Kosova është e shokuar me atë çfarë i ka ndodhur alpinistes së mirënjohur, Mrika Nikçi, e cila u sulmua seksualisht nga F.B në qendër të qytetit të Pejës.
Federata Bjeshkatare Alpiniste e Kosovës – FBAK, dënon ashpër këtë akt aq të ulët e çnjerëzor.
“Deklaratë e Kryesisë së FBAK me rastin e sulmit ndaj alpinistes sonë, Mrika Nikçi
Me indinjatë të thellë morëm lajmin për sulmin aq të ulët e çnjerëzor, ndaj alpinistes sonë me famë botërore, Mrika Nikçi.
Në emër të Kryesisë dhe të të gjithë komunitetit bjeshkatar, dënojmë ashpër këtë akt të turpshëm ndaj Mrikës, dhe urojmë që kryesi ta marrë dënimin e merituar.
Njëherësh urojmë që Mrika (dhe familja e saj), ta tejkalojnë këtë pa pasoja të mëdha emocionale!
Mrika, jemi me ty!
Ashtu siç i ke përballuar vështirësitë fizike (por edhe emocionale), për ngjitjen e shtatë majave më të larta të shtatë kontinenteve, urojmë ta përballosh edhe këtë dhimbje emocionale të shkaktuar nga dikush, që mund të jetë gjithçka, veç jo njeri!”, reagon kryesia e Federatës Bjeshkatare Alpiniste të Kosovës.