesdheun në detin e vdekjes”, brohorisnin protestuesit. Më pas turma marshoi drejt Zyrës së BE-së në shenjë proteste. Protesta për tragjedinë, e cila ndodhi të martën, u mbajtën edhe në qytete të tjera, përfshirë Patras, Larisa, Selanik dhe Lamia.

Ndërkohë, autoritetet greke ndaluan nëntë nga 104 të mbijetuarit, të gjithë egjiptianë, me dyshimin se ishin trafikantë me qenie njerëzore, sipas transmetuesit publik ERT. Ata thanë se anija e emigrantëve ishte nisur nga Egjipti, jo nga Libia siç pretendohej të mërkurën.

Lidhur me ngjarjen, prokurori i Gjykatës së Lartë greke, Isidoros Dogiakos caktoi të enjten një zëvendësprokuror të Gjykatës së Lartë Penale për të mbikëqyrur hetimin e incidentit.

Kreu i partisë kryesore opozitare SYRIZA, Alexis Tsipras, foli të enjten me Komisioneren Evropiane për Punët e Brendshme, Ylva Johansson në lidhje me tragjedinë e mbytjes së anijes, thuhet në deklaratën e partisë.

“Ky incident tregon në mënyrën më të qartë dështimin e BE-së për promovimin e politikës së strukturuar të migracionit të refugjatëve që vendos jetën njerëzore si prioritet të parë”, tha Tsipras.





Story i mëparshëm

Papa Françesku lirohet nga spitali pas operacionit

Story i radhës

44-vjeçari alarmon policinë, vendos kallëpe tritoli në banesën e një tjetri që të arrestohet, por e pëson vetë

Të fundit nga