​Gjuha e urrejtjes në rritje, Konjufca: Politikanët nuk janë shembull i mirë

September 20, 2023
min lexim

Politikanët nuk kanë arritur të jenë shembull i mirë i luftimit të gjuhës së urrejtjes, tha kryeparlamentari Glauk Konjufca. Sipas tij, përgjegjësia bie mbi secilin përfaqësues politik që ta dënojë gjuhën e urrejtjes. Konjufca deklaroi se Kuvendi është në procedurën e hartimit të Kodit të Etikës, e cila sipas tij do të ndihmojë për krijimin e praktikave demokratike të komunikimit. Kështu tha ai në konferencën “Gjuha e urrejtjes në diskursin publik”, ku mes tjerash u nënvizua se gjuha e urrejtjes në Kosovë është në rritje.

Konjufca tha se gjuha e urrejtjes është një fenomen global, i cili po sfidon në çdo shtet të botës.

Konjufca: Politikanët nuk kanë arritur të jenë shembull i mirë i luftimit të gjuhës së urrejtjes

“Fatkeqësisht, ekzistojnë raste të shumta kur edhe politikanët nuk kanë arritur të jenë shembull i mirë i luftimit të gjuhës së urrejtjes në diskursin publik dhe ta ofrojnë atë shembull, atë model që duhet dhe kjo është një model i cili promovon një gjuhë që promovon veçoritë e secilit individ, vlerat e tij, e sidomos të grupeve shoqërore, grupeve etnike, të grupeve identitare të ndryshme racore, fetare, seksuale e kështu me radhë. Një prej formave më të shprehura e dekurajimit për përfshirjen publike dhe politike, sidomos në grupet më të cenueshme shoqërore, pra është gjuha e urrejtjes. Konsiderohet që përgjegjësia bie mbi secilin përfaqësues politik që jo vetëm ta dënojmë gjuhën dhe e cila nxit urrejtje, por edhe të ftojmë mbështetësit dhe qytetarët për tolerancë dhe mirëkuptim, pavarësisht dallimeve që i kemi”, deklaroi Konjufca.

Pavarësisht legjislacionit, kryeparlamentari shtoi se përvoja e deritashme ka dëshmuar nevojën për përforcimin e mekanizmave.

Konjufca: Kuvendi është në procedurën e hartimit të Kodit të Etikës

“Kuvendi i Kosovës është në procedurën e hartimit të Kodit të Etikës, ne ende si Kuvend nuk e kemi Kodin e Etikës. Jemi duke e përpiluar atë. Dhe kjo ma merr mendja që më shumë do të ndihmojë përfaqësuesve të popullit për krijimin e praktikave demokratike të komunikimit. Dhe që ato të jenë më të kontrolluara, më të standardizuara dhe që të mos lejojmë përdorimin e shprehjeve të tilla, të cilat më vjen keq do të mund t’i keni dëgjuar edhe në Parlamentin e Kosovës”, u shpreh ai.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog tha se gjuha e urrejtjes i prek më së shumti grupet e ndjeshme dhe se ky fenomen është i njëjtë me terrorizmin.

Szunyog: Gjuha e urrejtjes dhe krimi i urrejtjes janë krime serioze

“Për BE-në gjuha e urrejtjes dhe krimi i urrejtjes janë krime serioze sepse ndikojnë shumë në të drejtat fondamentale të individëve, të shoqërisë në përgjithësi dhe minojnë edhe vet themelin e shoqërisë tonë. Komisioni ka përfshirë edhe gjuhën e urrejtjes dhe krimin e urrejtjes në zgjerimin e krimeve të BE-së dhe që nga 2021 në dhjetor, gjuha e urrejtjes dhe krimi i urrejtjes do të jenë në të njëjtën grup të krimeve sikurse edhe terrorizmi, trafikimi me qenie njerëzore, drogat e paligjshme, trafikimi i armëve e kështu me radhë. Gjuha e urrejtjes i prek më së shumti ata më të ndjeshmit, komunitetin LGBTI, rom, ashkali, egjiptas dhe komunitetet tjera joshumicë, si dhe vajzat, gratë nga të gjitha komunitetet, persona me pa aftësi dhe çfarëdo grupi tjetër që ndihet sikur në disavantazh apo i margjinalizuar”, u shpreh Szunyog.

Sipas tij, raportet rregullative të Kosovës kanë ndërmarrë masat e duhura për të adresuar gjuhën e urrejtjes.

Me këtë rast, kryetari Glauk Konjufca ka përmendur edhe rastet kur është hasur gjuhë e urrejtjes në librat shkollor, për çka tha se janë dëshmi që nuk ka pasur kontroll e as cilësi para se të njëjtat të publikohen.

Për këtë foli edhe Avokati i Popullit, Naim Qelaj ku tha se janë analizuar 47 teksteve shkollore, ku është vërejtur në masë të madhe gjuha e urrejtjes.

Qelaj: Gjuha e urrejtjes është në rritje

“Nëse i referohemi një analize të thjesht të diskursit të komunikimit publik sot në vendin tonë, unë mund të konstatoj se gjuha e urrejtjes në baza diskriminuese ndaj grave, personave LGBTI është në rritje dhe kjo kryesisht mbi bazën e seksit, gjinisë, identitetit gjinor të tyre. E kjo rritje vërehet dukshëm siç u tha edhe nga kryetari i Kuvendit, në rrjete sociale, si platforma që lehtësojnë qasjen gjithëpërfshirëse të secilit dhe mundësinë të lehtë për të shprehur, pamenduar për pasojat që mund t’i ketë ajo që komentojnë në këto platforma”, tha Qelaj.

Tutje, ai theksoi se janë në fazën përfundimtare të analizimit të gjuhës në diskursin publik, ku siç tha ai, është vërejtur gjuhë e urrejtjes nga deputetët në debatet parlamentare për Kodin Civil.

E drejtoresha e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut “YIHR”, Marigona Shabiu tha se qytetarët janë vazhdimisht dëshmitarë të një kulture fyese të debatit në Kuvend.

Shabiu: Në kuvend kemi dëgjuar gjuhë e urrejtjes diskriminuese dhe pezhorative

“Një gjuhë e tillë është kërcënim për vet demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Historia ka treguar që gjuha e urrejtjes është një akt në serinë e akteve që shpesh herë rezulton në krime më të madh të urrejtjes dhe si e tillë përbën rrezik për çdo shoqëri dhe qytetar. Rrezikshmëria e gjuhës së urrejtjes si një akt shumëfishohet kur ajo instrumentalizohet dhe përdoret nga vetë zyrtarët e liderët shtetëror, që bartin pushtet institucional. Fatkeqësisht ne jemi dëshmitar të këtij fenomeni në vazhdimësi në Kosovë. Fillojmë me Kuvendin e Republikës së Kosovës, në këtë institucion që supozohet të jetë forum për promovimin e barazisë, lirisë së gjithëpërfshirjes, kemi dëgjuar të përdoret gjuhë e urrejtjes si diskriminuese, ashtu edhe pezhorative ndaj komuniteteve dhe individëve më të cenueshëm të shoqërisë tonë”, përfundoi ajo.

Edhe Shabiu ka përmendur seancën e 16 marsit ku është debatuar për Kodin Civil, ku tha se ka krijuar ndjenjë të frikës dhe pasigurisë për komunitetin LGBTI.Sipas saj, personat e njëjtë nuk po ndëshkohen dhe vazhdojnë të mbajnë pozita.

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Pamjet e reja tronditëse: Edukatorja e fut dhe rreh të miturin në dhomën ku s’ka kamera

Story i radhës

A do ketë dasëm këtë vit? Einxhel u jep përgjigjjen ndjekësve!

Të fundit nga

ShkoLartë