Asnjë shqiptar i ndershëm dhe atdhetar i mirëfilltë nga Kosova dhe nga mbarë shqiptarët, nuk mund t’i bie në fije dhe ta kuptojë vizitën e këtyre ditëve në Gjykatën Speciale në Hagë të Glauk Konjufcës-Kryeparlamentarit të Kosovës.
Të enjten më datë 16 qershor 2022 para Parlamentit të Kosovës protestuan veteranët e rrejshëm të Kosovës, të organizuar nga PDK-ja dhe AAK-ja, protestë e cila ndikoi në sjellje të acaruara rrugaçërie nga deputetët e opozitës, dhe në ndërprerjen e seancës së Parlamentit.
Kjo protestë u organizua gjoja për rritjen e pagës minimale edhe për 60 mijë veteranët, pjesa dërmuese e të cilëve janë veteranë të rrejshëm, sepse sipas analizave gjatë luftës nuk ka patur më shumë se 13 mijë luftëtarë të UÇK-së.
Qëllimi kryesor i këtyre protestave të veteranëve të rrejshëm është krijimi i trazirave dhe rrëzimi i Qeverisë së Albin Kurtit, e cila tashmë e mori edhe mbështetjen e Komisionit të Venecias për dokumentin e Vetingut të hartuar nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës dhe Projektligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme për periudhën pas datës 17 shkurt 2008.
Kjo ua ka shti tmerrin, i ka vënë në siklet të madh dhe i ka ngjitur për muri ish-komandantët milionerë të korruptuar të pasluftës në Kosovë, të cilët nëpërmjet veteranëve të rrejshëm, që i kanë futur në listat e fryra të veteranëve edhe nëpërmjet ryshfetit. Tani këta veteranë të rrejshëm po i përdorin si militantë të PDK-së dhe AAK-së, të gatshëm që Kosovës t’ia japin edhe flakën vetëm e vetëm që ish-komandantët ta shpëtojnë veten dhe pasurinë e tyre të jashtëligjshme.
Protestës së veteranëve më 16 qershor i parapriu Hashim Thaçi, me mesazhin nga Haga më 5 qershor që ua dërgoi qytetarëve dhe aktivistëve të PDK-së, ku thuhej “Qëndroni të bashkuar. Nëse ju atje poshtë jeni të bashkuar, edhe unë këtu sfidën e kaloj, bile nuk e ndjej hiç”.
Kësaj proteste i parapriu edhe AAK-ja në krye me Ramush Haradinajn dhe deputetët e tij, që së bashku me deputetët e PDK-së, bënë çmos për ta detyruar Qeverinë ë Albin Kurtit që me rritjen e pagës minimale t’i përfshijë edhe veteranët e rrejshëm, që janë pjellë e Hashim Thaçit, Ramush Haradinajt, Agim Çekut etj.
Qeveria e Albin Kurtit kërkon që paraprakisht të pastrohen listat e fryra nga veteranët e rrejshëm, dhe më pastaj veteranëve të vërtetë tu caktohet pagë më e madhe dhe më dinjitoze.
Glauk Konjufca-Kryeparlamentari i Kosovës dje është takuar me ish-udhëheqësit e UÇK-së, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin dhe Pjetër Shalën, ndërsa sot më 19 qershor 2022, pritet të takohet me Hashim Thaçin e Kadri Veselin.
Glauk Konjufca nga Haga ka deklaruar se, “Duhet t’i harrojmë mosmarrëveshjet e së kaluarës dhe t’i bashkojmë forcat. Është mirë që po ndodhë, institucionet tona në Kosovë gjithmonë duhet të jemi afër. Me këtë që po shohim në Gjykatën Speciale, jemi të brengosur dhe shumë të pakënaqur. Kanë kaluar 24 muaj nga publikimi i aktakuzës ndaj krerëve të UÇK-së, por procesi gjyqësor ende s’ka filluar, kjo jep indikacione që Specialja po i mban të izoluar qëllimisht. Kjo është ajo që duhet ta kritikojmë dhe bëjmë trusni institucionale. Nëse Gjykata nuk është e përgatitur duhet t’i lirojë këto persona, ose të pranojë se po i izolon”.
Kjo vizitë i ka habitur tërë dashamirësit e Kosovës, sepse është vizitë e pakuptimtë dhe që bie ndesh me numrin e madh të vëllavrasjeve të kundërshtarëve politike për pushtet, për çka akuzohen të paraburgosurit në Hagë, vizitë që e denigron kryeparlamentarin Glauk Konjufca nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër Glauk Konjufca nuk mund tu ndihmojë në asnjë mënyrë këtyre të akuzuarve në Gjykatën Speciale në Hagë.
Glauk Konjufca, kryeparlamentari i Kosovës, fillimisht duhet ta pastrojë oborrin në Kosovë, ku deri sot ende po funksionon drejtësia, gjyqësia, prokuroria e kapur dhe e korruptuar nga ish-komandantët e UÇK-së me Hashim Thaçin e Kadri Veselin në krye, ku proceset gjyqësorë zgjasin më shumë se një dekadë dhe ku dënime më të mëdha marrin ata që kanë vjedhur një pulë, se sa vëllavrasësit të kundërshtarëve politikë, të cilët shumë prej tyre ende nuk janë zbuluar e lënë më të jenë dënuar.
Kolapsin ekonomik të Kosovës në 21 vitet e kaluara që solli shpërnguljen e më shumë se gjysmë milioni të të rinjve të Kosovës, e shkaktuan udhëheqësit e korruptuar qeveritarë e shtetërorë ish komandantë të UÇK-së, dhe jo qeveria e Albin Kurtit.
Vëllavrasjet e kundërshtarëve politikë për pushtet gjatë luftës dhe pas çlirimit të Kosovës, i kryen klani i “Rognerit” dhe klani i Pan-it, dhe jo qeveria e Albin Kurtit.
O Glauk Konjufca, më datë 18 qershor 2022, analisti dhe studiuesi ynë i nderuar Idriz Zeqiri në “Bot sot” në rubrikën politika, botoi shkrimin argumentues, përmbajtjesor dhe demaskues me titull, “Fakte që dëshmojnë se komandantët pranojnë fajësinë për vrasjet politike”, që domosdo duhet ta lexosh dhe ta kuptosh se vizita juaj në Hagë, është e pa menduar mirë, është gabim i madh, është absurde dhe e pakuptimtë.
Po t’i paraqes vetëm disa nga fragmentet e këtij shkrimi të analistit dhe studiuesit Idriz Zeqiri, i cili thotë se, “Kur Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë po diskutonte për afatin e mandatit të saj për hetimin e krimeve të luftës, komandantët që “e kishin mizën pas veshit” reaguan ashpër, të mos kalohej tej vitit 2000, sepse luftën e konsideronin si kohë të rrëmujshme dhe vrasjet mund t’ia faturonin pushtuesit, dhe arritën ta kufizojnë deri në vitin 2000.
Kjo është amnisti e krimeve të mëvonshme serike, nga e njëjta strukturë kriminale, e përkufizuar profesionalisht si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale nga prokurori amerikan Jack Smith”.
Të gjithë të akuzuarit dhe të arrestuarit për krime vrastare apo hajnore, përgjatë tej dy dekadave kanë qenë dhe mbeten të fajshëm.
Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë, është themeluar për t’i korrigjuar gabimet e bëra nga Gjykata e Hagës, e cila me vendime politike shkeli mbi gjakun e më shumë qindra viktimave të pafajshme, kryesisht shqiptare, luftëtarë dhe atdhetarë, të përkushtuar për çlirimin e Kosovës.
Hetim, i vrasjeve duhet të nis nga Shqipëria, nga atje ku kanë nisur vrasjet politike.
Ishte Sigurimi Shqiptar, ai që i instruktoi kriminelët e Kosovës, për ta marrë pushtetin me dhunë, atje ku është bërë edhe ekzekutimi zyrtar i Ahmet Krasniqit-ministrit të luftës në vlugun e luftës”, shkruan mes tjerash analisti dhe studiuesi Idriz Zeqiri.