Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në emisionin “Win- win” në Televizionin Telma ka thënë se të gjitha situatat që çojnë në cenimin e marrëdhënieve ndëretnike janë të papranueshme.
“Me vepra duhet të tregojmë se çka bëjmë. Në politikë kam hyrë në një situatë ku marrëdhëniet ndëretnike nuk kanë qenë edhe aq të mira. Por nuk kam dashur të jem pjesë a atij narrativi apo diskursi politik edhe si sekretar i përgjithshëm si, themelues i partisë apo kryetar i partisë”, tha Gashi.
Ai u shpreh se nuk mund të pritet që Kuvendi të jetë mbi institucionet tjera apo procedura shoqërore. Sipas tij, secili duhet secili të ndjehet i përgjegjshëm në këtë shoqëri.
“Porosia e ime është secili ta kryejë punën e tij në mënyrë të përgjegjshme”, ka thënë Gashi.
Ai ka thënë se nëse ka pasur ndërhyrje nga ana e tij, më së shumti kjo ka qenë evidente ndaj pozitës se sa opozitës.
“Ndaj opozitës jam shumë më i kujdesshëm, pastaj kam kujdes të mos hyjë në përmbajtjen politike të asaj që ministri dhe deputeti e thotë. Derisa nuk ka ndonjë fyerje dhe gjuhë të urrejtjes, unë nuk dua të ndërhyj në fjalën e askujt”, ka thënë kryeparlamentari Gashi.
Burimi: lajmpress.org


