Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar pas ngjarjes tragjike që ndodhi sot në fshatin Demiraj të Gjilanit, ku humbën jetën dy persona.
Përmes një postimi në Facebook, Gërvalla e ka cilësuar rastin si një ngjarje që ka tronditur jo vetëm Gjilanin, por edhe të gjithë shoqërinë.
Ajo ka theksuar se familja duhet të jetë vendi më i sigurt për çdo njeri, ku mbizotërojnë dashuria, harmonia, kujdesi dhe mbrojtja.
“Çdo ngjarje që e cenon këtë siguri kërkon vëmendje dhe reagim të menjëhershëm institucional”, ka shkruar Gërvalla.
Më tej, ajo ka kërkuar që rrethanat e rastit të hetohen plotësisht dhe pa vonesa, në mënyrë që të zbardhet e vërteta dhe institucionet përgjegjëse të ndërmarrin veprimet e nevojshme në përputhje me ligjin.
Në fund të reagimit, Gërvalla u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve të viktimave.
Burimi: botasot.info


