Pas dhunës së përdorur nga forcat e sigurisë ndaj demonstruesve gjatë protestave në Iran, Gjermania dhe Islanda kanë kërkuar një seancë speciale të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë.
Ata dërguan një letër për këtë në sekretariatin e këshillit, sipas ambasadës gjermane në Gjenevë.
Seanca do të mbahet në javën që fillon më 21 nëntor.
”Kërkesa mbështetet nga më shumë se 40 vende, duke përfshirë më shumë se 15 të përfaqësuara në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut”, thanë ata.
47 vendet anëtare të këshillit nuk mund të vendosin sanksione, por ato mund të miratojnë rezoluta që dënojnë dhunën dhe të krijojnë një mekanizëm për të hetuar më tej situatën.
Anëtarët e këshillit zgjidhen nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së për tre vjet.
Përveç Gjermanisë, këto aktualisht përfshijnë Kubën, Eritrenë, Venezuelën dhe SHBA-në.
“Ne gjithashtu do t’u japim një zë ndërkombëtarisht grave dhe burrave të guximshëm në Iran, të cilët kanë dalë në rrugë për të drejtat e tyre për javë të tëra”, tha ambasadorja gjermane në Gjenevë, Katharina Stasch.
“Ne duam që faktet të mblidhen në mënyrë të pavarur dhe shkeljet e të drejtave të njeriut të sillen para drejtësisë kombëtare dhe ndërkombëtare”, theksoi ajo.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Husein Amirabdollahian, kërcënoi të enjten Gjermaninë me pasoja nëse qeveria gjermane zgjedh konfrontimin me qeverinë në Teheran në vend të angazhimit.
Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock hodhi poshtë kërcënimet e tilla.
Ajo tha se ato nuk ishin ”një mjet i politikës së jashtme dhe marrëdhënieve ndërkombëtare”.