Laptopët gaming Lenovo do të marrin një rifreskim të madh falë CES 2025. Seritë e reja përfshijnë edhe yllin e vërtetë, gjeneratën e 10-të të Legion Pro 7i.
Laptopi në fjalë ofron mbështetje për kartat grafike më të fundit Nvidia, përfshirë flagshipin GeForce RTX 5090, falë një sistemi ftohjeje që mundëson kapacitet operimi prej 250W.
Legion Pro 7i gjithashtu shfrytëzon një sistem tjetër për ndryshimin e konsumit të energjisë në mënyrë dinamike të procesorit dhe kartës grafike në mënyrë që të garantohet performancë optimale.
Gjithashtu ofron mbështetje për procesorët e fundit Intel Core Ultra, përfshirë flagshipin Core Ultra 9 275HX. Ky procesor mund të shoqërohet me deri në 64GB RAM DDR5 6400Mhz.
Legion Pro 7i vjen me një ekran OLED 16-inç WQXGA (2560×1600) me raport 16:10 dhe frekuencë rifreskimi prej 240Hz. Paneli ka vonesa prej 1ms dhe ndriçim prej 500nits. Legion Pro 7i ka dy porta USB-C, tre porta USB-A dhe një portë HDMI 2.1. Ka një peshë prej rreth 2.72 kilogram.
Del në shitje në muajin Mars me çmime që fillojnë prej 2,399 dollarë.
Ndërkaq modelet Legion Pro 5i (Intel) dhe Legion Pro 5 (AMD) mund të pajisjen me procesorët Intel Core Ultra 9 275HX dhe AMD Ryzen 9 9955HX respektivisht. Kanë një TDP prej 200W, që do të thotë se mund të akomodojnë kartat grafike RTX 5070 Ti. Përdoruesit mund të blejnë konfigurimet 32GB dhe 64GB RAM.
Gjithashtu kanë ekran 16-inç WQXGA (2560×1600) me raport 16:10, ndriçim 500nits dhe vonesa 1ms. Ekrani ka frekuencë rifreskimi prej 165Hz.
Kur të mbërrijnë në Qershor, Legion Pro 5i fillon prej 1,499 dollarë dhe Legion Pro 5 nga 1,399 dollarë.
Lenovo do të shesë edhe variantet jo-Pro të Legion 7i dhe Legion 5i të cilët gjithashtu mund të pajisen me procesorin Core Ultra 9 275HX por vetëm me kartën grafike RTX 5070. Të dy kanë panele OLED. Legion 5i ka edhe një variant AMD me procesorë deri në Ryzen AI 7 350. Legion 7i fillon prej 1,599 dollarë ndërsa Legion 5i prej 1,299 dollarë. /PCWorld Albanian
Burimi: pcworld.al