Nga një emër premtuesi i futbollit italian, në një kriminel pas hekurave të qelisë.
Ky është transformimi në pak muaj i 22-vjeçarit Manolo Portanova, i cili tashmë do të vuajë një dënim me 6 vite burg si pasojë e gjyqit për akuzën e përdhunimit në grup të një vajze.
Futbollisti, i cili ka dalë nga akademia e Juventusit dhe ka qenë pjesë e ekipit të parë të bardhezinjve, ishte bërë pjesë e Xhenoas në fillimin e edicionit të kaluar dhe luajti 27 ndeshje me këtë skuadër.
Por në verë, ai u arrestua nga policia italiane bashkë me dy shtetas të tjerë, një nga të cilët xhaxhai, me akuzën se kishin përdhunuar në grup një vajzë në Siena.
Gjykata e Sienës ka dhënë sot vendimin duke dënuar Portanovën dhe xhaxhain e tij me 6 vite burg si dhe një gjobë prej 120 mijë eurosh për t’ia paguar familjes së viktimës. Ndërsa një shtetas i tretë i akuzuar, i cili nuk kishte pranuar dënimin e përshpejtuar, do të gjykohet në një datë për t’u caktuar.