Finlanda është duke përgatitur një përgjigje ndaj një letre që ka marrë nga Rusia, në të cilën kërkohen garanci sigurie nga vendet e OSBE-së, tha ministri i Jashtëm finlandez Pekka Haavisto, dhe Suedia mori gjithashtu një letër nga Moska, por nuk pranoi të komentojë përmbajtjen.
“Ky shkëmbim i referohet qëndrimit të Rusisë se Perëndimi po rrit sigurinë e tij në kurriz të Rusisë. Natyrisht, Perëndimi ka një pikëpamje krejtësisht të ndryshme për këtë,” tha Havisto për media në Helsinki, raporton Reuters.
Të gjithë anëtarët e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) kanë marrë një letër, njoftoi televizioni kombëtar finlandez ILE. Suedia gjithashtu mori letrën, konfirmoi ministrja e Jashtme Ann Linde për Radion suedeze, por nuk pranoi të komentojë se çfarë përmbante.
“Ministria e Jashtme ka marrë shumë letra me të cilat ne i trajtojmë në të njëjtën mënyrë: shikojmë përmbajtjen, analizojmë dhe shqyrtojmë çdo përgjigje të mundshme ndaj letrës”, tha Linde.
Linde dhe Havisto do të takohen nesër në Stokholm, së bashku me ministrat e mbrojtjes të dy vendeve, për të diskutuar situatën e sigurisë në Evropë, sipas Reuters.