Gjermania ka përfunduar dërgimin e një pakete të re ushtarake në Ukrainë, që përfshin dronë dhe automjete luftarake, konfirmuan autoritetet, transmeton Anadolu.
Sipas një dokumenti të publikuar në faqen e internetit të qeverisë, autoritetet gjermane i kanë dorëzuar së fundmi Ukrainës 20 dronë zbulimi, 20 automjete luftarake “Marder”, dy tanke për pastrimin e minave dhe tri ambulanca.
Paketa e ndihmës ushtarake përfshin gjithashtu sisteme vëzhgimi dhe zbulimi të dronëve, 3.000 fishekë artilerie dhe 1,5 milion fishekë për armë zjarri.
Berlini ka rritur mbështetjen e tij ushtarake për Ukrainën pas presionit nga SHBA-ja dhe aleatët e tjerë dhe aktualisht është furnizuesi i dytë më i madh i armëve për vendin.
Që nga fillimi i luftës në shkurt 2022, Gjermania i ka dhënë 22 miliardë euro mbështetje financiare Ukrainës, duke përfshirë 12 miliardë euro ndihmë ushtarake.
Ndihma ushtarake përfshin armë dhe pajisje të avancuara, si tanke luftarake “Leopard 2”, tanke kundërajrore “Gepard”, automjete luftarake “Marder” dhe sisteme të mbrojtjes ajrore “Patriot” dhe “IRIS-T”.