Bora Zemani nuk do të jetë pjesë e ekranit të Top Channel në sezonin e ri televiziv.
Sipas burimeve të Prive By Liberta Spahiu, kapitulli mes moderatores dhe televizionit është mbyllur pa shumë bujë, pas disa vitesh gjatë të cilave Bora ishte një prej figurave kryesore të programeve argëtuese të këtij ekrani.
Një prej pikave më të rëndësishme në karrierën televizive të Zemanit ishte “Për’puthen”. Ajo mori drejtimin e formatit në vitin 2020 dhe sezoni i parë nën moderimin e saj u shndërrua në një fenomen të madh televiziv, veçanërisht në platformat digjitale.
Pas suksesit të “Për’puthen”, Bora vazhdoi me projekte të tjera të rëndësishme të Top Channel. Në vitin 2022, ajo u bë prezantuese e “Dancing With The Stars”, duke rikthyer sërish në drejtimin e spektaklit edhe në sezonin pasues.
Më vonë, Zemanit iu besua edhe drejtimi i “Piramida”, një tjetër format i transmetuar në prime time, duke e konsoliduar edhe më tej si një prej moderatoreve kryesore të televizionit.
Në vitin 2025, Bora iu bashkua edhe programit humanitar “Për Shqiptarët”, të cilin e drejtoi së bashku me Elvis Naçin. Top Channel e prezantoi atë si një prej risive të sezonit të dytë, ndërsa moderatorja vazhdoi të ishte pjesë e programit edhe në sezonin pasues.
Tashmë, sipas burimeve të Prive, ky bashkëpunim nuk do të vazhdojë në sezonin e ri televiziv.
Largimi i saj nga Top Channel hap edhe një kapitull të ri në karrierën e moderatores. Mbetet për t’u parë nëse Bora do t’i kushtojë më shumë kohë aktiviteteve të saj sipërmarrëse dhe brandit “Zeman”, apo nëse së shpejti do ta shohim sërish në ekran, këtë herë nën një tjetër logo televizive.
Për momentin, e ardhmja televizive e Bora Zemanit mbetet një prej pikëpyetjeve interesante të sezonit të ri.
Burimi: botasot.info


