Lufta e filluar tashmë e disa muaj në Ukrainë ka arritur të sjellë një destabilizim në të gjithë botën, e padyshim e ka prekur edhe Kosovën.
Nga kjo situatë është rënduar mjaft shumë ekonomia e vendit duke arritur kështu të ketë një rritje ekstreme të çmimeve.
Për të mos mjaftuar me kaq, një nga ngjarjet që provokojnë destabilizim për vendin tonë janë protestat e mbajtura nga veteranët dhe paralajmërimi për protesta të tjera.
Këto protesta kanë ardhur si rezultat i mospërfshirjes së veteranëve në pagën minimale.
E në lidhje me këtë situata për “Bota sot”, ka folur Sekretari i përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli.
Makolli shprehet se bashkëpunimi i pozitës dhe opozitës duhet të jetë në nivel për të mirë të qytetarëve.
Gjithashtu ai cek që AKR-ja gjithmonë punon në të mirë të vendit dhe nuk i përkrah interesat personale për të dëmtuar qytetarët e vendit.
Intervista e plotë
“Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në vend?
Vesel Makolli: Nga fillimi i agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, bota e në veçanti Evropa, është ballafaquar me një vatër të krizës së madhe të sigurisë, që ndoshta është edhe më e rrezikshme se kriza e Kubës e vitit 1962. Demokracia botërore me në krye SHBA-të dhe aleatët janë të unifikuar për mbrojtjen e sovranitetit të Ukrainës me të gjitha mjetet e mundshme diplomatike dhe militare (duke i dërguar armatim të nevojshëm ushtrisë ukrainase).
Kjo krizë ka ndikuar në tërë kontinentin e vjetër, në të gjitha suazat duke filluar nga siguria e deri te ekonomia.
Kjo krizë me të gjitha pasojat ka ndikim të veçantë në Ballkan e sidomos në Kosovë.
Në këtë pjesë të Evropës kemi pas gërshetimin shekullor të kulturave, asaj perëndimore oksidentale evropiane dhe kulturës së lindjes asaj orientale. Ballkani historikisht ka qenë fokus i kontesteve ndëretnike dhe territoriale me ndikim destabilizues në nivel europian dhe më gjerë. Rusisë i ka mbetur në këtë pjesë të botës i vetmi aleat Serbia, andaj nëpërmjet saj tenton ta destabilizojë këtë regjion për ta shtrirë ndikimin eventual të saj.
Të gjitha këto ndikojnë në situatën aktuale politike në vend duke diktuar që të jemi shumë syçelë dhe në koordinim permanent me miqtë tanë ndërkombëtar, sidomos me nunin e pavarësisë SHBA-të.
Gjendja aktuale politike në Kosove, aktualisht është stabile
Ka tendenca për destabilizim të situatës sidomos nga pala serbe e ndihmuar nga Rusia. Duhet të jemi vigjilent dhe të kemi unitet se, çdo destabilizim do të shkonte në disfavor tonin.
Është fat i madh që për sigurinë e Kosovës është përgjegjës KFOR–i.
“Bota sot”: Një nga temat më të diskutuara aktualisht është protesta e veteranëve për shkak të mos-futjes në projektligjin e ri për pagat, cili është komenti i juaj?
Vesel Makolli: Të gjithë ata që i kanë rrok armët në dorë dhe kanë luftuar për këtë liri që ne sot e gëzojmë, duhet ta kenë tretmanin dhe respektin maksimal konform meritave të tyre.
Ne të gjithë e dimë, bile komandantët e zonave e kanë thanë që numri i luftëtarëve të vërtetë është disa herë më i vogël se lista e përpiluar që është tash në fuqi.
Lista e veteranëve të luftës duhet të revidohet duke i larguar veteranët e rrejshëm. Është shumë e ulët që luftëtarët e lirisë të krahasohen me të gjithë ata që me forma të ndryshme mashtruese e kanë marrë epitetin e luftëtarit të lirisë. Por, kjo nuk duhet të jetë pengesë për aprovimin e ligjit për pagat, pasi që lista mund të revidohet më vonë në kontinuitet duke ndërmarrë të gjitha veprimet konform rregullave juridike.
“Bota sot”: Këto protesta të vazhdueshme po gjejnë mbështetje tek opozita. Si e shihni ju qëndrimin e opozitës në këtë rast?
Makolli: Opozita duhet të jetë konstruktive, po ashtu pozita duhet të punojë dhe të udhëheq duke i respektuar të gjitha rregullativat ligjore e kushtetuese. Opozita duhet t’i dal “krah” atyre që kërkojnë drejtësi, e në këtë rast është shumë e arsyeshme përkrahja e veteranëve për të pas një tretman dinjitoz sa i përket anës materiale. Apriori jam kundër përdorimit të kërkesave të veteranëve për të fituar poena politik (nëse ka kësi rasti), por në këtë rast mendoj se përkrahja është e arsyeshme, por duhet të jetë në suaza të opozitarizmit normal dhe të kulturuar.
“Bota sot”: Tërheqja e Trustit, po kërkohet nga qytetarët, mirëpo qeveria po vazhdon ta kundërshtojë këtë ide. Sipas jush a duhet të ndodhë një gjë e tillë?
Makolli: Agresioni rus në Ukrainë, ka prodhuar një krizë të madhe ekonomike. Siç dihet Rusia ka resurse të mëdha energjetike, gaz dhe nafte, dhe bllokada ekonomike që ju është bërë shtetit agresor Rus, ngriti çmimin e naftës dhe pastaj në mënyrë zinxhirore u rriten shumë çmimet e produkteve elementare për jetë. Në Kosovë, ku standardi i jetesës është i ulët, kjo ngritje e çmimeve ka sjellë buzë varfërisë ekstreme një pjesë të konsiderueshme të popullatës.
Në këtë kontekst duhet të analizohet mirë situata nga ekspertet e lëmisë ekonomike dhe të merret qëndrim i cili do të jetë në interes të popullit dhe të shtetit.
Pozita dhe opozita duhet t’i ballafaqojnë argumentet e tyre dhe të vinë tek një zgjedhje e pranueshme që kishte me ndihmuar sado pak në këtë situatë të vështirë ekonomike.
“Bota sot”: Cila mund të jetë zgjidhja për daljen nga kriza aktuale ekonomike?
Makolli: Kosova qysh nga çlirimi ka pas nevojë për një program të mirëfilltë ekonomik, i cili kishte me i pas efektet zhvillimore me etapa kohore. AKR-ja, nga themelimi i saj, si synim kryesor ka pas zhvillimin ekonomik të vendit.
Presidenti Behgjet Pacolli dhe AKR-ja e ka thënë që nga viti 2007, por tashmë po kuptohet qartësisht se ekonomia dhe një plan zhvillimi është gjithçka që na duhet për ta konsoliduar shtetin.
Qeveria duhet të ndërmerr hapa të shpejt dhe të menduar mirë për ta përballuar këtë krizë ekonomike dhe për të planifikuar zhvillim ekonomik vjetor dy shifror, i cili kishte me mundësuar hapjen e vendeve të reja të punës. Shteti nuk mund të funksionojë me ndihma, andaj duhet t’i destinoj mjetet buxhetore shtetërore për projektet zhvillimore ekonomike. Në këtë drejtim pozita nuk duhet të jetë kokëforte, e mos t’i përfillë vërejtjet dhe sugjerimet e të tjerëve, por duhet t’i konsultoj ekspertët e lëmive përkatëse, pa marrë parasysh përkatësinë partiake, në drejtim të planifikimit të zhvillimit ekonomik, i cili është jetik për vendin. Plani i zhvillimit ekonomik i biznesmenit me përmasa botërore Z. Behgjet Pacolli dhe i AKR-së, është shumë i avancuar dhe adekuat për momentin dhe të ardhmen zhvillimore të vendit, andaj çdoherë jemi për atë që interesi i vendit të jetë para së gjithash.
“Bota sot”: Liberalizimi i vizave së fundmi nuk mori dritën jeshile nga BE-ja. A mund të kemi liberalizim të vizave shpejt?
Makolli: Pritja nga samiti i fundit i BE-së për liberalizim të vizave, për neve që i kemi përcjellur rrethanat dhe ngjarjet që kanë ndodhur në vendin tonë në vitet e fundit, ka qenë një eufori që nuk ka pas shanse për t’u realizuar.
Historikisht, ne për të gjitha ato që na kanë ndodhur, fajin ua kemi lënë të tjerëve, e sidomos “Evropës”, bile është edhe në një këngë që unë e quaj “idiote”, në vargjet e së cilës fajësohet Evropa dhe fyhet me epitete pezhorative. Faji është i yni dhe vetëm i yni për të gjitha gjatë historisë, duke përfshirë edhe rastin e fundit për mos liberalizim të vizave.
Ne mund t’i bëjmë qejf vetit e t’i harrojmë të gjitha skenat e padëshiruar me gaz lotsjellës në Kuvend, e me patriotizëm folklorik, të “ndihmuar” edhe nga lahuta e Çunit, por, Evropa nuk i harron dhe nuk duhet të harrohen, duhet të na shërbejnë si leksion për mos me ndodh diçka e ngjashme në të ardhmen.
Evropa është demokracia më e avancuar dhe me kulturë të nivelit më të lartë në botë, andaj Kosova duhet të sillet pandan këtyre premisave.
“Bota sot”: A mendoni që BE-ja po vazhdon ta “zvarritë” procesin e liberalizimit të vizave për arsye të panjohura për ne?
Makolli: Shekullin XXI e karakterizon dinamika e shpejt e ndryshimit të situatave gjeo-politike. Në këtë kontekst ajo që ka mund me u krye me sukses para disa viteve, tash vështirë të realizohet pasi që rasti i Ukrainës i ka ndryshuar fokuset e përqendrimit të fuqive të mëdha.
Tash ekziston mundësia që liberalizimi i vizave të lidhet me marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi, e kjo do ta shtynte edhe për një kohë liberalizimin e vizave.
Këtë situatë unë e krahasoj me lojën e futbollit; “neve referi na akordoi penalti, të cilën ne nuk e shfrytëzuam, andaj tash nuk dihet kur do të na vjen shansi për të shënuar gol”.
“Bota sot”: Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, mbetet temë e pazgjidhur. A do të dorëzohet Serbia përballë presioneve ndërkombëtareve?
Makolli: Gjithmonë kur kemi pas të bëjmë me lufta që kanë zgjatë edhe me dekada, në fund palët ndërluftuese kanë arritur marrëveshje konformë situatës në terren. Në rastin tonë, konstelacioni i forcave botërore ka qenë në anën e drejtë, gjegjësisht në anën tonë dhe është arritur që Kosova të çlirohet nga zgjedhja shekullore duke krijuar shtetin e pavarur dhe sovran të pranuar nga 120 vende të botës. Këtë realitet nuk ka kush e kthen mbrapa dhe një marrëveshje në mes të dy palëve tani të barabarta (dy shtete sovrane) duhet të arrihet.
Faktori vendimmarrës ndërkombëtar i ka vu kornizat për këtë marrëveshje, andaj palët duhet t’i respektojnë ato, në veçanti Serbia, e cila i ka dyert e mbyllura në BE nëse nuk arrin marrëveshje me Kosovën.
“Bota sot”: Si e shihni ju përfundimin e dialogut me Serbinë?
Makolli: Kur kemi të bëjmë me interesat jetike të shteti të Kosovës, e një ndër to është dialogu me Serbinë, duhet të jemi në koordinim të plotë me miqtë tanë ndërkombëtar, duke kërkuar që mbështetës kryesor të jenë SHBA-të.
Në këtë rast kur SHBA-të janë për arritjen sa më të shpejtë të marrëveshjes, e cila parasheh njohje reciproke dhe i hapë rrugët për anëtarësim të shtetit të Kosovës në KB, dhe në organizatat e tjera relevante botërore, faktori politik kosovar duhet të jetë unik me qëndrimet e veta për zgjidhjen e kësaj çështjeje jetike për vendin.
Politika jonë e jashtme duhet të ketë dakordancë maksimale me SHBA-në, pa i lënë anash fuqitë evropiane të BE-së.
“Bota sot”: Si i komentoni raportet aktuale Shqipëri-Kosovë, a po bëhet projekti “Ballkani i hapur” një mollë sherri për acarimin e këtyre raporteve?
Makolli: Ka qenë e pa imagjinueshme të mendohet se marrëdhëniet ne mes të udhëheqësve të dy shteteve shqiptare të jenë në këtë nivel në kohen e sodit.
Kjo që po ndodhë sot dhe që ka ndodhur menjëherë pas luftës në Kosovë, është déjà vu e kundërshtimeve mes shqiptarëve që kanë ndodhur gjatë Luftës së Parë Botërore, gjatë Konferencës së Paqes në Paris, pas Kongresit të Lushnjes dhe gjatë Mbretërisë shqiptare, shtetit të parë modern shqiptar, të njohur ndërkombëtarisht. Kurse për komunizmin enverist nuk ia vlen të flasim, ai ka qenë kulmi i së keqes që ju ka ndodhur shqiptarëve.
Shqiptarët asnjëherë gjatë kësaj periudhe historike nuk kanë qenë unik, kanë vepruar me mendësi feudale e bajraktare, kanë luftuar njëri-tjetrin për interesa personale e klanore duke rrezikuar në shumë situata e raste edhe vet ekzistencën e shtetit të tyre.
Në shekullin XXI, në kohën e iluminizmit të kombit mbarë, është non sens i llojit të vet mos koordinimi i politikave të dyja shteteve shqiptare, dhe mos veprimi si një trup i vetëm kur kemi të bëjmë me interesa jetike kombëtare.
“Ballkani i hapur”, është vetëm njëra nga kundërshtitë në mes të dy udhëheqësive tona.
Kosova nuk e ka luksin me qëndruar në “geto”, por duhet të kyçet në çdo iniciativë regjionale dhe më gjerë, aq më parë kur ajo iniciativë përkrahet nga SHBA-ja. Nuk duhet kundërshtuar ad hock asnjë iniciativë, por duhet t’i përgjigjesh ftesës, të merrë pjesë në takimet e ftuara dhe nëse nuk është tretman pandan me shtetet tjera, atëherë deklarohet publikisht mos marrja pjesë dhe jepet arsyetimi.
“Bota sot”: Ju keni qenë sekretar i AKR-së, a keni ndonjë rol politik tani në AKR?
Makolli: Më 24 Shkurt të këtij viti (2022), AKR-ja ka mbajtur Kuvendin e rregullt zgjedhor, ku jam rizgjedhur Sekretar i Përgjithshëm për mandatin e ardhshëm 4 vjeçar.
“Bota sot”: Në fund, si i shihni qëndrimet e AKR-së në këto ngjarje të fundit. A mendoni që duhet ketë ndonjë ndryshim?
Makolli: Presidenti Pacolli dhe AKR-ja gjithmonë e kemi interesin shtetëror mbi atë individual e partiak, duke lënë anash teket, inatet e hakmarrjet politike. AKR-ja është shumë bashkëpunuese dhe mbështet çdo iniciativë, platformë e veprim për dalje nga situata e rënduar politike dhe për çështjet me interes jetik për vendin, siç janë bisedimet me Serbinë.
Po ashtu duhet t’i kultivojmë marrëdhëniet me BE-në e sidomos me SHBA-të pa ndihmën e të cilëve nuk do të ishim këtu ku jemi. Në këtë situatë të vështirë, spektri politik duhet të jetë i unifikuar duke e shtyrë përpara çdo reformë që ndihmon në krijimin e kushteve për një jetë më të mirë të qytetarëve tanë.
Nuk i mbështesim rivalitetet dhe betejat politike të bazuara në hakmarrje, inate e teke që shkojnë në dëm të qytetarëve e të vendit.
Në ndërgjegjen e liderëve tanë duhet të mbretërojë arsyeja që mos të ketë kakofoni politike kur kemi të bëjmë me interesat jetike shtetërore, duke pasur gjithmonë interesin shtetëror mbi të gjitha.
Në politikën e jashtme, nuk duhet të merret asnjë vendim pa koordinim të plotë me nunin e pavarësisë, SHBA-të.
Duhet të tejkalohen menjëherë mosmarrëveshjet dhe inatet në mes të udhëheqjes shqiptare dhe kosovare, duke bashkëpunuar me respektim maksimal reciprok dhe të kulturuar.
Marrëdhëniet në mes të dy shteteve tona shqiptare duhet të jenë vëllazërore.