Forcat e sigurisë së Izraelit kanë vrarë tre sulmues të armatosur nga grupi militant palestinez, Xhihadi Islamik. Vrasja ndodhi pas një shkëmbimi zjarri në Bregun Perëndimor të shtunën, më 2 prill.
“Kjo është një celulë terroriste që ka qenë e përfshirë në aktivitetet terroriste kohët e fundit kundër forcave të sigurisë dhe me sa duket ishte duke u përgatitur për një sulm të ri”, tha policia.
Katër oficerë izraelitë janë plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit.
Xhihadi Islamik pranoi se tre personat e vrarë i përkisnin këtij grupi.
Tensionet janë rritur javën e fundit, pasi në Izrael janë kryer një sërë sulmesh vdekjeprurëse nga sulmuesit arabë. Zyrtarët kanë paralajmëruar se mund të ketë rritje të sulmeve gjatë Muajit të Ramazanit, që ka nisur të shtunën, pasi edhe në të kaluarën, gjatë Ramazanit ka pasur sulme.
Të martën, më 29 mars, një sulmues palestinez vrau pesë persona në qytetin izraelit Bnei Brak para se të vritej nga policia. Ky sulm ishte i fundit në serinë e sulmeve që ndodhën gjatë javës nga sulmues arabë, që janë të vrarë 11 persona.
Forcat izraelite vranë tre palestinezë në Bregun Perëndimor gjatë përleshjeve më 31 mars dhe 1 prill, dhe një palestinez theri me thikë një udhëtar në një autobus izraelit pranë një vendbanimi hebre. Më pas ai u vra nga një udhëtar tjetër./VOA